Tifozët: Me Salihin fitohet titulli

Feb 8, 2012 | 12:07

Te DC Junajtid në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka mjaft entuziazëm pas mbërritjes edhe të Hamdi Salihit. Në një sondazh të zhvilluar ditët e fundit nga tifozët e kësaj skuadre, pjesa më e madhe e tyre shprehen të sigurt se me blerjen edhe të sulmuesit shqiptar, skuadra ka shanse reale për të fituar titullin kampion. 78% e atyre që kanë marrë pjesë në sondazh, pohojnë se DC Junajtid nuk del duarthatë këtë sezon, duke qenë se përveç Salihit drejtuesit kanë marrë edhe Emiliano Dudar (Zvicër), Marçelo Saragosa (Azerbajxhan), Robi Rasëll (Real Salt Lejk), Maikon Santos (Dallas), Dani Kruz (Hjuston) dhe Nik DeLeon (Louisvil), duke forcuar kështu ndjeshëm organikën në këtë skuadër.

Shaqiri vishet bavarez, kryen vizitat mjekësore
Kosovari Xherdan Shaqiri është futbollisti i parë shqiptar që do jetë pjesë e rekordmenëve të Gjermanisë, Bajernit të Mynihut. Ai ka mbërritur dje në Mynih për të kryer vizitat mjekësore tek doktori i bavarezëve, Myler-Volfart. Edhe pse ende nuk është bërë zyrtare kontrata dhe çmimi i tij, nga burimet e brendshme të klubit mediat spekulojnë se Shaqiri u ka kushtuar 12.5 milionë euro dhe do nënshkruajë një kontratë 4-vjeçare, e vlefshme nga vera e vitit 2012. Kësisoj, Xherdan Shaqiri do të jetë futbollisti i parë shqiptaro-kosovar në historinë e futbollit bavarez. Talenti shqiptar “i vjedhur” nga Zvicra aktualisht është pajisur me pasaportë zvicerane dhe është pjesë e Kombëtares së Zvicrës. Dy vitet e fundit të tij kanë qenë vendimtare për karrierën, ku përveçse shkëlqeu me Bazelin si në Zvicër dhe Europë, duke fituar çdo trofe kombëtar, ai ka debutuar edhe me Kombëtaren e Zvicrës. Ai debutoi më 3 mars 2010 kundër Uruguait, dhe u grumbullua nga trajneri gjerman, Otmar Hicfeld, për finalet e Botërorit 2010.

© Panorama.al

Te lidhura