Tirana kap kreun, Luftëtari “mbyt” Teutën e Likës

Sep 3, 2012 | 12:39

Tirana-Shkumbini 3-0

Bardheblutë fitojnë pa trajner, bluzinjtë bëjnë poker.

Tirana fiton ndaj Shkumbinit edhe pa një trajner stabël (u drejtua nga shefi i klubit, Alban Tafaji), ndërsa Luftëtari shkatërron Teutën në Gjirokastër. Nëse vëren vetëm shifrat 3-0 dhe nuk ke parë ndeshjen, me të drejtë mund të thuash se Tirana e ka dominuar kundërshtarin. Por nuk është ashtu. Bardheblutë morën një fitore të vuajtur pa trajner, (pas largimit të Hulian Rubios) e cila erdhi vetëm në dy minutat e fundit të ndeshjes. Deri në minutën e 89-të, peqinasit patën shumë raste për të barazuar, por gabuan para portës së mbrojtur nga Ilion Lika. Sakaq, Tirana do t’i falej Morinës, i cili në minutën e 30-të shënoi golin e parë. Por ky gol nuk solli qetësinë te stoli bardheblu, të paktën deri në minutën e 89-të, kur Çota dyfishoi. Dhe vetëm një minutë më pas, kur edhe peqinasit tashmë ishin të dorëzuar, Morina fikson shifrat 3-0. Duhet theksuar se peqinasit ishin mjaft kërkues dhe e bënë “me zemër” Tiranën e emrit të madh, por me një performancë problematike dhe jo fort bindëse në fushën e “Selman Stermasit”. Gjithsesi, fitorja është fitore dhe si e tillë vlen tri pikë. Këtyre u shtohen edhe tri pikët e javës së shkuar në Berat, që e mbajnë Tiranën në pozita kryesuese, me 6 pikë të plota, aq sa ka edhe Skënderbeu kampion. Në ndeshjen tjetër të luajtur dje u pa një Luftëtar i papërmbajtshëm në fushën e vet, i cili bëri “kurban” nënkampionen e vendit në fuqi, Teutën e Durrësit. Pokeri gjirokastrit ka qenë më se i merituar, duke treguar se Luftëtari i këtij sezoni nuk do pretendojë thjesht që të qëndrojë mes më të mirave të Superiores. Katër golat e shënuar në portën e Rizvanit të Teutës konfirmojnë potencialin e bluzinjve të Nevil Dedes, që në dy javët e para të kampionatit grumbullojnë katër pikë. Gjirokastritët dominojnë dhe gjejnë golin e parë me anë të serbit Nikoliç, ish-bashkëlojtar i Nevil Dedes kur luante në Kinë. Goli u jep krahë vendësve, që nuk e ulin aspak ritmin, por të mbështetur fuqishëm nga tifozët mbeten në ofensivë. Vuan shumë Teuta, që duhet të përballojë një presing të madh të vendësve. Nuk do të vononte shumë dhe, si rrjedhojë logjike e një loje të tillë, vjen edhe goli i dytë i Luftëtarit. Në minutën e 28-të është Liçaj, ai që me kokë mposht për herë të dytë brenda gjysmë ore lojë portierin durrsak. Ndërkohë trajneri Lika i udhëzon të tijtë të shfrytëzojnë topin e gjatë për te sulmuesi i vetëm, Eminhazeri, që asistohet nga pas prej Mancakut. Dhe në një rast të tillë, topi i adresuar që nga portieri Rizvani te sulmuesi kosovar i Teutës, kthehet në gol. Është ky i fundit që driblon bukur në mbrojtjen vendëse, derisa fiton një penallti. Gjuan Mancaku, i cili shkurton rezultatin në 2-1. Por edhe pjesa e dytë është njëlloj si e para. Loja është tërësisht në zotërim të Luftëtarit dhe nuk ka sesi të mungojnë edhe golat e tjerë. Fillimisht do ishte shkodrani Rraboshta, në minutën e 51-të, ai që do t’i ngrinte shifrat e rezultatit në 3-1, ndërsa vulos gjithçka Shenaj, në minutën e 66-të. “Poker” për Luftëtarin, që debuton në mënyrën më të mirë të mundshme, tejet bindës e kërcënues për cilindo kundërshtar që udhëton në Gjirokastër, ndërsa “djemtë e detit” kthehen me “këmbë në tokë”, pas fitores në transfertë, javën e shkuar, në Peqin. Ndërkohë java e dytë mbyllet sot me takimin Besa-Tomori.

