Tirana fiton ndaj modestëve luksemburgas

Jul 6, 2012 | 14:30
Tirana–Grevenmaker 2-0

Tirana fiton pa problem ndaj skuadrës luksmeburgase të Grevenmaker, ndërsa Teuta shpërfytyrohet në harkun e vetëm 15 minutave. Me tri mungesa në formacionin bazë Tirana ka arritur të fitojë ndeshjen e djeshme ndaj Grevenmakerit, e vlefshme për turin e parë eliminator të Ligës së Evropës. Goli i Muçollarit dhe ai i Ferrajt, të shënuar të dy në pjesën e parë të ndeshjes, i kanë mjaftuar ekipit të drejtuar nga Hulian Rubio për të siguruar një gjysmëkualifikim për në turin tjetër të këtij kompeticioni. Ndërsa luksemburgasit e Grevenmakerit në stadiumin “Qemal Stafa” janë shfaqur një skuadër më shumë se modeste, e cila kishte në formacionin e saj edhe lojtarë që i përkisnin ditëlindjes 1995. Megjithatë, në disa raste të veçanta miqtë u përpoqën të reagonin, por mbrojtja dhe portieri Lika u treguan të vëmendshëm në momentet e pakta kur u është kërkuar një gjë e tillë. Me një Gilman Lika në superformë bardheblutë do të jenë gjithmonë prezentë përpara portës rivale, ndërsa këta të fundit vetëm do të mbrohen. Ndërkohë vjen edhe goli i parë për të zotët e shtëpisë. Blerja e kësaj merkatoje, Muçollari, do të tregojë vlerat e veta, kur në minutën e 39-të gjuan fort nga jashtë zone dhe shënon golin e parë. 1-0 dhe bardheblutë janë në delir. Miqtë nuk reagojnë në asnjë moment të vetëm, ndërsa në minutat shtesë të kësaj pjese Tirana shënon edhe golin e dytë. Ahmataj dhe Ferra dhurojnë spektakël, pasi arrijnë të pasojnë katër herë mes tyre brenda zonës së luksemburgasve. Në fund, i vetëm përballë portierit, është Ferraj ai që i dyfishon shifrat. Fraksioni i dytë i lojës nuk ka shumë histori për Tiranën. Lojtarët janë më të sigurt për fitoren dhe duket qartë që lëshojnë në lojën e tyre. Ndërsa në takimin tjetër, Teuta është thuajse e skualifikuar nga Liga e Evropës. Një skuadër pa ide dhe shumë e lehtë për tu çarë në mbrojtje. Sulmi dhe mesfusha, përveç disa aksioneve pa shumë rrezikshmëri, nuk prodhuan asgjë. Durrsakët e Hasan Likës ishin shumë larg asaj skuadre të kampionatit. Sigurisht, me mungesa të rëndësishme. Por, paraqitja e djeshme nuk ishte thjesht çështje mungesash. Ekipi tregon probleme që në fillim dhe më pas në pjesën e dytë, nuk arrin të rrezikojë për asnjë moment. Në 15 minutat e fundit, miqtë bëhen më agresiv dhe arrijnë të realizojnë tri gola duke e shpërfytyruar plotësisht skuadrën durrsake. Teuta tregoi se ishte e papërgatitur për t’i bërë ballë Matalurg Rustavit. Ndeshja e kthimit pas një jave duket se do të jetë thjesht një formalitet. Pas një pjese të parë pa shumë raste për shënim dhe nën nivelin e kërkuar, vjen edhe fraksioni i dytë kur u siglua edhe shkatërrimi i durrsakëve. Trajneri gjeorgjian ndërhyn në mbrojtje duke nxjerrë Kakushadze që nuk ishte në ditën e tij më të mirë dhe në vend të tij hyn Tekturmanidze. Në fushë janë vetëm miqtë. Zotërues të mesfushës dhe aksionet e tyre janë të rrezikshme në çdo moment. Ndërsa, durrsakët vetëm mbrohen. Në të 77-ën, Tatanashvili çan mbrojtjen vendëse dhe pasi shmang edhe Rizvanin, nuk e ka të vështirë të shënojë. Lika në stol duket i nxehur dhe jep udhëzimet e rastit. Shtatë minuta më pas, Getsadze realizon golin e dytë me kokë brenda zonës thuajse i pashqetësuar. Mbrojtja durrsake në fushë është e shkatërruar, ndërsa Lika në stol duket i dorëzuar. Në të 92-ën, gjeorgjianët shënojnë edhe golin e tretë me penallti. Është Tatanashvili që pengohet në zonë nga Sheta dhe goditjen nga pika e bardhë e penalltisë e merr përsipër Kvaratskhelia që nuk gabon.

TIRANA–GREVENMAKER 2-0
Shënues:
Muçollari 39’, Feraj 45’+2’
Karton i verdhë: Tushe 88’
Gjyqtarë: V.Sevostianik/ S.Hidrevich dhe V.Malyutin
(Bjellorusi)
Tirana: Lika, Pashaj, Pisha, Ahmataj, Kalari, Muçollari,
Taku, G.Lika, Ferraj (Tushe 65’), Duro (Çota 65’),
Bala (Morina 65’). Trajner: Hulian Rubio
Grevenmaker: Shoks, Brazksi, Beçtold, Bataglia,
Hus (Gaspar 68’), Loudaj, Hofman, Sçiltz (Herres 85’),
Frust, Heimz, Stefen (Almeida 38’). Trajner: Mark Tom

TEUTA-METALURG RUSTAVI 0-3
Shënues:
Tatanashvili 77’, Getsadze 84’, Kvaratskhelia
92’(p)
Kartonë të verdhë: Hoxha 56’, Deliallisi 66’, Sheta 92’
Gjyqtarë: P.Suton/ K.Henesi dhe D.Broughton
Teuta: Rizvani, Sheta, Buiu, Hoxha, Osmani (Bakiasi
70’), Jakupi, Nika, Dosti (Eminhaziri 72’), Deliallisi,
Veliaj, Mancaku (Pajaziti 63’). Trajner: Hasan Lika.
Metalurg Rustavi: Bediashvili, Kakushadze (Tekturmanidze
45’), Sukhiashvili, Japaridze, Makhviladze,
Maisuradze, Kvaratskhelia, Razmadze, Dobrovolski (Mikaberidze
60’), Getsadze, Sikharulidze (Tatanashvili 75’).
Trajner: Koba Zhorzhikavili.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura