Tetë plumba ndaj Mevlan Shanajt, regjisori: Tmerr për familjen

Jul 12, 2011 | 12:50

SHTEPIA E FAMILJES SHANAJ NE TUSHEMISHT TE POGRADECIT

Pogradec, 8 plumba drejt shtëpisë së Mevlan Shanajt

Tetë plumba shtëpisë së aktorit dhe regjisorit të njohur Mevlan Shanaj. Fatmirësisht, nuk ka të lënduar nga plumbat e pistoletës, të cilët kanë përfunduar në muret e banesës së familjes Shanaj, në zonën e Tushemishtit në Pogradec. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës, por policia dhe vetë Shanaj e bënë publike ditën e djeshme. Autori është identifikuar dhe arrestuar rreth 20 orë më vonë. Ai është shtetasi Adrian Hoxhallari, fqinji i Shanajt, biznesmen i njohur në qytet. Vetë aktori Shanaj, pas kësaj ngjarjeje, ka thënë se në drejtim të banesës së tij është qëlluar 8 herë me armë zjarri në shenjë kanosjeje. Aktori i njohur nuk ka qenë në banesë në momentin që ka ndodhur ngjarja, pasi po parkonte automjetin e tij, ndërsa 41–vjeçari, Adrian Hoxhallari, ka qëlluar në drejtim të banesës. Aktori është shprehur një ditë më pas se është tepër i tronditur, pasi, sipas tij, mes agresorit dhe familjes kishte marrëdhënie të mira fqinjësie, të cilat zgjasin prej vitesh. “Nuk e kuptoj sesi ka ndodhur, unë dhe familja ime jemi tepër të tronditur. Jemi vendosur para një situate të cilën ende nuk e kuptojmë. Deri më sot unë nuk kam pasur me të asnjë konflikt dhe aq më tepër pronësie. Gjithë familjarët e mi, fëmijët së bashku me nipërit dhe mbesat ndodheshin brenda në banesë, ndërkohë që unë isha në makinën time. Autori nuk më pa mua, por duke lëvizur me mjetin e tij, nxori armën nga dritarja dhe qëlloi në drejtim të shtëpisë”, sqaroi versionin e tij Shanaj. Pasditen e së hënës, Policia e Pogradecit arriti që të identifikonte vendndodhjen e 41-vjeçarit Hoxhallari, duke e arrestuar atë në një fshat rreth 3 orë larg nga qyteti. Policia tha se Hoxhallari ishte strehuar në fshatin Hosnat të komunës së Buçimasit, në një banesë qe e kishte në pronësi gjyshi i tij. Pas këtij arrestimi, të kryer me akuzat e “kanosjes”, “armëmbajtje pa leje”, si dhe “prishje të rendit e qetësisë publike”, autoritete të Policisë rajonale të Korçës sqaruan, duke iu referuar hetimeve, se ngjarja që i ndodhi aktorit të njohur, Mevla Shanaj, erdhi si pasojë e një konflikti të çastit me fqinjin e tij. Sipas hetimeve të Policisë, kanosja me armë e artistit të njohur të kinematografisë ndodhi për shkak të parkimit të mjetit të tij në një rrugicë që ndodhet midis banesës private të Shanajt dhe hotelit që ka në pronësi 41-vjeçari, Hoxhallari. Ky i fundit, duke qenë edhe në gjendje të dehur, pas grindjes së momentit me fqinjin e tij ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të banesës. Sipas Policisë, plumbat kanë qenë më shumë në shenjë kërcënimi, pasi ato nuk janë drejtuar në pjesën e ambienteve ku banon familja Shanaj gjatë pushimeve në këtë qytet, por në pjesën e sipërme të saj, atë të çatisë. Sidoqoftë, nga ana e policisë ky konflikt është konsideruar si një kanosje serioze ndaj artistit Shanaj dhe familjes së tij dhe pavarësisht reagimeve të të dëmtuarit një ditë pas ngjarjes, është vënë në kërkime intensive për kapjen e autorit.

Vajza dhe dhëndri erdhën nga Amerika

Kur nipërit dhe mbesat mbushin shtëpinë, është gjithnjë një gëzim i madh për gjyshërit. Aq më tepër kur ata jetojnë larg dhe dashurisë i shtohen edhe doza të forta malli. Kjo ndodhi edhe me çiftin Mevlan Shanaj- Natasha Lako, të cilët ishin vendosur të veronin në vilën e tyre në Pogradec, bashkë me të bijën, dhëndrin dhe dy fëmijët e vegjël të tyre. Hera, e bija e dy artistëve, u bënë vite që jeton jashtë. Ajo është e martuar me një shtetas amerikan, Sandër Bërns, dhe jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prania e tyre gjatë ngjarjes së të dielës mbrëma, kur fqinji i tyre qëlloi shtëpinë me 8 plumba pistolete, e bëri edhe më të komplikuar çështjen. Ishte frika për jetën e rrezikuar, më së shumti e dy të vegjëlve, të cilët u gjendën fare pranë dritares gjatë momentit të të shtënave. “Ishte fat që i kishim dritaret e mbyllura”, tregon Natasha Lako, teksa thotë se njëri prej fëmijëve bënte 1 vjeç. Nga ana tjetër, veç tragjedisë njerëzore, nuk do të kishte kaluar aq lehtë fakti që një ndër të rrezikuarit me jetë ishte një shtetas amerikan. Nuk ka qenë e lehtë për dhëndrin amerikan, i cili dje nuk ka dalë nga shtëpia, të përballet me një situatë të tillë, që për të padyshim është absurde

