Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se Presidenti dhe Kryeministri i ri i Serbisë janë fytyra të njohura të dhunës, e megjithatë ai është i gatshëm t’i takojë në pozita të barabarta shtetërore.
Në një intervistë për prestigjiozen gjermane “Die Presse”, Thaçi u shpreh se nuk është i habitur me veprimet e udhëheqjes nacionaliste të Serbisë. Ai e konsideroi një hap prapa zgjedhjen e tyre. “Deri tani emrat e tyre janë të lidhur me gjëra shumë të këqija. Edhe pse Nikoliçi dhe Daçiçi janë zgjedhje e popullit serb, të dy duhet të dëshmojnë se janë për standarde europiane. Këshilla ime për ta është e thjeshtë: Të dy nuk duhet të flasin për Vukovarin e Srebrenicën dhe për gjëra të tjera të së kaluarës. Në vend të kësaj, ne duhet të mendojmë për të ardhmen”, the Thaçi. Ai theksoi se e ardhmja mes dy vendeve duhet të karakterizohet nga bashkëpunimi dhe në këtë kuptim “një takim do të ishte i mundur, pavarësisht me presidentin apo kryeministrin. Por, gjithmonë ky duhet të jetë një takim midis përfaqësuesve të dy shteteve sovrane”. Thaçi tha se, megjithëse Serbia ende nuk e ka njohur pavarësinë, duhet ta bëjë ketë. “Edhe Nikoliç, edhe Daçiç e kuptojnë realitetin në Kosovë, por ende nuk janë të gatshëm ta njohin atë”, sqaroi ai. I pyetur nëse liderët e rinj serbë kanë më pak gatishmëri për njohje nga qeveria e mëparshme pro-europiane në Beograd, Thaçi tha se “Nikoliç dhe Daçiç kanë qenë pjesë e qeverisë në vitet ’90, kur Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Të dy, për njerëzit në Kosovë janë fytyra të njohura të dhunës. Sidoqoftë, të gjithë ne duhet të punojmë për një të ardhme më të mirë për të dy vendet. Nëse Brukseli dhe Uashingtoni bashkëpunojnë me ata, do të bashkëpunojmë dhe ne”, tha ai. Thaçi shtoi se, edhe nëse KFOR qëndron në Kosovë, kjo nuk e pengon pavarësinë e plotë. Sa për thirrjet e disa deputetëve në Kuvendin e Kosovës për bashkim me Shqipërinë, Thaçi tha se “Kosova është shtet i pavarur. Qëllimi im është që ta integroj në NATO dhe BE. Pastaj do të jetojmë së bashku me kufij të hapur brenda BE-së”.
Veriu
I pyetur nëse problemi në Veri të Kosovës është politik apo zgjidhja pengohet nga interesat e fortë të krimit të organizuar, Thaçi pohoi se krimi i organizuar në atë zonë është rritur dhe po frikëson edhe banorët serbë. Thaçi tha se ministri i Brendshëm serb nuk do të duhet të cenonte edhe më tej sovranitetin e Kosovës.
© Panorama.alSllobo i vogël
Kryeministri i Kosovës ka këshilluar homologun e tij serb që ta harrojë Kosovën. “Daçiç duhet të tregojë se respekton normat dhe standardet ndërkombëtare. Të shumtën, ai ka imituar Millosheviçin me veprimet e tij. Aktron kur shfaqet si politikan properëndimor, por vepron si një Sllobo i vogël. Millosheviçi e ka marrë përgjigjen në Kosovë bashkë me Daçiçin, sepse edhe ky i fundit ka qenë pjesë e tij”, tha Thaçi.











