
Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, ka siguruar se nuk do të ketë kurrfarë statusi special apo autonom për ndonjë pjesë të territorit të Kosovës. Pas takimit me përfaqësuesin special të BE-së për Kosovën, Samuel Zbogar, takim i cili ka zgjatur mbi një orë, ata dolën në një konferencë për mediat. Lidhur me deklarimin e serbëve të pjesës veriore, të cilët kanë thënë se pranojnë pavarësinë e Kosovës në shkëmbim të statusit special për Veriun, Thaçi tha se: “Është mesazh i mirë që edhe serbët në Veri kanë filluar të deklarohen se e pranojnë shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Ne do të jemi afër tyre, që t’u shërbejmë si gjithë qytetarëve në gjithë hapësirën e Kosovës”, tha Thaçi. “Unë e mirëpres njohjen e Kosovës nga të gjithë, por Kosova është një shtet i pavarur dhe natyrisht sovran. Nuk do të ketë trajtim të veçantë special apo autonom për asnjë etni, apo një hapësirë të territorit”, ka deklaruar ai.











