
Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, diplomatët mbarëbotërorë kanë dëgjuar Kryeministrin e Kosovës dhe atë të Serbisë mbi këndvështrimet e tyre të skajshme, në prag të një propozimi për nisjen e një dialogu politik. Ndërsa Kryeministri serb Ivica Daçiç ka kërkuar mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, të cilën ai ende e cilëson një akt të njëanshëm. Thaçi ka theksuar se shtetësia nuk është në diskutim dhe se kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë. “Statusi i Kosovës është zgjidhur njëherë e përgjithmonë më 17 shkurt të 2008-s”, tha në fjalimin e tij para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kryeministri Thaçi. “Dua të theksoj dhe të jem i qartë se ne jemi të përkushtuar për dialog, por në asnjë moment dhe asnjë rrethanë nuk diskutojmë shtetësinë e Kosovës”, theksoi ai. Kryeministri i Kosovës ka kujtuar se Serbia vazhdon të pengojë zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, dhe njëkohësisht ka theksuar nevojën e tërheqjes së forcave paralele serbe të sigurisë dhe strukturave të tjera nga pjesa veriore e Kosovës. “Jam i nderuar t’ju informoj për procesin e fundit për t’i dhënë fund mbikëqyrjes së pavarësisë. Miratimi dhe zbatimi i Kushtetutës, decentralizimi i komunave, krijimi i 6 komunave me përbërje serbe dhe zgjedhja e deputetëve serbë janë shembuj të transformimit dhe demokratizmit të vendit. E gjithë korniza ligjore garanton të drejta të barabarta për grupet etnike në Kosovë”, tha Thaçi. Fjalimi i Thaçit u mbajt pas atij të homologut serb, Daçiç, i cili ka kërkuar publikisht të mos njihet pavarësia e Kosovës, duke akuzuar se popullata serbe në jug e veri të Kosovës diskriminohet e vritet. Daçiç ka kërkuar një zgjidhje politike dhe gjithëpërfshirëse për çështjen e Kosovës. “Dialogu duhet të vazhdojë, por kjo nuk varet nga ne, çështjet e mbetura të pazgjedhura nuk duhet të anashkalohen. Beogradi nuk mund të qëndrojë duke dhënë dhe Prishtina duke marrë. Duhet zgjidhje gjithëpërfshirëse për të gjitha palët, për sa i përket statusit të Kosovës”, tha ai. Daçiç përmendi më tej çështjen e trafikut të organeve, duke akuzuar UÇK-në se ka kryer trafik organesh në territorin e Kosovës, në dëm të popullatës serbe.
Analisti amerikan
Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Server, tha se “Nuk ka dyshim se të 28 vendet e Bashkimit Europian, duke llogaritur edhe anëtarësimin e Kroacisë, do të kërkojnë nga Serbia qartësi të plotë sa u përket kufijve të saj sovranë”. Në një artikull në sajtin “Peacefare”, Server shkruan se “Duket se Gjermania tanimë po insiston që kjo të bëhet para se BE-ja të hapë bisedimet për anëtarësim me Serbinë”. Sipas tij, Bashkimi Europian pranon në mesin e vet vetëm shtete sovrane. “Edhe Serbia mund të pranohet, por pa Kosovën”, paralajmëroi Server.
© Panorama.alDiKarlo
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rozmari DiKarlo, ka mbështetur fuqishëm progresin në Kosovë, duke thënë që strukturat serbe në Veri nuk kanë kurrfarë leje në Kosovë, dhe se ato është dashur të hiqen shumë herët, bazuar në Rezolutën 1244. DiKarlo theksoi se SHBA-të mbështesin dialogun që do të jetë në të mirë të integrimit europian për të dyja vendet. Ajo përshëndeti përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur, duke thënë se më këtë dëshmohet për aftësinë e Kosovës për të ndërtuar një shtet demokratik. Shuarja e strukturave paralele u kërkua dhe nga përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë.











