BESNIK GJONGECAJ
Qëndrimi i gjatë i demokratëve në opozitë edhe pse qeverisja e vendit e ka humbur prej kohësh përmbajtjen humane, edhe pse ajo çdo ditë e më shumë i këput lidhjet me shqiptarët, por jo me paratë e tyre sigurisht, është një ngjarje e panatyrshme në politikën e një vendi aspirues për anëtarësim në BE dhe si e tillë, prandaj vështirësisht e shpjegueshme.
Diçka e rëndë po ndodh në këtë vend. Si është e mundur që sa më shumë qeverisja e këtij vendi kthehet kundër njerëzve, aq më shumë ajo votohet prej tyre!? Shumica e shqiptarëve e nuhasin të gjithë këtë, e ndjejnë nën lëkurë, por të hutuar nga një qiell i ulët mbushur me matrapazxhinj ekranesh që rëndon mbi ta dhe nga heshtja e ndërkombëtarëve, patriotët e mi nuk po munden të depërtojnë në qendër të saj. Aq më shumë sepse e gjitha kjo ka kohë që fshihet me kujdes dhe brenda një plani okult man-made. Një plani të inxhinieruar nga njerëz që nuk e duan këtë vend, përkundrazi, e urrejnë atë. Në një konspiracion kriminal.
HIPOTEZA
Thelbi logjik ku mbështetet hipoteza, e cila tenton të shpjegojë paradoksin e “mbështetjes nga njerëzit të një qeverisjeje kundër njerëzve” është se gjithçka që e ka dëmtuar rëndë Shqipërinë, të paktën dhjetë vitet e fundit, vetëm spontane nuk ka qenë dhe vazhdon të mos jetë. Përkundrazi, çdo element etatist, politik apo psiko-social sinjifikativ i kësaj periudhe është projektuar për t’u ngjizur, për të zënë vend menjëherë si pjesë, si element i një plani okult që pritej të merrte formë dhe funksionalitet në të ardhmen, gradualisht.
Të një plani evil-made. Si të thuash, çdo djallëzi, çdo pabesi e rëndë e projektuar paraprakisht, e ka pasur gjithmonë gati hapësirën e vet në këtë plan. Gjithçka filloi me reformën në drejtësi. Si të mos ishte parlament, por një grup gjuetarësh që bien dakord se cilën kafshë pylli do të rrethojnë dhe vrasin të parën, parlamentarët e vitit 2016 votuan unanimisht një ligj të çuditshëm, me anë të të cilit do të organizonin drejtësinë dhe bënin atë funksionale përmes kontrollit eksperimental të shqiptarëve në të njëjtën mënyrë si shkencëtarët përdorin kaviet në laborator.
Asgjë parlamentare nuk kishte në këtë votim, veçanërisht në unanimitetin e tij. Asgjë shqiptare, madje. Me anë të këtij ligji drejtësia e këtij vendi fitoi dy atribute: e para, krijoi kanale komunikimi të hapura me politikën që qeveris vendin dhe e dyta, u armatos (weaponized) për të goditur jo vetëm pjesë të vetvetes në një proces që u quajt vetting, por veçanërisht opozitën, çdo kundërshtar politik të qeverisjes.
Reformimi në drejtësi ishte fillimi ogurzi i ndërtimit të një plani të madh kundër shqiptarëve, vendit të tyre. Megjithëse në fillim pa u kuptuar mirë, shumë shpejt u bë kristal e qartë se shqiptarët po i rrëmbente rryma e emigracionit si asnjëherë tjetër, duke i degdisur në të gjitha anët e botës. Iknin të gjithë, veçanërisht të rinjtë, ndërsa ata që zhvatnin pushtet në Shqipërinë e zbrazur bënin vetëm dy gjëra: plaçkë dhe humor të zi. Drejtësia e re u shoqërua me një ikje pa mbarim nga Shqipëria. E kombinuar me reformën në drejtësi, veçanërisht ikja e të rinjve nga vendi shënon edhe kohën kur frika zëvendësoi qetësinë, paqen, normalitetin. Përmbajtja e këtij kombinimi ka qenë dhe është fatale: Nga njëra anë një sistem drejtësie produkti i të cilit është i paparashikueshëm, rrënues, sepse komunikon lirshëm me politikën dhe mungesa e të rinjve për ta kundërshtuar realisht atë që ndodh, nga ana tjetër.
Çka më në fund e ktheu në të pagoditshme dhe prandaj edhe në të frikshme gjithçka rreth e rrotull. Frika përfshiu të gjithë Shqipërinë, veçanërisht atë që pritej më pak: universitetet e vendit. Plani nuk kishte mbaruar së ndërtuari, gjithsesi. Pritej pjesa më e zezë e tij. Goditja e opozitës. Me të gjitha mjetet, pa pikë mëshire, egërsisht sadiste. Ekzaktësisht kur u pa qartë që rikthimi i z. Berisha krijoi një probabilitet të lartë në rrëzimin e autokracisë tashmë të formuar plotësisht në vend, qeverisja e sotme nuk mundi ta mbajë më brenda vetes helmin e mbledhur për një dekadë të tërë. Madje, helmin e mbledhur për një kohë shumë më të gjatë.
Për më shumë se tridhjetë vite, që nga koha kur pinjollët e sotëm të qeverisjes panë etërit të rrëzohen pa dinjitet, madje edhe kur ishin të brumosur me beton e hekur. U thirrën në skenë të dy njëkohësisht: McGonigal si një përbindësh prej zjarrit të ferrit nga njëra anë dhe drejtësia e militarizuar e këtij vendi nga ana tjetër. Përbindëshi u përdor për armiqësimin e Perëndimit me opozitën e Shqipërisë, ndërsa drejtësia e militarizuar u përdor për t’i marrë lirinë z. Berisha, njeriut që ka luftuar më shumë se kushdo tjetër për t’u sjellë liri njerëzve të këtij vendi. Plani okult, kriminal kishte përfunduar së ndërtuari. Kishte dhënë rezultatet e tij. Shqipëria ishte gjunjëzuar.
VËRTETIMI I HIPOTEZËS
A përfaqëson ky plan një realitet spontan, natyror, apo ai është një evil-made plan, pra një gjendje e fabrikuar nga regjimi autokratik i sotëm nga djajtë që punojnë për të? Apo, në fund të fundit ai ekziston thjesht dhe vetëm në imagjinatën time?! Pa iu përgjigjur këtyre pyetjeve, asgjë nuk mund të ketë kuptim në këtë shkrim. Autori i këtyre rreshtave, për shkak të statusit të tij si profesor universiteti dhe i paangazhuar në asnjë strukturë shtetërore, nuk mund të zotërojë prova direkte që e vërtetojnë këtë hipotezë, sigurisht. Por, mendimi mund të përdoret për vërtetimin e tërthortë të saj. Shkencëtarët që zbuluan ndërtimin e brendshëm të atomit e kishin të pamundur, për shkak të mungesës së teknologjisë, ta identifikonin atë në mënyrë direkte.
Ata nuk shkuan dot në qendër të atomit, por studiuan atë që çlirohej prej tij, rrezatimin dhe mbi bazë të rrezatimit dizenjuan strukturën e brendshme të atomit. Në mënyrë të krahasueshme unë do të përdor një metodë të tërthortë për të vërtetuar hipotezën. A kemi të bëjmë me një plan që ekziston si i tillë, pra e ruan ekuilibrin, tërësinë e tij edhe nëse do t’i mungonte ndonjë apo disa prej elementëve përbërës? Nëse ndodh kështu, atëherë kemi të bëjmë me një gjendje spontane, të paplanifikuar, ose thjesht me një kombinim rastësor rrethanash, realitetesh. Por nuk është kështu! Nuk ka ndodhur kështu! Shqiptarët gjenden përballë një plani në të cilin gjërat janë vendosur si me dorë.
Gjenden përballë një plani manmade, ose të një plani evil-made, më saktësisht. Kjo provohet nëse tentojmë të largojmë apo neglizhojmë qoftë edhe vetëm një element nga plani dhe do të shohim se ai i gjithi rrëzohet, bëhet copë e çikë, nuk e ruan më tërësinë e tij. Kjo pjesë e shkrimit ndoshta mund t’i lihej çdo lexuesi për ta eksperimentuar, por gjithsesi është pothuajse absolutisht e vërtetë se ajo që po ndodh në Shqipëri është përpilimi i një plani të dizenjuar nga një mendje djallëzore, e frikshme, malinje. Kështu, le të supozojmë për një çast që planit të skicuar në mënyrë të përgjithshme te hipoteza e këtij shkrimi, i mungon elementi i emigracionit. A do të mund të imagjinohej se si sot z. Berisha do të arrestohej padrejtësisht, nëse rinia do të ishte në Shqipëri?! A do të guxonte kush ta arreston te atë, madje edhe duke bërë sehirllëk?! Prandaj, krejt plani do të dilte nga ekuilibri, do të bëhej copë-copë, inekzistent, nëse Shqipëria nuk do të ishte zbrazur. A do të mund të ekzistonte ky plan pa ndodhur votimi me 140 deputetë i të ashtuquajturës reformë në drejtësi?! Sigurisht që jo. Ai do të ishte shkërmoqur, do dilte nga ekuilibri, nuk do të ishte më “një copësh”, sepse nuk do të mund të realizohej nëse drejtësia nuk do të komunikonte me politikën, gjë që ishte një konseguencë pashmangshme e reformës së miratuar nga 140 deputetë. Çdo lexues mund të bëjë provat e tij, eksperimentet e tij të mendimit (ato që Einstein i quante “thought experiments”), por një gjë nuk lëviz: ky është një plan okult i krijuar nga njeriu, nga djalli, nga armiq të Shqipërisë dhe tashmë, as më pak dhe as më shumë, ka formën e një thike që i është ngulur Atdheut deri në asht, pas shpine, si në një krim mesjetar.
Jam i sigurt që sot janë bërë shumë ata, të cilët pasi dëgjojnë për një shkrim si ky, për shkak të pamundësisë patericore që kanë për të lexuar, iu kërkojnë të tjerëve t’ia thonë përmbajtjen shkurtimisht. Pasi dëgjojnë të tjerët, ulokët e leximit fillojnë dhe ndërtojnë variantin e tyre, të pangjashëm me shkrimin. Variantin e poshtërimit të tij. E gjithë kjo ndodh e mbytur nga ofshama, gulçima dhe brenda një stërmundimi të gjatë të këtyre mbetjeve njerëzore. Gjytyrymët e leximit, që jo rastësisht kanë qëlluar të jenë gjithmonë në krye: në një institucion ku kryetari vetëlëpihet si qen kur dikush i thotë lider, në një drejtori qeveritare ku ditë e natë tjerr intrigën se si do t’ia fusë dikujt që nuk është spiun, në një universitet me të cilin e lidh ndjesia e masturbimit si ta kishte grua, në një agjenci ku kryhen ekzaktësisht ato gjëra që kurrë nuk bëhen publike, në krye të një grupi zgjebsish ku bëhet garë se kush spiunon më shumë dhe bën dush më pak njëkohësisht; pra gjytyrymët e leximit, dijes, qytetarisë, pasi informohen për shkrime të tilla, fillojnë e bëjnë atë që dinë më mirë të bëjnë: zhbërjen.
E brejnë shkrimin, e kafshojnë në anë, në mes dhe kudo ku munden; e raportojnë si plagjiaturë, si të shkruar nga një armik, nga një që nuk meriton të mbahet në punë, madje as në territorin e Shqipërisë, i cili duhet sulmuar, brejtur, rreckosur deri te bllokada e bukës, deri tek uria. Vazhdojnë kështu derisa fillojnë të ndjejnë jargët, lagien dhe shijen e tyre të kripur. Vetëm kur arrin kjo fazë pushojnë dhe largohen në shtëpitëstrofull një e nga një, të betuar se nesër do të fillojnë nga e para. Si dikur. Disa prej tyre të kohës së hershme, të tjerë të metamorfizuar rrugës, veçanërisht në dekadën e fundit. Kini kujdes demokratë: janë kthyer! Ata kundër të cilëve u ngritëm në ‘90-tën dhe i rrëzuam. Të të gjitha moshave, njësoj.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al