“Tirana dhe transporti publik janë në prag paralize të plotë”- PD reagon për krizën e karburanteve: Ulja e flotës së autobusëve me 40%, Bashkia e Qeveria zgjodhën të heshtin

Apr 15, 2026 | 12:24

Partia Demokratike ka reaguar sot për krizën e karburanteve dhe uljen e shërbimit të transportit publik me 40% të flotës së autobusëve urbanë në Tiranë.

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorjan Teliti, akuzoi institucionin dhe qeverinë për heshtjen që po shfaqin në këtë situatë, ku kryeqyteti dhe transporti publik po shkojnë drejt një krize dhe paralize të plotë.

“Ky është fillimi i krizës reale dhe me pasoja të rënda. Së pari, Tirana rrezikon bllokim, që do të thotë përkeqësim i mëtejshëm i lëvizshmërisë së përditshme të qytetarëve. Ulja me 40% e flotës së autobusëve do të thotë edhe më shumë makina në terren, më shumë trafik, më shumë ndotje të ajrit që thithim. Së dyti, reduktimi me 40% i flotës së autobusëve godet fuqimisht dhe drejtpërdrejt jetën ekonomike dhe sociale të kryeqytetit. Qytetarët do ta kenë më të vështirë të arrijnë në vendin e punës çka do të thotë se shërbime rrezikojnë vonesa e deri edhe paralizimin e plotë”, tha Teliti mes të tjerash.

PD kërkon mes të tjerash edhe marrjen e dy masave urgjente, uljen e barrës fiskale dhe mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

dorian teliti

Në fund ai tha se tani është koha “për të dhënë llogari” dhe ftoi qytetarët shqiptarë që më 17 prill të mblidheshin në protestën kombëtare të opozitës në kryeqytet.

“Pikërisht sepse këto probleme nuk po marrin zgjidhje, është një arsye më shumë për të ftuar të gjithë qytetarët ditën e premte, më 17 prill, të bashkohen në protestë. Është momenti për të reaguar. Është momenti për të kërkuar llogari. Është momenti për t’i treguar pushtetit se Tirana nuk mund të qeveriset me heshtje, indiferencë, braktisje dhe abuzime”, tha ai.

Deklarata e nënkryetarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorjan Teliti:

Të dashur qytetarë të Tiranës! Kryeqyteti po përballet me një krizë serioze, transporti urban është në prag paralize të plotë. Duke filluar nga sot, shoqatat e transportit urban kanë reduktuar me 40% flotën e autobusëve në qarkullim, për shkak të kostove të larta dhe të papërballueshme të shërbimit.

Ky është fillimi i krizës reale dhe me pasoja të rënda.

Së pari, Tirana rrezikon bllokim, që do të thotë përkeqësim i mëtejshëm i lëvizshmërisë së përditshme të qytetarëve. Ulja me 40% e flotës së autobusëve do të thotë edhe më shumë makina në terren, më shumë trafik, më shumë ndotje të ajrit që thithim.

Së dyti, reduktimi me 40% i flotës së autobusëve godet fuqimisht dhe drejtpërdrejt jetën ekonomike dhe sociale të kryeqytetit. Qytetarët do ta kenë më të vështirë të arrijnë në vendin e punës çka do të thotë se shërbime rrezikojnë vonesa e deri edhe paralizimin e plotë.

Kjo nuk është më një çështje sektoriale. Është një krizë e funksionimit të Tiranës. Përballë kësaj situate, mosreagimi i institucioneve është i papranueshëm. Qeveria dhe Bashkia kanë zgjedhur të heshtin. Qeveria dhe Bashkia kanë shpërfillur paralajmërimet.

Ky është rezultati i një qeverisjeje pa plan, pa përgjegjësi dhe pa vizion.

Partia Demokratike dhe Opozita kërkojnë reagim të menjëhershëm:

  1. Qeveria të pranojë propozimin zyrtar të PD-së për ulje urgjente të barrës fiskale mbi karburantin për të lehtësuar kostot e sektorit dhe ekonomisë në përgjithësi.
  2. Mbledhje të menjëhershme dhe të jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, me qëllim që të bëjmë transparencë të plotë mbi situatën dhe të miratohen urgjentisht masa dhe paketa konkrete mbështetëse ndaj këtij sektori nga buxheti vendor i Tiranës.

Transporti publik nuk është luks, por një e drejtë për qytetarët. Nëse edhe për një shërbim jetik si transporti publik, institucionet zgjedhin të mos reagojnë, atëherë bëhet e qartë se problemi nuk është thjesht një sektor në krizë, por vetë mënyra se si qeveriset Shqipëria dhe Tirana.

Pikërisht sepse këto probleme nuk po marrin zgjidhje, është një arsye më shumë për të ftuar të gjithë qytetarët ditën e premte, më 17 prill, të bashkohen në protestë.

Është momenti për të reaguar. Është momenti për të kërkuar llogari.

Është momenti për t’i treguar pushtetit se Tirana nuk mund të qeveriset me heshtje, indiferencë, braktisje dhe abuzime”.

© Panorama.al

Te lidhura