Artistë e shkencëtarë mblidhen në një grupim të ri
Shkrimtarë, artistë, filozofë, historianë, mjekë, shkencëtarë janë mbledhur së bashku për të krijuar një akademi të re. Dje, Gjykata e Tiranës miratoi krijimin e Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, e cila u themelua më 17 dhjetor 2011. Në përbërje të saj janë emra të shquar të artit, kulturës, shkencës shqiptare, si Ismail dhe Helena Kadare, Inva Mula, Ermonela Jaho, Adrian Civici, Fatos Tarifa, Limoz Dizdari, Pëllumb Xhufi, Isuf Kalo etj. Sipas njërit prej themeluesve e sekretarit shkencor të kësaj akademie, Fatos Tarifa, ideja e themelimit të saj ka lindur 7-8 muaj më parë dhe ka gjetur entuziazmin e një sërë figurave të shquara shqiptare, të cilat nuk janë të përfshirë politikisht, por janë fokusuar në punën e tyre artistike apo shkencore. Duke pasur parasysh që në Shqipëri ekziston një Akademi Shkencash, Tarifa thotë se kjo e reja nuk do të jetë një rivale e ASH-së, por një plotësuese e saj. Sipas tij, e ideuar sipas modelit të Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave (American Academy of Arts and Sciences), e cila dallon nga Akademia Kombëtare e Shkencave (National Academy of Sciences) në SHBA, Akademia Shqiptare e Arteve dhe e Shkencave u krijua me dëshirën dhe vullnetin për të promovuar krijimtarinë më të mirë kulturore, shkencore, artistike dhe letrare të realizuar në Shqipëri, në trojet shqiptare dhe në diasporë. Kjo akademi nuk shihet si një institucion ku anëtarët të marrin një rrogë e të dalin në pension, por falas të japin kontributin e tyre për gjallërimin e jetës kulturore dhe shkencore në Shqipëri dhe për t’i ndihmuar krijimit të një sfere publike, në të cilën shoqëria civile të konsolidohet si një institucion demokratik. Kjo akademi synon, gjithashtu, të shërbejë si një forum intelektual serioz, duke bashkuar preokupimet e shkencëtarëve dhe të artistëve shqiptarë për dijen teorike dhe rekomandimet praktike në të mirë të zgjidhjeve racionale të problemeve të shumta e të rëndësishme me të cilat ballafaqohet shoqëria e sotme shqiptare, për të shërbyer si një katalizator për ngritjen e vazhdueshme të standardeve akademike dhe artistike në çdo fushë të krijimtarisë intelektuale, si edhe për të popullarizuar edhe më mirë në tregun global të vlerave dhe ideve arritjet më të mira të artit, të letërsisë, të kulturës dhe të shkencës shqiptare. Tarifa thotë se Akademia nuk do të ketë një numër të kufizuar anëtarësh dhe ai mund të shkojë në qindra, në bazë të propozimeve që do të bëhen nga seksionet e ndryshme të saj. Në mbledhjen e themelimit të saj, Akademia Shqiptare e Arteve dhe e Shkencave zgjodhi President Nderi të saj shkrimtarin e njohur Ismail Kadare. Po në këtë mbledhje, anëtarët themelues të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave zgjodhën presidencën e parë të saj, të përbërë nga: Ksenofon Krisafi (president), Alajdin Abazi (zv. president), Isuf Kalo (zv. president), Inva Mula (zv.presidente) dhe Fatos Tarifa (sekretar shkencor). Mësohet se Akademia do të funksionojë përmes forumeve shkencore, botimit të revistës së saj dhe prononcimeve sa herë që të lindë nevoja dhe kërkohet mendimi i tyre për çështje nga më të ndryshmet, në shkencë, kulturë etj.
© Panorama.alAnëtarët themelues të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave janë (në rend alfabetik):
Alajdin ABAZI, fizikan (Maqedoni)
Panajot BOGA, mjek
Luljeta BOZO, inxhiniere
Adrian CIVICI, ekonomist
Limoz DIZDARI, kompozitor
Dhimitër DHORA, biolog
Përparim FUGA, fizikan
Romeo GURAKUQI, historian
Gëzim HOXHA, arkeolog
Ermonela JAHO, soprano
Helena KADARE, shkrimtare
Ismail KADARE, shkrimtar
Isuf KALO, mjek
Ksenofon KRISAFI, jurist
Xhevat LLOSHI, gjuhëtar
Piro MILKANI, regjisor
Inva MULA, soprano
Mina NAQO, matematikan
Llukan PUKA, matematikan
Skënder RIZA, historian (Kosovë)
Marenglen SPIRO, fizikan
Sali SHIJAKU, piktor
Fatos TARIFA, sociolog
Thoma THOMAI, skulptor
Pëllumb XHUFI, historian
Aleksandër XHUVANI, inxhinierAnëtarë nderi të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave:
Jean-Philippe ASSAL,
mjek (Zvicër)
Amitai ETZIONI,
sociolog (SHBA)
Lord Anthony GIDDENS,
sociolog (Angli)
Pierre HASSNER, filozof (Francë)
Peter LUCAS, gazetar/shkrimtar (SHBA)
Mateo MANDALA, gjuhëtar (Itali)
Obrad SAVIÇ, filozof (Serbi)