Familja Hoxhallari

Fjalët e Shanajt, se me fqinjët kishte marrëdhënie të mira, i ka konfirmuar i ati i autorit që qëlloi me armë. Vetë Mevlan Shanaj pohoi se pak momente pas ngjarjes, babai i autorit ka mbërritur në shtëpinë e tij duke u interesuar për gjendjen e familjes, duke e quajtur tronditëse çfarë kishte ndodhur. Familja Hoxhallari ka në pronësi një lokal dhe hotel në zonën buzë liqenit të Pogradecit dhe janë të njohur për këtë aktivitet në qytet.

POGRADEC/ DHORJELA DEMKOLLI

 

Shanaj: Tmerri që kaloi familja ime pas atentatit

Mevlan Shanaj, dje në Pogradec

“Nuk kam asnjë konflikt dhe nuk e kuptoj pse arriti deri në këtë veprim”. Kështu shprehet aktori dhe regjisori i njohur Mevlan Shanaj, pas ngjarjes së ndodhur në shtëpinë e tij të pushimit në Pogradec, ku si pasojë e një atentati u vu në rrezik jeta e familjarëve të tij.I indinjuar, aktori nuk arrin të kuptojë se si mund të qarkullohet në këtë vend i lirë, me pistoletë në brez dhe policisë i duhet gati një ditë kohë për ta kapur këtë njeri. Ishte ora 20:15 e ditës së diel, kur mbi shtëpinë e familjes Shanaj, e cila gjendet gati në buzë të liqenit të Pogradecit, u derdhën 8 plumba pistolete. Në atë moment, Shanaj nuk ndodhej në shtëpi dhe ishte e shoqja, skenaristja Natasha Lako, së bashku me të bijën dhe dhëndrin, që përjetuan gjithë tmerrin. Në shtëpi gjendeshin edhe dy fëmijët e vegjël të së bijës, rrezikimi i jetës së të cilëve e ka bërë edhe më dramatike situatën. Të kontaktuar gjatë ditës së djeshme, përpara kapjes së autorit të ngjarjes, dy artistët kanë shprehur habinë e tyre mbi gjithë këtë histori e duke i mëshuar faktit që nuk kanë asnjë konflikt me autorin, i cili është edhe fqinjë i tyre, përkundrazi ata thonë se kanë pasur marrëdhënies shumë të mira me familjen e tij. Dy ishin shkaqet që u përfolën dje, që mund të kenë shtyrë autorin Adrian Hoxhallari të qëllojë 8 herë drejt shtëpisë së Shanajve: një zënkë parkimi dhe një për zonën e rërës. Aktori dhe regjisori Shanaj ngul këmbë që nuk është aspak e vërtetë një gjë e tillë. “Unë jam aktor, nuk merrem me hunj gardhi”, tha ai për gazetën “Panorama”. Ndërsa bashkëshortja e tij, Natasha, thotë se nëse është e vërtetë që një debat për parkimin mund të çojë në këtë rezultat, atëherë historia bëhet edhe më absurde. Deri në momentin e arrestimit të Hoxhallarit nga Policia e Pogradecit, artistët janë ndierë të pasigurt për jetën e familjes së tyre, duke u shprehur se autori mund të kthehej sërish për të çuar deri në fund “misionin” e tij. “I bëj apel shtetit për mbrojtje të jetës!”, tha Lako. Edhe pas arrestimit të Adrian Hoxhallarit, Shanaj u shpreh se nuk mund të thotë asgjë të re në lidhje me shkaqet e ngjarjes. “Nuk ka asnjë arsye”, tha ai, duke shtuar se tanimë është detyra e organeve të Drejtësisë që të zbardhin këtë çështje. U bënë vite tanimë që Mevlan Shanaj kalon një periudhë të mirë të vitit në qytetin e Pogradecit, ku ka një vilë dykatëshe, e cila sheh nga liqeni. Aty, Shanaj preferon të evitojë verën e sfaltë të Tiranës, bashkë me familjen, ndërsa në qytetin e Lasgushit ka edhe shumë miq pogradecarë, që gjatë ditës së djeshme iu gjendën pranë për të kaluar atë situatë të vështirë që po kalonte ai dhe familja e tij.

Z. Shanaj, si do t’ia vinit emrin këtij atentati që është bërë kundër jush?

Nuk është e vërtetë se më kanë bërë mua atentat. Unë nuk ndodhesha në shtëpi. I kanë bërë atentat familjes së Mevlan Shanajt. Ky ishte një kërcënim me jetë. Vajza me dy fëmijët ndodhej pranë dritares dhe për fat plumbat i kanë penguar kolonat që ndodhen para saj. Imagjinoni se ç’mund të kishte ndodhur në të kundërt. Është një histori shumë e shëmtuar, që e ka shqetësuar jo me pa të drejtë familjen time.

