Teuta e mbyll me turp aventurën në Ligën e Europës, duke pësuar një humbje të thellë në ndeshjen e kthimit. Durrsakët nuk kanë mundur ta evitojnë goleadën në Gjeorgji kundër vendësve të Metalurgut, pasi janë mposhtur me rezultatin e thellë 6-1. Ekipi i trajnerit Hasan Lika është eliminuar që në raundin e parë të Ligës së Europës me rezultatin e përgjithshëm 9-1. Në këtë mënyrë, nënkampionët e Shqipërisë kanë marrë një “shuplakë” të rëndë. Por, ajo që të binte më shumë në sy ishte fakti se edhe pse u mundën me rezultat tenistik, lojtarët e Teutës nuk u ndëshkuan me asnjë karton të verdhë, çka tregon për një lojë jo vetëm të dobët, por edhe pa pikë nervi. Goli i parë erdhi pas vetëm 14 minutash lojë me autor Tekturmanidze. Ky i fundit përsëriti vetveten vetëm pesë minuta më pas, duke dyfishuar. Avantazhi i dy golave bëri që gjeorgjianët të luajnë më lirshëm, me pasime të shpeshta dhe të tregohen të duruar në tentativat për të gjetur hapësira në mbrojtjen durrsake. Në fakt, edhe pse Teuta kishte të paktën tetë lojtarë që mbanin vetëm detyra defensive, Metalurg Rustavi arrinte ta rrezikonte portën edhe në aksione me vetëm dy a tre sulmues. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 3-0, pas golit të Tatanashvilit. Në 45 minutat e dyta, në stadiumin e Tbilisit, i cili nuk kishte më shumë se 500 tifozë, u pa një lojë e hapur, që lexohej qartë se premtonte gola, të cilët realisht nuk munguan. Deliallisi për Teutën ndëshkoi Metalurgun me një gol në minutën e 65-të, por portieri Rizvani nga ana tjetër u detyrua ta nxjerrë topin nga porta e tij edhe tri herë të tjera. Me një mbrojtje tepër të dobët të Teutës, sulmuesit kundërshtarë e kishin shumë të thjeshtë që me dy a tri pasime me një takim, të gjendeshin përballë portës.
Skeda
M.Rustavi-Teuta 6-1 (3-0)
Shënues: Tekturmanidze 14’, 19’, Tatanashvili 37’, 69’, Getsadze 59’, Mikaberidze 73 / Deliallisi 65’
Kartonë të verdhë: Razmadze
Arbitër: Vladimir Vnuk (Sllovaki)
Metalurg Rustavi: Bediashvili, Japaridze, Makhviladze, Kvaratskhela (Gavashelishvili 46’), Maisuradze, Tekturmanidze, Getsadze, Mikaberidze, Razmadze (Kavtaradze 46’), Sukhiashvili (Dobrolovski 54’), Tatanashvili. Trajner: Koba Zhorzhikashvili
Teuta: Rizvani, Sheta, Da Silva, R.Hoxha, Osmani, Jakupi, Veliaj (A.Hoxha 38’), Deliallisi, Dosti (Devolli 57’), Mancaku, Nika (Pajaziti 46’). Trajner: Hasan Lika
Bastet
Metalurg Rustavi ishte parashikuar që të fitonte pa shumë vështirësi ndaj Teutës në ndeshjen e kthimit, pasi fitorja ishte kuotuar nga kompanitë e basteve me koeficientin 1.2. Ndërkohë, pritej gjithashtu edhe një goleadë. Që shënoheshin të paktën tre gola koeficienti ishte 1.35, ndërsa që shënoheshin shtatë gola (ashtu siç ndodhi) koeficienti ishte 12, por gjithnjë me tendencë në rënie.











