Thaçi mbështet mandatin e plotë të Jahjagës

Jul 7, 2012 | 10:33

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi mbështet vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me mandatin e plotë të Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Në një deklaratë të Kryeministrit Thaçi, thuhet se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me mandatin e Presidentes së Kosovës, Adifete Jahjaga është vendim i një organi të lartë dhe të pavarur, “të cilin e mbështes dhe respektoj plotësisht si kryeministër i Qeverisës së Republikës së Kosovës”.

“Po ashtu, si kryeministër i Republikës së Kosovës, shpreh vlerësimin e lartë për institucionet dhe klasën politike të Kosovës, që kanë etabluar një traditë të mirë të respektimit të plotë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, citohet të ketë thënë Thaçi.

Respektimi i vendimeve të gjykatës, sipas tij, “nuk duhet të jetë vetëm rezultat i vullnetit por edhe shprehje e pjekurisë dhe domosdoshmërisë së respektimit të institucioneve të pavarura”.

“Prandaj, si lider politik dhe institucional, i respektoj vendimet e gjykatës dhe apeloj që paralelisht të punojmë në reformat kushtetuese dhe zgjedhore. Ne kemi shumë punë para nesh lidhur me reformat e mëdha na presin drejt rrugës së integrimeve euroatlantike. Në momente si ky, për kundër pakënaqësive që mund të shkaktohen në kontekstin e ngushtë partiak apo personal, ne e kemi për detyrë t’i tejkalojmë interesat individuale dhe të punojmë për të mirën tonë të përbashkët”, është shprehur Thaçi, duke thënë se “unë kam besim në pjekurinë tonë politike”

© Panorama.al

Te lidhura