Thoma Nika, streha që u dha personazheve te foleza e sarandjotit! Janë 101 profile dhe histori njerëzore të trajtuara nga autori

Apr 24, 2024 | 10:13
SHPËRNDAJE

thoma nikNGA PROF. JOSIF PAPAGJONI

…101 profile dhe histori njerëzore te libri “Të pangjashmit” i gazetarit të mirënjohur sarandjot Thoma Nika është një sivëlla i shumë librave kësisoj. Por një sivëlla me rrënjë e shpirt në Sarandë.

Sikur më risollën qytetin tim, ku u linda, u rrita, punova, njoha njerëz, bisedova, piva kafe me ta, u përshpirta për shumë të tjerë; një sivëlla me portretet e atyre njerëzve që, të shumtët i kam njohur dhe më kanë njohur; kanë lënë vragë dashurie dhe respekti në shpirtin tim. Andaj librin e lexova me mall. Shëmbëllimi dhe imazhi i të ikurve të shquar të qytetit, në syrin tim kanë mbetur të pashuar, si ata qirinjtë në një kishëz përshpirtjesh. Ata kanë një strehëz të ngrohtë brenda meje, mu aty ku qenia ime përvuhet e gazmon njëherit. Me kujtesat e ëmbla dhe drithërimat e emocioneve të bukura që kjo galeri njerëzore më ngjalli, e mbushur me poezi, ëmbëlsi dhe miradashje, menjëherë gjithë fjalët që porsa thash në radhët më sipër ia adresoj pikërisht autorit të librit. Të tilla ndjesi si unë ka provuar doemos edhe ai. Sepse në fletët e kësaj memorie librore është derdhur po ajo dashuri, po ai respekt, është po ajo vragë e dritohet po ai shëmbëllim, që kanë lënë gjurmë njësoj edhe në sytë e tij.

Dua ta qas librin me një strehimore të madhe të mbamendjes qytetëse, sepse Thomai i ka strehuar të gjithë personazhet e tij te po ajo folezë prej sarandjoti, ku duket sikur bash atje paska një vatër zjarri që i ngroh, ca prushe, pak hi të ngrohtë njerëzor të ikurish nga jeta. Dhe sikur dëgjon atypari një bisedë të shtruar miqsh në orët e gjata të natës, sikur ndjen edhe një xhezve kafeje që zien nëpër prushet e mbresave, kujtimeve, nostalgjive, nderimeve, bëmave. Nuk janë njerëz me “yll në ballë”, përkundrazi, janë njerëz të zakonshëm, që Thoma Nika i ka pikturuar ashtu thjesht; janë të njëmendtë, me petkat e tyre, siç i kemi njohur të gjithë, duke vjelë prej tyre sa karakterin, ndihmesën qytetëse, historitë interesante të jetës, aq dhe emocionin e mirëfilltë. Kjo sjell vetiu kënaqësinë që i bashkëshoqëron njohjet tona në rrugëtimin e gjatë të tyre nëpër dhjetëravjeçarë, ecejakur rrugëve e mëhallave të Sarandës, fshatrave të saj. Në një kuptim, personazhet e Thomait janë kujtesa e Sarandës, janë sarandjotët e mirë.

Tek e preka me sy këtë libër, ndryshe nga shumë të tjerë, që kanë edhe ndonjë rëndesë, m’u duk si ajo pupla e Forest Gambit, që fluturonte ajrisë dhe në fund binte te ty, mu atje te maja e këpucës. Sepse aty është edhe fati yt, si i atyre mbi 100 fytyrave që libri ka. Është një enciklopedi e vogël jetësh të vyera, që rrinë hijshëm në vetëdijen e qytetit, krah për krah njëri-tjetrit: ca të ditur, ca profesionistë të nderuar, ca të përkorë e të thjeshtë si blerimi, ca të tjerë të ardhur nga shtete përtej nesh dhe ca të heshtur si guri, por me zemër dhe duar të arta. Është një “urbi et orbi”, ku përtej tyre ti sheh botën e madhe te bota e vogël, domethënë prek dhe kupton natyrën njerëzore me vlerat e saj, veçantitë, përhirimet që virtyti shpërfaq në modelet e tyre jetësore, në punën e tyre si njerëz të pabëzaj, në triumfin ndaj të pamundurës, pengesave, theqafjeve, dëshpërimit dhe vetë vdekjes.

