Kryeministri Hashim Thaçi ka takuar dje zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, Philip Reeker, ku janë shkëmbyer ide për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon.“Kam prezantuar qëndrimet e qeverisë së Republikës së Kosovës për Veriun e Kosovës, për raportet e shkëlqyeshme të bashkëpunimit mes qeverisë së Republikës së Kosovës dhe KFOR-it dhe raportet me EULEX-in”, tha Thaçi. Në takim është konkluduar se institucionet e Republikës së Kosovës, bazuar edhe në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dokumentin e presidentit Ahtisari, por edhe respektimin e integritetit territorial të Kosovës, kanë marrë vendim të drejtë, legjitim dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, si një angazhim për vendosjen e sundimit të ligjit. “Ishte konkludim i përbashkët se nuk ka statuskuo dhe kthim në gjendjen e para 25 korrikut”, ka thënë Thaçi. Kryeministri i Kosovës shtoi se nuk do të ketë tolerim ndaj të keqes, do të kemi zero tolerancë ndaj strukturave kriminale edhe në Veri të Mitrovicës. “Ne do të vazhdojmë me axhendën tonë për krijimin e kushteve më të mira për të gjithë qytetarët në Republikën e Kosovës edhe në kuadër të kësaj si qeveri e Republikës së Kosovës e njëherazi falënderojmë e shprehim mbështetjen më të madhe për KFOR-in dhe ne duam një EULEX të suksesshëm, sepse ata janë të ftuar prej organeve legale dhe legjitime të Republikës së Kosovës. Suksesi i EULEX-it nuk varet vetëm nga deklaratat tona, por bashkëpunimi në gjithë territorin e Kosovës dhe do të punojmë me gjithë mekanizmat qeveritarë që edhe EULEX të shtrijë autoritetin në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, është shprehur kryeministri kosovar. “Çështja e dialogut është çështje për krijimin e kushteve normale, demokratike të bashkëpunimit mes dy vendeve, ndërsa rregullimin e brendshëm në Republikën e Kosovës e vendosim ne”, theksoi Thaçi.
Demarkacioni
Komandanti i KFOR-it, Erhart Buhler, tha se marrëveshja e arritur në mes të KFOR-it, palës serbe dhe institucioneve të Kosovës, megjithëse nuk është zbatuar në tërësi, është e vlefshme deri në rifillimin e negociatave të Serbisë dhe Kosovës. Ai tha se në Rudare ende ka bllokadë rrugësh dhe për qarkullimin e trupave po përdorin rrugë alternative. Takimi me forcat serbe për këtë çështje do të bëhet me 31 gusht, sipas RTK.











