Ndërsa mediat vazhdojnë të shkruajnë se përfaqësues të ndryshëm ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë po insistojnë mbi gjetjen e një formule të ndarjes së pushteteve mes PDK-së dhe AAK-së, Kryeministri Thaçi e ka hedhur poshtë këtë opsion. Sipas mediave në Kosovë, formula ku AAK duhet të përfshihet në pushtet duhej gjetur përpara se Gjykata e Hagës ta japë verdiktin përfundimtar rreth rastit Haradinaj, i cili është lider i AAK-së. Sipas “Koha Ditore”, “skenari i ri” që po analizohet këto ditë parashikon që Hashim Thaçi të vazhdojë të udhëheqë qeverinë, një nga zyrtarët e lartë të AAK-së ta drejtojë Kuvendin, ndërsa Atifete Jahjaga të japë dorëheqjen nga posti i Presidentes duke ia lënë vendin Jakup Krasniqit. Por, Thaçi deklaroi se “Nuk do të ketë as koalicion të ri dhe as zgjedhje të parakohshme para afatit kushtetues. Ne do të vazhdojmë me përgjegjësitë tona më të larta të punojmë, por jemi të përkushtuar që të punojmë dhe gjejmë hapësirë edhe për mekanizmat e tjerë që të japin kontributin e tyre qytetar, kushtetues e ligjor për të vazhduar me reformat zgjedhore”. Kjo ishte përgjigja e Kryeministrit të Kosovës për ato që i quajti spekulime mediatike, mbi mundësinë e një koalicioni të ri me partinë e Ramush Haradinajt. Thaçi theksoi se ka vend dhe hapësirë për punë të përbashkët të pozitës dhe opozitës në segmente të caktuara shtetërore. “Unë gjithmonë opozitën e kam parë si një vlerë të shoqërisë demokratike. Besoj se opozita do të vazhdojë të luajë rolin e vet aktiv dhe konstruktiv, siç e ka pasur deri më tani. Tek e fundit përmbyllja e mbikëqyrjes është meritë dhe kontribut i të gjithëve”, theksoi ai. Sa i përket Presidentes, ai ka thënë se do të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtuese, duke mbështetur qëndrimin e Atifete Jahjagës në këtë post. Gjithashtu ai shtoi se do të respektohet edhe marrëveshja për reformën zgjedhore.
Kuçi
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka komentuar deklaratat e pushtetarëve serbë në Beograd se “Kosova rrezikon gjenocidin e serbëve në Veri”. “Mendoj se të gjithë jemi dëshmitarë se deklarata të tilla kanë sjellë shumë dhunë deri në shkallë të gjenocidit edhe popullit të Kosovës, por edhe rajonit, që është prodhuar nga qarqet e njëjta, prej njerëzve të njëjtë në politikën e Beogradit… Ato deklarata nuk paraqesim më rrezik për Kosovën. Sido që të jetë, Kosova do të jetë e matshme në reagimin e saj, nuk do të bëjmë inercion negativ, por nëse dikush prodhon kriza, ne do t’i përgjigjemi”, tha ai.











