Ka filluar lidhjen me Dardanin para 6 viteve dhe ka vendosur që lidhjen e dashurisë ta kurorëzojë me martesë. Këngëtarja Teuta Kurti ka vendosur t’i japë fund beqarisë dhe të martohet me Dardan Lutën në fillim të muajit shtator. Datën e saktë nuk dëshiron ta bëjë publike, ndërkohë që ndan me lexuesit e “Panorama plus” disa detaje nga ceremonia e martesës së saj, e cila do të organizohet nga familja e saj dhe e Dardanit në një rreth të ngushtë familjar dhe mes miqve më të besuar. Ajo më tej pranon se dëshiron martesa të thjeshta dhe pa shumë harxhime. Tregon se ku do të jetojë pas martesës, si dhe disa detaje të rëndësishme nga karriera e saj.
Kur do të organizohet ceremonia e martesës?
Ceremonia do të organizohet në fillim të shtatorit, datën nuk mund ta them.
Sa të ftuar keni vendosur të keni?
Do të ketë familjarë të afërt dhe shoqëria e ngushtë.
Cilët merren me organizimin e gjithë ceremonisë?
Familja ime dhe e Dardanit.
A e keni përgatitur pajën?
Po, e kam përgatitur, të them të drejtën nuk e di sa, mirëpo e kam përgatiturtaman me teshat që vërtet më duhen e sende, jo veç për të mbushur vend.
Po për look-un dhe fustanin, kush do të përkujdeset?
Për fustanat dhe velin është kujdesur një mike imja Bardha, ndërsa dizajnet unë.
Mendon të harxhosh shumë para?
Jo, unë jam anti dasmave luksoze, më pëlqejnë shumë të thjeshta e me pak të ftuar, siç do jetë edhe dasma ime.
Cili do të argëtojë të pranishmit natën e dasmës?
Ende nuk e di se kam shumë shoqëri dhe ka shumë të interesuar, nuk e di cili, pasi mund të më mërziten shumica.
Kë keni ftuar nga estrada dhe a mendoni që do të këndojnë dhe ata?
Po, ka këngëtarë të shumtë, tani nuk i përmend me emra, por do jenë të ftuar gjithë ata që vërtet kam miqësi dhe sigurisht që do këndojnë.
Çfarë dhuratash prisni nga shoqëria, pasi Miloti i Etno Engjujve kishte pasur vetëm të holla si dhurata?
Tani po jepen para për dhuratë dhe është diçka për të cilën kemi vërtet nevojë, mirëpo çdo dhuratë ka vlerën e vet, andaj…
Ku keni vendosur të udhëtoni për muaj të mjaltit?
Ende s’e di, kam shumë punë pas martesës. Andaj mund të shkojmë dimrit diku në mal.
Ku do të jetoni pas martesës dhe a do të pengojë martesa aktivitetet tuaja muzikore?
Do jetoj në Prishtinë në banesën time me Dardanin dhe sigurisht që nuk do më pengojë, pasi unë me të jemi bashkë prej vitesh, kështu që i kemi kaluar shumë gjëra…
Çfarë presim prej Teutës pas mbarimit të këtyre ceremonive?
Këngë, klipe, punësim, vazhdim të studimeve… Pas martesës, menjëherë kam koncertin e diplomës së magjistraturës, ku përfundoj masterin dhe do ketë vetëm punë punë punë, sepse jam pedagoge e pianos dhe këndimit dhe sigurisht, e angazhuar me mbrëmje të ndryshme.
BLERAND REXHEPI
© Panorama.al











