Kuvendi i Kosovës zhvilloi dje seancën e parë plenare të sesionit vjeshtor. Fokusi i fjalimit të Kryeministrit Hashim Thaçi ka qenë situata në Veri dhe masat që ka marrë qeveria për reciprocitetin me Serbinë e ndërhyrjen e Policisë së Kosovës në Veri të vendit. Thaçi, gjatë fjalimit të tij para deputetëve, theksoi se pas datës 25 korrik situata në Veri të vendit ka ndryshuar dhe është hapur një kapitull i ri për vendosjen e rendit dhe ligjit në atë pjesë të vendit. Ai ka komentuar vendimet e qeverisë, marrë më 20 korrik, për fillimin e aplikimit të masave të reciprocitetit dhe operacionit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës më 25 korrik. Thaçi ka shtuar se, më 27 korrik, një grup i organizuar kriminal, i udhëhequr nga lidera të strukturave kriminale serbe dhe të orientuar nga Beogradi, kanë sulmuar pikën 1 e më pas atë 31 të doganave të Kosovës, ku ishte vendosur policia kosovare. Ai akuzoi Serbinë se qëndron pas djegies së pikës numër një të doganave dhe se vazhdon të aplikojë një politikë të shekullit të kaluar. Edhe një herë, Kryeministri kosovar e bëri të qartë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, as de facto dhe as de jure. Ai kujtoi se autoritetet kosovare e kanë informuar rregullisht EULEX-in mbi gjendjen në Veri prej 3 vitesh e gjysmë. Ndërsa faktorët ndërkombëtarë kanë qenë të informuar prej 12 vitesh për gjendjen e patolerueshme në Veri. “EULEX ka hezituar të jetë mbështetës i vendimit të institucioneve të Republikës së Kosovës për vënien e rendit dhe ligjit. Por, pas vendimit dhe veprimit të qeverisë së Republikës së Kosovës, EULEX është deklaruar se dëshiron dhe është i gatshëm të punojë në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke e dëshmuar bashkëpunimin në veprime të përbashkëta të institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it”, tha Thaçi. Sa për marrëveshjen me KFOR-in, Thaçi tha se ajo i shërben normalizimit të gjendjes atje dhe zhbllokimit të rrugëve. Sipas kryeministrit të Kosovës, marrëveshja nuk është zbatuar plotësisht pasi në rrugët e Kosovës ka ende barrikada. Mesazhi më i fortë i Thaçit ishte se nuk do të ketë kthim në gjendjen e para 25 korrikut.