A nuk pat bërë kështu edhe nënë Fatua nga Vërva, kjo grua e paepur, që i gëzohej triumfit të punës? Nëpër vrap e sipër, dua të kujtoj dhe unë disa nga personazhet sa të thjeshtë aq dhe të jashtëzakonshëm, që kanë lënë gjurmë në mendjen e Thomait si gazetar e tek ne të gjithë. E si mund ta harroj, bie fjala, llamarinistin Jani Dede, një portret si i pikturuar me bojëra vaji të forta. Ja atje, tek ajo baraka bri murit të Onhezmit të lashtë, ai ngjiste gjithfarë enësh, i rregullonte, krijonte të reja. Unë vetë i kisha çuar ca gjyma të familjes qysh fëmijë, që ai i ngjiste me merak. Ky njeri tejet i urtë dhe serioz çalonte, dukej që kishte pësuar një gjymtin dramatik në jetë. Lufta e kishte lënë pa këmbë. Por, habitshëm, ai e “prodhoi” vetë protezën për këmbën e tij në mënyrë perfekte dhe, po habitshëm, asnjë ditë nuk u trajtua si invalid. E ku kishte proteza atëherë?! Sot shkon drejt të 100-ve. A nuk është ky një “hero i pabëzajtë” i qytetit? Një mendjeshpikës? Po Koçi Milori, gjeniu i pashpallur i ortopedisë popullore, i quajtur ndryshe “Pathua”. Qindra e mijëra njerëz kanë kaluar duarve të tij dhe ai u ngjiste kockat e thyera, u rregullonte eshtrat, ndrydhjet. Mua vetë ma ka vënë në vend bërrylin e nxjerrë. Ishte një magjistar. Kudo nëpër kujtimet e njerëzve edhe sot ai është aty, ndrit si një njeri i shenjtë. Nuk dinte të merrte lekë, veç kur njerëzit ia dhuronin gati me zor. Më tutje një 88 vjeçare, Nebile Roboçi, që nuk i ndahet notit dhe prej detit merr edhe sot shëndet, si dikur notare e “Butrintit”. Po tempullari i bibliotekës, Aristidh Buzi, të cilin e njoha fare mirë gjatë punës së përbashkët që bënim me “mbrëmjet tematike”. Krahas përkushtimit ndaj librit, ky njeri i palodhur dhe plot fantazi ishte dhe një mjeshtër i veprimtarive kulturore, atyre njohëse, për figura të ndritura të kombit dhe rrethit.

Një histori fantastike është ajo e Lilit të 70 pëllumbave me pëllumbin Berlina, që fluturonte nga Berlini në Sarandë, 1581 km me mikroçipin e vendosur në këmbën e shpendit. Po Shkëlqim Bequa, i njohur si Çimi, ky personazh tejet i njohur i qytetit, serfist i lindur, me hobin e tij për notin, çiklizmin, sportet, aftësinë prej biznesmeni. E kam njohur këtë njeri dikur, në rininë time, madje kemi punuar ca ditë së toku, duke gatuar llaç për ustallarët e komunales, që rregullonin rrugët, shkallaret dhe shëtitoren e Sarandës. Qysh atëherë kohët rrodhën, dhe ja, sot në faqet e “Facebook”-ut unë njoha një tjetër Çimi, sarandjotin e kulturuar, që artikulohet bukur dhe paragjykimi im është thyer e bërë copë e grimë, ndërsa mendja ime i ka dhënë tashmë një katedër nderi e respekti këtij pasionanti të natyrës.

