Tirana, 16 orë udhëtim pas sfidës

Jul 12, 2012 | 14:31

Luks në vajtje, torturë në rikthim. Kështu mund të konsiderohet transferta e Tiranës në Luksemburg. Skuadra udhëtoi me një avion çarter drejt këtij vendi për të zhvilluar ndeshjen e së martës, por u kthye në Shqipëri pas një udhëtimi epik dhe torturues. Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes dhe pas një pauze për konsumimin e darkës (të martën), skuadra ka hipur në një autobus, i cili ka përshkruar për më shumë se 12 orë largësinë nga Luksemburgu deri në Verona të Italisë. Gjatë rrugës ka pasur edhe një ndalesë për një kafe të shkurtër dhe më pas pritje në aeroport për të marrë avionin drejt Tiranës. Kështu, skuadra ka prekur tokën shqiptare dje rreth orës 17:20 të pasdites, pas një udhëtimi jo vetëm aspak të rehatshëm, por gati torturues. Natyrisht, një zgjedhje e tillë është bërë nga drejtuesit e klubit për dy arsye: së pari, për të ulur shpenzimet e udhëtimit dhe së dyti, nisur edhe nga fluksi i madh i lëvizjeve në këtë periudhë kohore, çka bën që edhe gjetja e biletave për linjat ajrore të mos jetë aq e thjeshtë.

Bekim Bala
Ndeshja me Grevenmakerin duhet të ishte (dhe mund të jetë) e fundit për sulmuesin e Tiranës, Bekim Bala. Ky i fundit ka marrë një sërë ofertash kohët e fundit dhe, sipas të gjitha gjasave, destinacioni i mundshëm mund të jetë skuadra çeke e Spartës së Pragës. Këta mësohet se i kanë ofruar 250 mijë euro, prej të cilave 50 mijë do t’i marrë Tirana për ta lënë të lirë sulmuesin, i cili vazhdon të jetë nën kontratë.

© Panorama.al

Te lidhura