
INTERVISTA/ Flet Teuta, nusja e Enver Hoxhës
“Nuk akuzojmë askënd, kërkojmë trashëgiminë që i përket familjes sonë”
Pas deklaratës për shtyp të Nexhmije Hoxhës, botuar ditën e djeshme, thuajse në të gjitha gazetat nusja e saj, Teuta Hoxha, (gruaja e djalit të madh të Enver Hoxhës, Ilirit, me të cilin Nexhmije Hoxha bashkëjeton) që ka qenë dhe vazhdon të jetë zëri përfaqësues i Nexhmijes kur është rasti për replika, ka pasur edhe ditën e djeshme një të tillë.
Ne e telefonuam sapo na erdhi deklarata në dorë, por ajo nuk donte të shtonte asgjë më tepër nga fjalët e së vjehrrës, vetëm në mos ditën kur do të dilte kjo deklaratë do të hapej ndonjë polemikë. Telefonuam gjithashtu drejtoreshën e Arkivit të Shtetit, Nevila Nika, e cila kishte një version të sajin lidhur me këtë ngjarje, e cila u botua dje në gazetën “Panorama”. Sipas saj, e gjithë kjo mund të ishte një zhurmë e pashpjegueshme, sepse vetë Nexhmija mund t’i ketë në materialet që pretendon se i kanë humbur. Pas kësaj deklarate, të cilën Teuta Hoxha, duke përfaqësuar kështu të gjithë familjen, e konsideroi akuzë, vendosi të reagojë.
Znj. Teuta, drejtoresha e Arkivit të Shtetit aludon se dorëshkrimet të cilat Nexhmije Hoxha është duke kërkuar, mund t’i ketë edhe vetë?
Atëherë pse mendoni ju se do ta bënim ne një gjë të tillë. Çfarë përfitimi mendoni se do të kishim?! Sa mirë do të ishte që t’i kishim, sepse ajo do të ishte trashëgimi për familjen, për djemtë e Enverit të cilët mund të vendosnin apo jo më vonë t’i botonin apo t’i shfrytëzonin si ta mendonin të arsyeshme. Nuk kuptoj se pse duhet të ngrinim këtë pretendim. Madje, duhet të shihni edhe anën tjetër të medaljes, duke i kërkuar ne kaq bujshëm, mund të ishim përballë rrezikut për t’i humbur, sepse do duheshin dorëzuar. Edhe nëse përfitimi do të ishte në vlera monetare, aq më mirë për ne. Në çdo rast do ta kishim mbyllur gojën. Pra siç duket, në asnjë rast nuk ka kurrfarë logjike që ato dorëshkrime a kaseta qofshin të gjenden në duart tona.
Sa kohë keni ju që jeni në dijeni për mungesën e këtyre dorëshkrimeve, ditarit personal pra?
Që gjithmonë. Nexhmije Hoxha që kur ka dalë nga burgu e deri më sot është marrë me këtë çështje. U ka shkruar letra e u ka bërë kërkesa të vazhdueshme institucioneve përkatëse për t’i pasur. Pra, e ka ndjekur gjithnjë dhe ka qenë gjithnjë e interesuar për fatin e shënimeve personale të Enver Hoxhës.
Drejtoresha e Arkivit na tregoi dokumentin se ju kishit qenë në Arkivin e Shtetit në muajin dhjetor. Atëherë e keni zbuluar mungesën e tyre? Pra, pse u bë pikërisht tani kaq i zhurmshëm ky shqetësim kur paska ekzistuar prej 20 vitesh?
U kthye në një shqetësim të madh pikërisht pas botimit të librit “Enver Hoxha” të Blendi Fevziut. Ai ka deklaruar se për realizimin e librit kishte përdorur dokumentet personale. Kjo gjë ishte e theksuar edhe dje në deklaratën e djeshme se dokumentet që përmbajnë të dhëna me karakter vetjak dhe cenojnë jetën intime të personit shërbehen vetëm pasi kanë kaluar, sipas rastit, 50 deri në 150 vjet nga data e krijimit të tyre. Ky nen është në përputhje me parimin bazë të njohur në gjithë ligjet e shteteve të përparuara mbi arkivat. Sidoqoftë, ka qenë pas kësaj deklarate që unë kam shkuar në Arkivin e Shtetit për të kërkuar pjesë të këtyre dorëshkrimeve. Aty u ndesha me këtë lajm, pra që ditarët nuk janë.
Znj.Nika, pyetur nga “Panorama”, ka thënë se ka biseduar me ju, se ka kthyer përmbys gjithë fondin e Enver Hoxhës për të gjetur materialet që ju kërkoni. Ju jeni në dijeni të këtyre fakteve?
Po, me Nevilën kemi biseduar dhe më ka shpjeguar gjithçka. Dua që të jetë mbi të gjitha e qartë në këtë intervistë, se nëpërmjet deklaratës së djeshme ne nuk duam të akuzojmë askënd në mënyrë të drejtpërdrejtë. E përderisa unë nuk i vë gishtin as Nevilës e as Blendit, ajo nuk ka pse të shprehet si në intervistën e djeshme duke thënë që “Nexhmija mund t’i ketë vetë ato materiale”. Kur unë nuk të akuzoj, atëherë mos më akuzo.