Miq, po ju kujtoj fare pak portrete të tilla sarandjotësh të çmuar, që të bini në një mendje me mua, se tek ata ti sheh të zakonshmen tek e jashtëzakonshmja dhe anasjellas; ti kupton se kryqi i Davidit që mundi Goliathin, nuk rrezëllon si në ballin e një mbreti të hyjnishëm, por si në ballin e djersitur, te këta njerëz të punës e të sakrificës. Portret pas portreti ti shkoqit historiza të mbushura plot mundim mbijetese, sakrifica, përkushtim, mendjeshkrepje, befasi. Dhe në pazakonshmërinë e tyre, duke i parë një hop të gjitha së toku, nyje pas nyjeje, ti sheh dhe ndjen historinë njerëzore të vetë qytetit, ashtu si në një qëndismë a thurje dantelle me grep. Andaj dhe 101 portretet e sarandjotëve të punës, suksesit dhe dijes, te ky libër duket sikur i ngjajnë një mozaiku me gurë të çmuar. Janë brilante të shndritshme shpirti të qytetit ku ti jeton. Secili prej portreteve të sjellë në fletët e tij është i mëvetshëm e sërish të gjithë janë bashkë si në një afresk. I bashkon qyteti. I bashkon virtyti. I bashkon kujtesa urbane. I bashkon historia, që i ka mbajtur dhe i mban brenda vetes. I bashkon dhe pena e Thoma Nikës.

Le të vijojmë nëpër fytyrat e kësaj afreske njerëzore! …Orëndreqësi Areteo Gjikuli, në duart e të cilit duket sikur koha ndalon; veterineri Agim Nelaj që me dashurinë e tij për qentë dhe mirërritjen e tyre ka gjetur një deriçkë fitimprurëse tregu; mendje e butë dhe e zgjuar. E jashtëzakonshme është jeta e Noti Llambraqit, një oshënar i detit, që e mundi sëmundjen e pashërueshme të kancerit duke u futur pikërisht në gjirin e këtij deti. Deti, noti, lëvizja ishin Shën Maria e tij. Noti e kishte emrin, noti e shpëtoi. Portreti i gazetarëve Timoleo Mërtiri, Guro Zeneli, Panajot Zoto, vijnë të përzier me përshtypjet dhe miqësinë e vetë Thomait me ta si koleg e gazetar. Mes tyre, ku buis karakteri, guximi, kokëkrisja, njohja, talenti, mendjemprehtësia, humori, modestia, profesionalizmi.

Me shumë endje lexon shënimet mbi portretin e qëndrestarit të madh shqiptar në Kosovë, politikanit dhe shkrimtarit Adem Demaçi, i cili vinte rëndom në Sarandë dhe jetoi disa vite mes nesh, i rrethuar nga respekti ynë. Edhe unë mbaj mend disa biseda e kafe me atë buzë detit, te Limani dhe shumë histori më buisin mendjes.

Në portretizime të tjera Thomai shpesh rreket drejt ravijëzimit të kontributit të njeriut, i parë në aspekte të profesionit, dijes dhe fuqisë së mendjes, si Lutfi Barjami për shembull, agronomi dhe “shpikësi” i mirënjohur i teknologjive të rritjes së bimëve.

Dua të ecni pak me mua. Shikoni disa prej portreteve që më habitin me punët e veçanta që kanë bërë, ndihmesën e dhënë, shpikjet, mendjemprehtësinë, guximin, shpirtin krijues. Ja njeriu i luleve, Thanas Rubie, që ka sjellë qysh nga Zvicra dhe ka selitur një lloj luleje të re për qytetin, të cilën ai e ka quajtur “Lule Rubie”. Po kirurgu Miço Xhaferi, me mijëra operacione, një i “gjendur” i madh pranë halleve të njerëzve. Edhe unë i kam borxh këtij njeriu, ndihmën që më dha, kur çova për të operuar time shoqe në Athinë. Inxhinier Kristo Qendro, projektuesi i teleferikut të Dajtit në Tiranë, më tutje legjenda e notit Idriz Muço, i buti Sotir Klironomi. Kujtoj me mall Thoma Papagjikën, këtë njeri të lexuar e pushtetar të mençur, fisnik si ai. Sa kuptimplote shprehet dashuria e 40 vajzave nga Kosova, që kanë marrë emrin SARANDA? Po historia e trishtë e Diana Lleshit, e cila doli nga bataku i mjerimit, përçmimit dhe urisë ku ishte zhytur dhe u bë një ‘Miss’ bukurie, falë kjo edhe ndihmës bujare të njerëzve të mirë, shqiptarë dhe jo shqiptarë. Po Moza Boçi, e vetmja shofere taksie? Po dy vajzat binjake, që zgjatin flokët e tyre dhe i falin për paruke të sëmurësh? Ka një dashuri të pathënë e gjitha kjo histori, një ndjenjë përdëllimi, me një cipë fetare përsipër, si karitas i një shprese të pritshme, por ndryshe, ku hyn tashmë edhe feminiteti, edhe bukuria, edhe estetika, edhe sfida.

Sa interesante është historia e Adrian Aliut nga Markati, me mirëmbajtjen e 25 lopëve të egra; diçka e re, fantastike, që mendja nuk ta pret, por që tregu e nxit si zgjidhje fitimprurëse. Familja Xuxi janë muzikantë në katër breza, çfarë realiteti frymëzues, që na sjell në traditat e qytetërimit europian. Tek lexoj për mësuesin dhe drejtorin e gjimnazit, Vasil Partalin, këtë urtan të qytetit, më duket sikur ende e dëgjoj tek më jep mësim, ende fryma e tij sikur është mes nesh, ishnxënësit e tij. Vangjel Xhani vjen si një velierë e lidhjes së qytetit me të ardhurit nga bota, një farë mesazheri, me guidat e tij turistike, të mbushura me informacion mbi historinë e qytetit. E kush nuk e mban mend Prokop Qirjaqin, që i dha Sarandës palmat, ndërsa maleve përreth pishat? Vera Çeço dhe lulet e bimët e saj kuruese aromatike, 100 lloje, lulet, gjethet, si një biznes fitimprurës.

Burra si Foto Mihua kanë ruajtur brenda karakterit të tyre një tradicionalizëm të fortë, duke mbetur ikona mirësie dhe njerëzie për të tjerët. Ne, që i kemi njohur këta njerëz, ashtu të thjeshtë e të përkushtuar ndaj punës së tyre, kemi ditur t’i nderojmë dhe, madje, diku edhe t’i shenjtërojmë për atë ç’kanë bërë për qytetin, njerëzit, virtytet. Ca më shumë e bën këtë vetë autori, Thoma Nika, duke qenë se ai ndjek instiktin e tij si gazetar, duke qëmtuar atë që është më e veçanta. Një jetë të tërë ai ka bredhur poshtë e përpjetave të qytetit dhe njerëzve, duke grumbulluar syresh polen e mjaltë, përherë në rrugëtim dhe kërkim të bukurisë, përherë duke qëmtuar fisnikërinë njerëzore. Dhe nga ato që ai ka vjelë e dëgjuar, nga rrëfimet e gjithëfarta, mbushur me ndjesi dhe emocione, fill ka vrapuar mëpastaj drejt makinës së shkrimit dikur, apo tastierës së kompjuterit sot, që t’i kthejë fjalët në referenca jetësore. Bulëzojnë fletëve mendime, vlerësime, përfytyrime dhe qasje të larme. Bukur! Neve, që kemi lindur në Sarandë, na mbushet zemra me mallëngjim. Të mbledhura në një libër, gjithçka e shkruar me një nderim prej murgu ndaj pergamenës së dekriptuar, pak nga pak ato krijojnë një tablo. Një galeri. A s’është ky libër një galeri? Afërmendsh, i tillë është. Ndryshon veçse teknika. Portretet nuk janë piktura me ngjyra, ku lëviz peneli dhe boja e artistit mbi kanavacë, as fotografi të shkrepura në çaste të ndryshme përjetimesh e gjendjesh. Tanimë piktura dhe fotografia nuk formohet prej bojës dhe shkrepjes, por prej mendjes dhe gishtave që rrëshqasin mbi tastierë. Prej fjalës.

Ah fjala! Kjo koreografi shkronjash që na ngop, na mbush, na jep kuptimet dhe emocionet e asaj çka duam të themi. Dhe kur fjala, germat thuren e shkruhen bukur, siç Thomai i ka qëndisur në gjërat më të bukura të librit, edhe piktura është aty, edhe imazhi është aty, gjithçka është aty, madje edhe metafora, duke krijuar, me pikëlime dashurie e spërndritje mbresash, pikërisht atë galeri historish njerëzore, që thamë pak më sipër.

Te kjo galeri unë nuk rri dot pa thënë dy fjalë për Kono Dhimën, bojaxhiun që u ka dhënë dritë e jetë shtëpive të sarandjotëve, me ato kominoshet e punës përherë, të cilin Thomai e quan “njeriu gëlqere”. Konua ka qenë shok fëmijërie me mua; njeri i butë, i qeshur, një artist i ngjyrës, kështu e kam mbajtur mend përherë. Oficeri Shefqet Leka, ardhur nga Macukulli i Veriut të Shqipërisë, që u bë një sarandjot i devotshëm; ende shëtit bregut të detit edhe 90 e kusur vjeç, sa është. Edhe ky vjen si një portret i respektuar, sa për qytetin, aq dhe për mua. Dhimitër Biraçi, legjendari i tarracimeve të brigjeve të Ksamilit; Gëzim Demi, gjitoni im i dikurshëm, njeri i gjendur e shoqëror, që sot, në vend të shtëpisë-barakë të prindërve, ka ngritur një godinë shumëkatëshe; çdo ditë ai hyn në det, dimër verë, dhe mbledh nga koshi i tij nënujor peshqit e freskët. Aventura e një talenti shqiptar si Odisea Cenaj në Greqinë mike, sa dhe e mbytur në paragjykime për shqiptarët dhe Shqipërinë, s’ka se si mos të të mbresojë.

Unë e ndjeva rrembin e kësaj “galerie”, ka kaq shumë ngjyra, personalizime, një ngrohtësi që të vjen nga gjithkah. Ka frymë njerëzish të mirë, të zotë. Sikur je në një vatër zjarri. Në penën e Thomait, 101 sa janë, njëri më duket më i veçantë e më i pazakontë se tjetri. Teksa ti lexon për ta, ndjehesh mes tyre. Duket sikur je në një “agorë”. Bash aty është edhe peneli, edhe aparati fotografik, edhe ngjyra, edhe imazhi, edhe verbi, edhe fjala, edhe koreografia e hoveve të zemrës, edhe vrapi i kohës, edhe pika e djersës, edhe mendja e ndritur, edhe vlerësimi, edhe mendjehapja, edhe kureshtja. Gjithçka.

Libri “Të pangjashmit”, i Thoma Nikës, sjell edhe shumë portrete njerëzish të shquar e me emër në letërsi dhe arte. E lash enkas këtë syth në fund, sepse vetë i përkas këtij “sekti”, ndofta është lulja më e shndritshme dhe më e bukur e kujtesës së qytetit. Limos Dizdari, njëri syresh, një muzikant “par exelance”, i cili la Tiranën dhe u vendos në Ksamil, duke menaxhuar tok me të shoqen, Adrianën, ish-Pallatin e Kulturës të kësaj qyteze. Ai e shndërroi në Qendrën e Artit “Dea”, e bëri të bukur si një perëndeshë, aq joshëse, ku rrezatohej kulturë, 25 vjet sa ajo qëndroi në këmbë. Por ah, ia rrëmbyen tinëz, në mënyrë të pashpirt, sikur ia përdhunuan, dhe ai i zhgënjyer dhe i pikëlluar mori arratinë drejt Amerikës… Nën një qasje plot dashamirësi, edhe me pakëz humor, vjen portreti i poetit të njohur Agim Mato, me atë fjalën e tij refren “kriminel”; mëpastaj portreti i Alush Avdulit, po ashtu shkrimtari, gazetari, humoristi dhe njeriu i kulturës Enver Isufi, i cili njihej për batutat e tij të mprehta, qesëndisëse ndaj mendjemëdhenjve, delirantëve etj. Një nga këto batuta, e hidhur e gjitha, në kohën kur ai qe redaktor primar i gazetës “Fitorja”, ishte kur i thoshte pastrueses së zyrave çdo mëngjes: “Sa herë të kam thënë, prit të kalojë Shoku Enver njëherë, pastaj laji çimentot!” Thikë me dy presa kjo, ë?! Cili Enver?! Ec e merre vesh! Por Enver Isufi dinte të vallëzonte bukur mes teheve.

Nuk kam kohë të shkruaj për shokët dhe të njohurit e mi të përmallshëm, sepse do më duhej një tjetër libër si ky i Thomait. Veçse, në vrap e sipër, dua të kujtoj trompistin Illo Papadhima, që kishte qenë pjesë e bandës së ushtrisë në kohën e monarkisë; regjisorin Thoma Milaj, që i dha lavdi dhe emër Estradës Profesioniste; Adem Dacin, këtë kitarist të rrallë e gishtëmbël; Thoma Gjonin, kompozitorin dhe dirigjentin punëmadh e vullnethekurt, mikun tim të shtrenjtë; Theofil Haxhijanin, aktorin e mrekullueshëm të humorit; Lefter Çipën e këngës piluriote; Agron Aliajn, koreografin e paharruar me origjinë nga Delvina; më tutje humorin brilant të Qamil Buxhelit; dramacitetin dhe fuqinë karakteriale të aktores Hajrie Rondo; lavdinë dhe ndihmesën e patejkalueshme të Neço Mukos, në fillesat e artit të Sarandës; skenografin dhe piktorin Lefter Çeko, që edhe kur pi kafen me të, atje te ballkoni i bar “Riviera”, nuk rri dot rehat pa më folur për projektet e tij të reja, duke e kthyer Galerinë e Arteve në një katedrale ekspozitash, me artistë nga gjithë Shqipëria. Kam qejf dhe unë të flas për arkivin e begatë të “Marubit” të qytetit tonë Luan Qendro; aktorin Anastas Nika, që iku shpejt; të çuditshmin dhe të padeshifrueshmin Fejzi Muçua, fizarmonicist i rrallë me “krisjet” e tij çudane, ku bëzante një humor i rrezikshëm dhe mendje prej sherrbudallai; të flas për zërin prej bilbili të këngëtarëve folklorikë Kiço Kapedani, Petrit Metushi; të pikturoj një portret hijeshie, dhuntie dhe fisnikërie për mikun tim, skulptorin Niko Godroli, që sa herë shkoj nga ish-godina e Doganës së qytetit, në shekullin XIX, aty te Limani, sytë më mbeten te portreti i mrekullueshëm i rilindësit të madh Naim Frashërit, të cilit Nikua i dha shpirtin e vet. Qasje në formën e Curriculave gjejmë edhe për shkrimtarë e njerëz të artit si Bardhyl Maliqi, Petraq Pali etj.

Portreti i fundit i këtij libri është Apostol Nika, vëllai i autorit. Thomai ndofta enkas e ka lënë në fund. Apostoli vjen si një apologji e mbushur me dhembje, dashuri, krenari; një apologji që, edhe pse pikëlluese, teksa shpirti qan, e sfidon atë dhe sheh përtej dritën, aty ku horizonti i brengës çahet dysh; sheh vlerën e këtij mësuesi shembullor dhe autoritar, që falte për dijen gjithçka dhe i blatohej punës si ai…

Ky libër më bën “ziliqar”. Sepse është një dialog me njerëzit, me Sarandën, një komunikim. Një bisedë me gjurmët e sarandjotëve të mirë, të gjallë apo të vdekur. Edhe unë shkrova një libër për Sarandën, por ndryshe, me natyrë pak a shumë enciklopedike a memorialistike në vertikalen: unë dhe qyteti apo qyteti tek unë. Libri i Thoma Nikës, ani pse e nënkupton këtë dialog te të gjithë portretet e pikturuara, është gjithsesi më intim, më i brishtë, më i kapshëm, më komunikues, më popullor. Epo… Thomai jo më kot është gazetar, një ndjekës i faktit dhe rrëmihës i shpirtit njerëzor! Ke shkruar një “kronikë” ndryshe për qytetin tonë, Thoma! Një kronikë që do shfletohet me endje dhe do t’i rrijë butë historisë së njerëzve të tij…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura