Thika e Hoxhës te Mjekësia Ligjore

Aug 21, 2012 | 14:50
Aldo Hoxha

TIRANE – Provat e gjetura në banesën e Aldo Hoxhës, 20-vjeçarit të arrestuar për vrasjen e Fatbardha Tafës në tentativë për t’i grabitur asaj varësen nga qafa, i janë dorëzuar dje Mjekësisë Ligjore. Pas analizimit të dorezave dhe një thike në laboratorin e Policisë Shkencore dhe te Kriminalistika, sendet e gjetura në shtëpinë e të dyshuarit janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ato u janë vënë në dispozicion mjekëve ligjorë me qëllim kryerjen e ekzaminimeve të nevojshme për t’i përputhur me provat tjera të vdekjes së Fatbardha Tafës. Kështu, gjatë autopsisë së 37-vjeçares, mjekët kanë konstatuar tri plagë tejshpuese dhe dy gërvishtje në lëkurë. Mbi bazën e thellësisë dhe gjerësisë së plagëve, sipas hetuesve, është e mundur që të bëhet një ballafaqim në lidhje me përdorimin e mundshëm të thikës në kryerjen e krimit. Për këtë arsye thika i është dërguar Mjekësisë Ligjore dhe Prokuroria tashmë pret një konkluzion nga specialistët, për të mësuar nëse mjeti i përdorur për kryerjen e krimit është apo jo thika e gjetur në banesën e Aldo Hoxhës. Fatbardha Tafa u vra më 7 gusht, teksa po ecte në rrugicën dytësore që del te Fusha e Aviacionit. Ajo u qëllua pesë herë me thikë nga një person që zbriti prej një motori që ndaloi para viktimës dhe motrës së saj, Lumturie Gjana. Autori i ngjarjes ka pasur një kapele në kokë, e cila ka rënë në tokë gjatë përleshjes dhe pretendohet se në të është gjetur edhe një qime floku. Kjo qime floku, sipas hetuesve, është përputhur plotësisht me AND-në e Aldo Hoxhës, të riut me precedentë penalë, që u arrestua në lidhje me ngjarjen e ndodhur te Fusha e Aviacionit.

© Panorama.al

Te lidhura