Tirana humb stërvitjen në tokën sllovake

Jul 21, 2011 | 11:16

Tirana do të luajë sot përballë Spartak Trnavës pa zhvilluar as edhe një seancë stërvitore në tokën sllovake. Kjo ka ndodhur për shkak të vonesave në udhëtim, gjë që padyshim nuk i ka lejuar 24 herë kampionët e Shqipërisë ta përgatisnin siç duhej sfidën e vlefshme për turin e dytë paraeliminator të Ligës së Europës. Një lajm të tillë, përveç drejtuesve të klubit bardheblu, para se të niseshin dje drejt Sllovakisë, e kanë konfirmuar edhe vetë sllovakët gjatë një konference për shtyp. Skuadra shqiptare zbarkoi në qytetin sllovak dje, rreth orës 18:30, ndërkohë që ndeshja është planifikuar të luhet sot në orën 19:00. Sipas rregullit të UEFA-s, Tirana kishte të drejtën të stërvitej në orën që do të luhej takimi, por duke qenë se ekipi shqiptar vinte pas një udhëtimi të gjatë, e jo pak të lodhshëm dhe për më tepër nuk kishte kohë në dispozicion për t’u çlodhur, stërvitja është anuluar. Në dukje mund të shihet si një problem i rëndomtë, por në të tilla sfida janë pikërisht detajet ato që e bëjnë diferencën. Fakti që skuadra nuk u stërvit në stadiumin ku do të luhet sfida, qoftë për t’u ambientuar me terrenin, por edhe për të parë gjendjen e ekipit apo edhe atë të stadiumit, mund të ketë pasoja për bardheblutë. Trajneri ka qenë jo pak i shqetësuar nga ky problem, por megjithatë ka shprehur besimin se skuadra mund t’ia dalë.

Shperblimi

Presidenti i Tiranës, Refik Halili, ka premtuar 60 mijë dollarë shpërblim në rast kualifikimi për në turin tjetër të Ligës së Europës. Bardheblutë do të ishin të lumtur qoftë edhe me një fitore minimale 0-1 apo dhe një barazim 1-1. Të gjitha këto para do t’u jepen lojtarëve, pasi të jenë marrë nga UEFA, sepse, sipas informacioneve, presidenti Halili ka sqaruar se këto të ardhura që jepen në formë premio, janë pikërisht ato që Tirana do të përfitojë nga kalimi i turit.

Spartak Trnava-Tirana

Sonte ora 19:00/ Formacionet e mundshme
Spartak Trnava (4-4-2): Raska, Koubski, Djalo, Malçarek, Hanzel, Proshazka, Viskocil, Kahran, Kashçak, Tomaçek, Gogolak. Trajner: Pavel Hoftish
Tirana: I.Lika, Pashaj (Taku), Pisha, Dushku, Kalari, Kërçiku, G.Lika, Karabeci, Al Ajmi, Heple, Etogo. Trajner: Hulian Rubio

© Panorama.al

Te lidhura