java e 2-të
TË PREMTEN

Flamurtari-Laçi    0-1
Skënderbeu-Apolonia    2-0
TË SHTUNËN
Kastrioti-Bylis    2-1
Sekseni 42′, Gocaj 51’/ Muhamed 58′
Kukësi-Vllaznia    0-0
DJE
Luftëtari-Teuta    4-1
Nikoliç 21′, Liçaj 29′, Raboshta 49′, Shenaj 67’/ Mancaku 37′ (p)
Tirana-Shkumbini    3-0
Morina 30′, 90′, Çota 89′
SOT
Besa-Tomori    19:00

Kategoria superiore
RENDITJA

Nr EKIPI      N    F    B    H    G+    G-    P
1. Skënderbeu     2     2     0     0     5     1     6
2. Tirana    2     2     0     0     4     0     6
3. Luftëtari     2     1     1     0     4     0     4
4. Kastrioti    2     1     1     0     3     2     4
5. Laçi     2     1     1     0     2     1     4
6. Teuta    2     1     0     1     2     4     3
7. Kukësi    2     0     2     0     0     0     2
8. Besa    1     0     1     0     1     1     1
9. Bylis    2     0     1     1     2     3     1
10. Flamurtari    2     0     1     1     1     2     1
11. Apolonia    2     0     1     1     1     3     1
12. Vllaznia     2     0     1     1     1     3     1
13. Tomori     1     0     0     1     0     1     0
14. Shkumbini    2     0     0     2     0     4     0

Tirana/ Tafaj: Më kënaqën pikët, jo loja
Ka marrë drejtimin e Tiranës deri në emërimin e trajnerit të ri, megjithatë Alban Tafaji nuk i kursen kritikat në drejtim të lojtarëve bardheblu, të cilët edhe pse arritën të fitonin në ndeshjen e djeshme ndaj Shkumbinit, sipas tij nuk bënë një paraqitje të mirë. “Më duhet të them se nga loja jam shumë i pakënaqur, pasi lojtarët nuk treguan asgjë nga forma e tyre në fushë. Po të shohim, rezultati i ndeshjes u arrit vetëm në fund të takimit dhe kjo nuk na jepte garanci, pasi kundërshtari mund të kishte reaguar dhe të na ndëshkonte”, është shprehur Tafaj. Megjithatë, teknik kryeqytetas nuk arrin të gjejë arsye për formën e dobët të futbollistëve. “Është e pamundur të them se nga erdhi gjithë kjo paraqitje e dobët. Lojtarët e mi i kanë pasur këmbët të rënda dhe mezi kanë lëvizur në fushë”.

Teuta/ Lika: Pësuam gola foshnjarakë
Trajneri i Teutës, Hasan Lika, ka kritikuar lojën e skuadrës së tij, kryesisht faktin se Teuta pësoi 3 gola me goditje standarde. “Mund të them se zhvilluam një ndeshje të dobët, ku gabuam më së shumti në goditjet standarde, aty ku edhe kundërshtari bëri diferencën në krahasim me ne. Mbrojtja ishte në një ditë të keqe, ndër më të dobëtat që kam pasur ndonjëherë në ndeshjet në kampionat. Sot (dje) nuk funksionuan repartet me njëri-tjetrin dhe si rezultat pësuam dominimin e kundërshtarit. Ajo që më shqetëson më shumë, përveç humbjes së rëndë, është fakti se pësuam 3 nga 4 golat me goditje standarde, çka një skuadër si Teuta nuk mund t’ia lejojë vetes. Jam i bindur se djemtë kishin mundësi të bënin shumë më mirë, por sot (dje) nuk u përqendruan aq sa duhet në detyrat që u kisha ngarkuar”, pohoi Lika.

Nevil Dede: Nuk prisja të fitoja 4-1
Trajneri i Luftëtarit, Nevil Dede, ka mbetur tejet i kënaqur nga loja e skuadrës, aq sa ka pohuar se as vetë nuk e priste të fitonte me këtë rezultat. “Më kënaqi jo vetëm rezultati, por edhe loja e skuadrës. Kam një grup lojtarësh me vlera dhe për të qenë i sinqertë nuk e kisha menduar se do mund të fitoja ndaj Teutës 4-1. Ishim përgatitur mirë, por edhe unë si trajner u çudita nga loja e mirë e skuadrës sime. Kam tre-katër lojtarë, si Ramadani, Çaço, Selimaj, Boci, të cilët po ju siguroj se do jenë zbulimi i këtij sezoni dhe me shumë gjasa vitin tjetër do të jenë në qendër të merkatos. Megjithatë, loja e tyre nuk do ishte kaq rezultateve pa “gardën” e vjetër dhe me eksperiencë që kam në skuadër. Do luajnë kështu edhe në ndeshjen e radhës në Shkodër, ndaj mos u çudisni nëse edhe atje, ndaj Vllaznisë, do marrim rezultat”, tha Dede.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura