
Krimi në familje që tronditi Tiranën dy ditë më parë, nuk është kryer nga bashkëshortja e të plagosurit, por nga vëllai i saj.Ky është versioni i vëllezërve të Qazim Brukës, i cili u godit me sëpatë në kokë, duke tentuar të vritej pas mesnatës së të hënës në shtëpinë e tij, tek ish-Kombinati “Josif Pashko”. Ruzhdi Bruka, vëllai i të plagosurit, përveçse ka dyshimet e tij në lidhje me rrethanat se si ka ndodhur ngjarja, tregon se ka prova dhe dëshmitarë që vërtetojnë se krimi në familje është kryer në bashkëpunim. Madje, ai ka një version tjetër për ngjarjen, të kundërt me atë që ka dhënë në polici Hyrie Bruka, bashkëshortja e të plagosurit, e cila edhe pse u vetëdorëzua duke pranuar autorësinë e krimit, u la e lirë nga policia. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, dhënë nga Spitali Ushtarak në Tiranë, Ruzhdi Bruka tregon në mënyrë të detajuar motivet e ngjarjes, mënyrën se si mund të jenë kryer, kërcënimet para se të ndodhte, madje edhe personin që ai dyshon se është autor i vërtetë. “Vëllain tim nuk e ka plagosur e shoqja, por kunati, vëllai i gruas, Q.Bici. Kam dëshmitarë dhe prova që ai nuk ndodhej në shtëpinë e tij natën e krimit, madje para ngjarjes ai bashkë me të motrën kanë larguar fëmijët nga shtëpia me një makinë, që është parë e parkuar para shtëpisë. Fëmijët nuk kanë qenë aty kur ndodhi ngjarja dhe im vëlla është qëlluar kur ishte duke fjetur”, u shpreh dje vëllai i të plagosurit.
Si u njoftuat për atë që i kishte ndodhur vëllait tuaj?
E kam marrë vesh pasdite, disa orë pasi kishte ndodhur. Më ka marrë në telefon gruaja ime, kur e ka parë në televizor. Ime shoqe është kushërira e parë e Hyries, gruas së tim vëllai. Më tha se çfarë kishe ndodhur dhe unë nxitova të vija në Spitalin Ushtarak.
A është përmirësuar gjendja shëndetësore e vëllait tënd? Keni arritur të flisni me të?
Tani është më mirë. Sot (dje) bëri një operacion në kokë dhe sipas mjekëve gjithçka doli me sukses dhe tashmë është jashtë rrezikut për jetën. Kam folur pak me të, sepse nuk kam dashur ta sforcoj. Por, ai nuk mban mend shumë gjëra rreth asaj që ka ndodhur.
Ju ka treguar ato çfarë mbante mend nga ngjarja?

Më ka thënë që kur ishte kthyer në darkë në shtëpi, të hënën, kishte debatuar me të shoqen për një celular të dytë që ajo e mbante fshehurazi atij. Më tha që kishte dëgjuar të binte një zile celulari dhe i kishte thënë të shoqes të përgjigjej se po i binte telefoni. Ajo kishte nxjerrë nga xhepi një telefon, që në fakt nuk po binte, pasi ishte telefoni për të cilin ai ishte në dijeni. Më pas kishin gjetur celularin tjetër dhe ai ishte përgjigjur. Sipas tij ishte një zë mashkulli që kërkonte të fliste me të shoqen. Por më pas e kishte mbyllur telefonin. Ndërsa gruaja i kishte mohuar gjithçka. Më pas, ai thotë se është shtrirë për të fjetur dhe nuk ka ndier asgjë. E vetmja gjë që mban mend është kur u përmend rreth orës 06:00, të martën, kur i ka thirrur i zoti i shtëpisë, Kolë Zemraku dhe polici. Aty e ka parë veten të gjakosur, të shtrirë në tokë dhe ata i kanë thënë se do ta dërgonin në spital.
Por bashkëshortja e tij ka deklaruar se e ka qëlluar me sëpatë për vetëmbrojtje, pasi ia ka marrë nga dora atij kur po e kërcënonte…
Kjo nuk është e vërtetë. E para, sepse vëllai im vuan nga epilepsia dhe nuk ka qenë kurrë i dhunshëm, të paktën jo në ato përmasa. E dyta, ai nuk mban mend asgjë. Për mendimin tim, ai është goditur në gjumë. Ajo, bashkë me të vëllain, i kanë dhënë ndonjë ilaç gjumi, kanë larguar fëmijët nga shtëpia që të mos shihnin çfarë po ndodhte dhe më pas e kanë goditur për ta vrarë. E kanë goditur me sëpatë tri herë në kokë dhe dy herë në gjoks. Më pas i kanë vjedhur paratë dhe janë larguar.
Sa para i kanë vjedhur? Keni bërë denoncim për këtë pjesë?
Denoncimin do ta bëj patjetër, por pasi të qetësohet pak situata dhe të kem biseduar shtruar me vëllain tim. Me aq sa më tha ai kur e takova, pasi u përmend në reanimacion, ata i kanë vjedhur paratë që kishte në portofol, rreth 480 mijë lekë të vjetër. Më tha që ka pasur edhe 16 mijë euro në një valixhe në shtëpi, e cila është hapur me forcë, jo me çelës dhe paratë nuk ndodheshin në të. Pra, ata jo vetëm e kanë masakruar, duke dashur ta vrisnin, por edhe e kanë grabitur.
Po më përpara, a ka pasur zënka të ashpra vëllai juaj me bashkëshorten? Ishte kërcënuar ndonjëherë?
Ata kishin debate të herëpashershme dhe gjithmonë për faj të saj. Unë kam prova se ajo takohej fshehurazi tij me një person tjetër dhe mbante dy telefona, njërin për të folur me të. Ajo i ka ikur 3 herë nga shtëpia vëllait tim. Herën e fundit i ka ikur para 4-5 muajsh dhe kemi qenë ne që ndërhymë për t’i ribashkuar, për shkak se ata kishin katër fëmijë të vegjël për të rritur. Ndërsa për kërcënime, vetëm 3 ditë para ngjarjes, vetë babai i gruas së tim vëllai, Halil Bici, më ka thënë që do e vriste tim vëlla, sepse nuk shkonte mirë me të bijën. Babai i Hyries ka rreth një muaj që ka dalë nga burgu, pasi ka qenë i dënuar për vrasjen e vëllait të vet.
Po me fëmijët e vëllait tuaj, çfarë do të bëni?
Me sa kam marrë vesh, ajo ka ikur bashkë me ta në Kukës, tek familja e saj. Kjo nuk më duket e drejtë nga ana e policisë. Si mund të lironin një kriminele si ajo, aq më tepër ta lejonin të merrte edhe fëmijët dhe t’i dërgonte në Kukës. Ajo ka dashur që t’i fshehë nga ne, t’i mësojë se çfarë duhet të thonë, sepse unë jam i sigurt që fëmijët nuk kanë qenë në shtëpi kur ka ndodhur ngjarja, por ajo do të mbrojë deklarimet e saj. Im vëlla jetonte vetëm për ata fëmijë. Nuk i ka lënë kurrë pa ushqyer dhe punonte që t’u siguronte një jetë më të mirë. Edhe në Maqedoni punonte me periudha të gjata që të fitonte para dhe të ndërtonte një shtëpi.
E zonja e shtëpisë: Krimin s’mund ta ketë kryer gruaja
Dyshimet e vëllait të të plagosurit se krimin nuk mund ta ketë kryer e shoqja, por kunati, përforcohen edhe nga e zonja e shtëpisë ku çifti Bruka jetonte me qira. Vera Zemraku tregoi se nuk ka dëgjuar asnjë lloj zhurme natën e krimit, as fëmijët që qanin dhe bërtisnin gjithmonë. Sipas saj, dikush e ka goditur në gjumë dhe nuk ka pasur përleshje në shtëpi. “Qazimin nuk besoj se e ka goditur gruaja, ai ishte trupmadh dhe nuk do arrinte kurrë të mposhtej nga ajo. Për më tepër, ne nuk dëgjuam asnjë zhurmë atë natë. Madje, ishte më qetësi se asnjëherë tjetër. Dikush tjetër mund ta ketë ndihmuar Hyrien që të kryente plagosjen e të shoqit”, tregoi e zonja e shtëpisë. Ajo tregon gjithashtu se diçka aty po përgatitej prej ditësh, pasi shumë plaçka ishin nxjerrë gjatë natës nga shtëpia dhe ata nuk i kishin parë. Kjo sipas saj do të thoshte që gruaja po përgatitej për t’u larguar, por nuk kishte thënë asgjë për këtë. Ndërsa tregon se fëmijët e çiftit bënin shumë zhurmë, qanin vazhdimisht sepse ishin të vegjël, ndërsa atë natë nuk është dëgjuar asnjë zhurmë apo e qarë e tyre. Sipas saj, ka shumë mundësi që fëmijët të mos kenë qenë në shtëpi.
Hetimi, policia verifikon gjurmët e gishtave
Policia e Tiranës, pasi ka shoqëruar dhe marrë në pyetje dy ditë më parë Hyrie Brukën, e dyshuar si autore kryesore e ngjarjes, e ka lënë atë të lirë, për shkak të rrethanave ekonomike dhe faktin se kishte katër fëmijë të mitur. Ndërsa ende po verifikohen gjurmët e gishtave që janë fiksuar në bishtin e sëpatës së sekuestruar në vendin e ngjarjes, si arma e krimit, për të parë nëse ato përputhen me gjurmët e 31-vjeçares Bruka, apo nuk i përkasin asaj.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











