Thaçi: Me Berishën, marrëdhënie të shkëlqyera

Jul 14, 2011 | 11:52

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk është i shqetësuar nga publikimi i raportit të “Wikileaksit”, i cili para pak ditësh zbuloi faktin se ai u kishte thënë diplomatëve amerikanë që “i frikësohet ndikimit të Sali Berishës në Kosovë”.

Thaçi thotë se raportet me homologun nga Tirana si ato personale, ashtu edhe institucionale i ka të shkëlqyera.

Në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, shefi i qeverisë nuk shqetësohet se “Wikileaks” mund të zbulojë kabllo të tjera diplomatike, të cilat e implikojnë atë në lidhjet e kontratave për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdar, apo në dhënien me koncesion të Aeroportit të Prishtinës.

Thaçi thotë se kontrata e autostradës nuk është vendosur mbi kritere politike, por mbi kritere ekonomike dhe se shefi i ICO-s, Pieter Feith, do të duhej pyetur pse nuk e ka parë asnjëherë këtë kontratë.

I pari i ekzekutivit mohon që më 2 korrik të jetë arritur ndonjë marrëveshje mes palës vendëse dhe asaj serbe. Megjithatë, ai e pranon se palët kanë marrë zotimet për t’i respektuar pikat e atyre konkluzioneve.

© Panorama.al

Te lidhura