E dhëna tjetër që morëm pas intervistës me Znj. Nika ishte se nuk gjendet në Arkiv as procesverbali i dorëzimit të këtyre ditarëve…
Ju përsëris sërish që ne nuk po akuzojmë as drejtoreshën aktuale e as atë paraardhës. Ne jemi të prekur për dëmin që i është shkaktuar familjes sonë. Ne zotërojmë dokumentin që dëshmon se këto dorëshkrime kanë qenë në listën e Arkivit të Komitetit Qendror. Pra, ky dokument i ekzistencës së ditarëve është.
Pra Prokuroria, ku ju thoni se do ta çoni këtë çështje, do ta nisi investigimin që prej këtij momenti?
Po. Do të merret ajo me këtë çështje që i ka fillesat që në vitin 1991. Se ku dhe në ç’fazë kanë humbur këto dorëshkrime, se kush i ka marrë, është puna e saj për t’i gjetur. Ne nuk e dimë, e pikërisht për të mos i vënë gishtin askujt i drejtohemi organit kompetent.
Pra, kjo çështje do të vazhdojë gjatë?
Ne kërkojmë dhe pretendojmë që të gjenden, sepse prandaj i hymë kësaj pune, por edhe në rast të kundërt, nuk do të jetë fundi i botës. Prandaj, po e përsëris, askush nuk duhet ta marrë deklaratën e Nexhmije Hoxhës si akuzë personale.
Nika: Ja çfarë kemi nga Enver Hoxha
Drejtoresha e Arkivit: Një pjesë e kujtimeve mendohet se kanë humbur

Më të dalë në faqet e shtypit deklarata e Nexhmije Hoxhës për zhdukjen e dorëshkrimeve origjinale, ditarëve personal të të shoqit, Enver Hoxha, holli i Arkivit të Shtetit ishte dyndur nga gazetarë. Minutat e pritjes shërbyen vetëm që drejtoresha e këtij institucioni të mblidhte thuajse gjithë fondin nga arkiva e Enver Hoxhës, për t’iu demonstruar gazetarëve që në to nuk gjendej asnjë pjesë nga ditari personal i Enver Hoxhës. Prezantimi i këtyre dokumenteve niste me “Skemën e sistemit të fondit me origjinë personale të shokut Enver Hoxha”, skemë kjo në bazë të së cilës, studiuesit apo vetë familjarët orientoheshin për të gjetur a marrë atë çka u duhej. Pasqyra numerike e gjendjes së materialeve dokumentare të Enver Hoxhës niste që nga viti 1934 e në vazhdim. Pyetur konkretisht për problemin që ngre Nexhmije Hoxha, drejtoresha e Arkivit, Nevila Nika, përgjigjen e kishte të prerë. “Këtu te ne, sikundër mund ta shihni edhe vetë nga këto dosje që ju kam sjellë, nuk gjendet asgjë. Shkrime origjinale të shkruara nga dora e Enver Hoxhës kemi, por jo që të jenë pjesë e ditarit personal. Janë letra drejtuar funksionarëve të lartë të shtetit. Ka edhe dosje me materiale personale, të fotokopjuara që përmbajnë libreza kursimesh, konspekte, konferenca shtypi, shënime udhëtimi, copa gazetash mbi të cilat ka shënime etj”. Nika, është e vendosur kur thotë se bashkë me stafin e Arkivit, kanë kthyer përmbys gjithçka, që kur kanë marrë në zotërim arkivin e Enver Hoxhës. “Te ne edhe një copë letër është me vlerë, nuk mund të humbasë asgjë, kështu që nuk ka se si të kenë humbur dokumente kaq të rëndësishme. Këtu ruhen letrat e miqve e të armiqve, sepse ne nuk jemi institucion i politizuar. Nëse ndonjëri prej punonjësve guxon të përfshihet politikisht, pushohet nga puna, unë e para. Kështu që të flitet për zhdukje, duhet të ketë dikush interesa të jashtëzakonshme”, vijon Nika. Pjesa më e madhe e dosjeve që Nika ka hapur në tavolinë (secila prej tyre, qoftë edhe letrat, të ardhura enkas nga jashtë shtetit) përmbajnë vetëm dokumente të daktilografuara, ose fotokopje të dokumenteve origjinale. Në rastin e letrave të shtypura, në fund të tyre thuhet “marrë nga kaseta”. Kaseta që në fakt Arkivi i Shtetit nuk ka dhe nuk ka pasur asnjëherë.
“Unë, qoftë edhe vetëm nga kurioziteti im personal, kam kërkuar që të shoh në filmim të qartë apo të dëgjoj zërin e plotë e të saktë, por nuk ia kam arritur kurrë. Ishte një makinë e tërë që punonte për këtë punë, nuk di t’ju them se sa mund të ishte numri i njerëzve, kështu që ndërhyrje mund të ketë pasur nga kushdo. Ju e shikoni që edhe mbi dokumentet ku në fund shënohet “është marrë nga kasetat” ka rishikime e shënime. Këto i bënte dikush fare afër kësaj pune e sidomos kishte interes të veçantë që gjithçka që dilte të ishte siç duhej”. Sa i përket rrezikut të humbjes së këtyre materialeve nga Skrapari ku kanë qenë, Nika nuk shpreh siguri. Ato kanë qenë fondet e vetme që janë sjellë nga Sigurimi i Shtetit e megjithatë një pjesë e tyre, sipas saj, mendohet se kanë humbur. “Në vitin ’90 u kërkua që Instituti i Botimeve Marksisto-Leniniste të mbyllej, por pas një mbledhjeje të Ramizit me Nexhmijen u vendos që studimet të vijonin sërish. Kështu që pasi u soll Arkivi nga Skrapari, shkoi sërish e u kthye, por nga mjete të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në fund të viteve 2000, kur i gjithë dorëzimi ishte parë për të ditur ç ’kishim, ishte i hapur për studiuesit, përveç letrave me karakter intim. Vetëm zbardhja e Arkivit të Partisë nga shiritat kishte devijime. Për të mos thënë që fondi ka ardhur i përpunuar deri në detaje. I ishte bërë shërbimi maksimal dhe të gjitha këto vinin nga jashtë”. Asgjë nuk ishte e prekur nga ato dosje ekzistente qysh përpara viteve ’90. As edhe plastifikimi i disa letrave, që ndër të tjera kishte zbehur edhe bojën e letrës. Të vetmet që nuk dukeshin gjëkundi, ishin blloqet e lëkurës, ato që Enver Hoxha, të sjella enkas për të nga jashtë shtetit, përdorte për të hedhur shënime personale. Secili prej atyre blloqeve mbante të gdhendur vitin kur ishin hedhur ato shënime. Por, ato materiale nuk janë inventarizuar asnjëherë. Të gjithë punonjësit e Arkivit të Shtetit pohojnë se ato lloj blloqesh, pamjen e të cilëve Teuta Hoxha ia ka përshkruar vetë drejtoreshës së Arkivit, nuk gjenden.
© Panorama.alReagimi i drejtoreshës
Drejtoresha e Arkivit të Shtetit ka hapur të gjitha dosjet që përmbante arkivi i ish-diktatorit, duke nisur me skemën e sistemit të fondit me origjinë personale të Enver Hoxhës. Në bazë të tij, merrje orientimet e asaj çfarë kërkoje, orientime këto që të çonin gjithkund, përveç se në blloqet personale të pretenduara. Sipas Nikës, këto ditarë nuk janë gjendur asnjëherë në Arkivin e Shtetit dhe as nuk ka procesverbal të dorëzimit të tyre.“Pse duhet ta bënim këtë zhurmë?”
Aludimin nga drejtoresha e Arkivit, Nevila Nika, se këto ditarë Nexhmije Hoxha mund t’i ketë në arkivin e saj, Teuta Hoxha e mohon kategorikisht, duke mos gjetur asnjë shpjegim logjik të kësaj deklarate. “Në të gjitha variantet e mundshme po ta marrim, kjo zhurmë mediatike për një çështje të ngritur nga vetë ne, është vetëm në dëmin tonë”, thekson Hoxha. “Pse duhet të ngrinim zërin, kur reagimi i vetëm që do të mund të merrnim është humbja e tyre?!”, përfundon Teuta Hoxha.hetimi
“Ne nuk akuzojmë askënd”, këto janë fjalët të cilave Teuta Hoxha iu mëshon fort, duke lënë kështu jashtë akuze si Arkivin e Shtetit, si gazetarin Blendi Fevziu. “E vetmja gjë me interes për ne është gjetja e këtyre ditarëve, pasi e konsiderojmë një trashëgimi të familjes”. Çdo dokument që përmban të dhëna me karakter vetjak dhe cenon jetën intime të personit shërbehet vetëm pasi kanë kaluar, sipas rastit, 50 deri në 150 vjet nga data e krijimit të tyre. Referuar këtij neni të ligjit për arkivat, familja Hoxha kërkon posedimin e ditarëve të Enver Hoxhës.libri
Pas daljes në treg të librit “Enver Hoxha” të gazetarit Blendi Fevziu dhe deklaratës së tij se është abuzuar në dorëshkrime origjinale, e shoqja e Ilir Hoxhës, djalit të madh të Enverit, (punonjëse e vjetër e Arkivit përpara vitit ’90) ka bërë kërkime në Arkivin e Shtetit për gjetjen e blloqeve të lëkurës. Ndërkaq Nexhmije Hoxha, që pas daljes nga burgu ka kërkuar në të gjitha mënyrat që t’i kishte këto shënime personale. Hapi i deritanishëm i familjes Hoxha është drejtimi në Prokurorinë e Përgjithshme, duke ia lënë asaj në dorë hetimin e kësaj çështjeje.











