
Ndizen debatet, shqiptarët kundërpërgjigjen për Preshevën e Mitrovicën
Busek: Kosova e Serbia të shkëmbejnë territoret
Kryeministri Hashim Thaçi tha se do të takojë Presidentin serb, Boris Tadiç, vetëm nëse temë e bisedimeve do të ishte njohja e Kosovës. Kundërpërgjigjja e Thaçit ishte shumë e shpejtë, vetëm një ditë pasi Presidenti Tadiç tha se edhe ai është i gatshëm të takohet me Kryeministrin kosovar, me kusht që të mos diskutohet pavarësia e Kosovës. Tadiç tha se në takimin me Thaçin do të diskutonte për planin e tij katërpikësh që parasheh status special për Veriun ose për ndonjë plan tjetër që të rregullohen marrëdhëniet me Kosovën. Por Thaçi theksoi dje se: “Në takimin e mundshëm me Presidentin Tadiç, unë kam vetëm një pikë diskutimi: njohjen reciproke, të tjerat janë çështje që mund të rregullohen me raporte ndërshtetërore, sikurse me të gjitha vendet fqinje”. Kështu, takimi mes tyre u bë edhe më i largët, me deklaratat e vazhdueshme të Presidentit serb, se vendi nuk do ta njohë kurrë Kosovën dhe me deklaratat e vazhdueshme të Thaçit, se Kosova është dhe do të mbetet e pavarur dhe tërësia territoriale e saj është e padiskutueshme.
Deklarata e Busek
Ndërkohë që në qarqet diplomatike mbarëbotërore flitet për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Kosovës dhe mosndryshim të mëtejshëm të kufijve në rajon, një propozim i ish-koordinatorit të Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore, Erhard Busek, mbi shkëmbimin e territoreve mes Kosovës e Serbisë ka irrituar shqiptarët në rajon. Sipas një deklarate të Busek për KTV-në, Prishtina dhe Beogradi duhet të nisin diskutimet për ndryshime territoriale të hartave përkatëse. “Kjo është zgjidhja më e mirë për të siguruar stabilitet afatgjatë. Serbia do të shpërblehej me statusin e vendit kandidat dhe Kosova me njohjen nga pesë vendet e mbetura të Bashkimit Europian”, është shprehur Busek. Ai ka argumentuar më tej se “është e arsyeshme që Presheva, Medvegja dhe Bujanovci, tre qytetet serbe me popullsi dërrmuese shqiptare dhe rrethinat e tyre, të përfshihen në shtetin kosovar. Ndërsa krahinat me popullsi serbe në Veri të Kosovës do të kalonin në shtetin e tyre ‘nënë’”. Për më tepër, Busek parashikoi se bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit mund të vazhdojnë vetëm pas zgjedhjeve në Serbi, pasi atëherë do të krijohen kushte të favorshme për këtë proces.
Reagimi i Aleancës Kuqezi
Aleanca Kuqezi theksoi se ndarja e Kosovës është një ide pa asnjë bazë. “Kufijtë e Kosovës nuk janë dhe nuk mund të jenë një çështje pazaresh. Ne mbështesim projektin amerikan për Kosovën, pasi shkëmbimi i territoreve nuk është garanci për stabilitet. Propozimi i Erhard Busek nuk është aspak konstruktiv për rajonin”.
Jahjaga në Mynih
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka takuar dje ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Guido Westerwelle, me të cilin diskutuan për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zhvillimet në tri komunat veriore të Kosovës dhe situatën e përgjithshme politike në vend. Ministri Westerwelle shprehu përkrahjen e Gjermanisë për Republikën e Kosovës në konsolidimin e mëtejshëm të saj në skenën ndërkombëtare, axhendën e saj europiane dhe vazhdimin e dialogut teknik. Jahjaga në Konferencën e 48-të të Sigurisë në Mynih të Gjermanisë u takua edhe me shumë personalitete të botës, mes të cilave edhe sekretaren amerikane të Shtetit, Hilari Klinton.
Hetimet
Më 8 shkurt, EULEX-i pritet t’i paraqesë Këshillit të Sigurimit të OKB-së rezultatet e hetimit për trafikimin e organeve në Kosovë të ngritura nga Dick Marty. Sipas mediave serbe, zyrtarë të EULEX-it janë shprehur se “Ekipi i posaçëm tani po punon për të siguruar akses në informata nga një sërë institucionesh zyrtare, për t’i studiuar ato, pasi ne kemi kryer edhe hetimet tona”.
Mbyllen shkollat
Instituti Meteorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se temperaturat do të shënojnë rënie të mëtejshme gjatë javës, ku do të arrihet edhe në minus 22 gradë celsius. Ministri i Arsimit, Ramë Buja, ka marrë vendim që këtë javë të mos mbahet mësim në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në tërë territorin e Republikës së Kosovës, për shkak të temperaturave tejet të ulëta dhe bllokimit të rrugëve.











