Thaçi: EULEX-i s’do jetë pjesë e Kushtetutës

Jul 19, 2012 | 13:56

PRISHTINE- Kryeministri i Republikës së Kosovës HashimThaçi ka thënë se misioni i BE-së për sundim të ligjit, EULEX nuk do të jetë pjesë e Kushtetutës së Kosovës.

Këto komente ai i bëri në mbledhjen e qeverisë, ku foli edhe për përmbylljen e procesit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.

“Një gjë është e qartë se nuk do të ketë përfshirje të EULEX-it në Kushtetutën e Kosovës, por në fund vendimi përfundimtar do të merret nga Parlamenti i Kosovës sa i përket rolit dhe misionit të EULEX-it”, tha kryeministri Thaçi.

Sipas tij, aktualisht janë duke shkëmbyer letra me zyrtarë të Brukselit në lidhje me rregullimin e prezencës së EULEX-it në Kosovë.

Thaçi tha se Kosova ka hyrë në fazën finale të kryerjes se të gjitha detyrave dhe obligimeve që ka për përmbylljen e procesit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.

“Ditët e përmbylljes së këtij procesi po afrohen. Ne si qeveri i kemi kryer detyrimet, besoj që edhe Kuvendi i Kosovës, pas pushimit do t’i kryejë obligimet kushtetuese para 1 shtatorit”, theksoi kryeministri Thaçi.

© Panorama.al

Te lidhura