Ku zunë plumbat që u shtinë kundër jush?

Është qëlluar në pjesën frontale të shtëpisë. Një pjesë ranë mbi mur, një pjesë tjetër mbi makinë.

Cili mendoni se mund të jetë shkaku i këtij atentati?

E gjitha kjo duhet të jetë rezultat i ndonjë smire, xhelozie të pakuptueshme. Por, nuk është thjesht dhe vetëm atentat ndaj familjes sime, por ndaj qytetit të Pogradecit, për të cilin unë kam investuar shumë, por edhe ndaj kulturës shqiptare. Unë jam njeri publik, që kaloj kohë në Pogradec dhe mundohem të bëj sa më shumë mirë në këtë qytet, qoftë edhe duke folur për të me anë të intervistave..

Megjithatë, flitet se shkaku ka qenë një zënkë banale me autorin, ka ndodhur vërtetë ndonjë sherr mes jush?

Jua merr mendja se unë mund të ngatërrohem në një situatë të tillë? Nuk merrem me hunj gardhi, merrem me art, me filozofi. Dhe interpretimi se e gjitha kjo ka ardhur si rezultat i një sherri për ca hunj, është fyerje për mua. Unë nuk merrem me këto gjëra. Nuk kam asnjë konflikt. Të gjitha këto janë interpretime ordinere. Ne nuk kemi as ndonjë konflikt biznesi, as prone, asgjë… Kjo është arsyeja e mosarsyes…

E njihni personin që qëlloi ndaj jush?

Unë e kam fqinjë. Me familjen e tij kemi pasur marrëdhënie shumë të mira fqinjërie. Ndërsa me atë personalisht nuk kam pasur ndonjë komunikim të shpeshtë. Por, pa dyshim ai është një i marrë që qarkullon me pistoletë në brez, si pa gjë të keq dhe nuk i dridhet dora të qëllojë edhe kundër fëmijëve… Duhet të jetë shumë i guximshëm që arrin dhe të ndërmarrë një veprim të tillë…

Cili është varianti i policisë mbi këtë ngjarje dhe si ka mundësi që autori ende nuk është kapur?

Interpretimi i policisë, i gjithë kësaj historie e kanë vënë në dilemë qytetarin dhe artistin Mevlan Shanaj. Unë nuk mund të vendos vetë drejtësinë, sepse ua kam “ndaluar” të tjerëve vetëgjyqësinë, është e rëndë ta mendosh një gjë të tillë, por është paturpësi që ai njeri është ende i lirë dhe mund të kthehet. Pas gjithë kësaj zhurme që u bë, ai mund të kthehet për të përfunduar atë që nuk realizoi dot mbrëmë. Kjo do të thotë që terrori nuk ka marrë fund për ne. Të mos kapësh një njeri në një qytet si Pogradeci është e pakuptueshme. Nëse kjo ndodh me Mevlan Shanajn dhe Natasha Lakon, imagjinoni se ç’mund të ndodhë me njerëzit e thjeshtë!

 

Natasha Lako: Qëlluam me fat, mund të kishim vdekur të gjithë

Në fillim ajo mendoi se ata ishin gjahtarë që gjuanin aty afër. Mendoi se ishin të marrë që gjuanin në atë orë dhe kur kuptoi se po qëllohej kundër shtëpisë së tyre, tmerri ishte i jashtëzakonshëm. Përpara kapjes së autorit, skenaristja Natasha Lako, bashkëshortja e aktorit dhe regjisorit Mevlan Shanaj, tregon gjithë historinë dhe hamendësimet që mund ta kenë çuar autorin deri në atë akt.

Zonja Lako, ju u gjendët në shtëpi kur ndodhi ngjarja, mund të na tregoni si ndodhi?

Për t’ju treguar habinë time lidhur me këtë ngjarje, po ju them si parantezë, që vetëm 2-3 ditë më parë isha e ftuar nga Rudina Xhunga në një emision për turizmin, për Pogradecin. Dhe mendova që të them dy fjalë të mira për këtë qytet dhe për këta njerëz, edhe për komshinjtë e mi, që kanë nga një biznes e në sezon turistik mund të përfitojnë diçka më shumë. Por, duket se e gjithë kjo mirësi e treguar m’u kthye kundër. Për të ardhur te historia jonë. Ishte ora 20:15, Mevlani ishte jashtë, kurse unë bashkë me vajzën dhe dy fëmijët e vegjël sa kishim hyrë brenda. Ishte fati ynë që u gjendëm në shtëpi dhe dritaret i kishim të mbyllura. Ne kemi një shtëpi buzë liqenit, të cilën e kemi ndërtuar në kohën kur u sëmur Mevlani për shkaqe klimaterike. Dhe i kishim mbyllur dritaret për shkak se vjen një erë e keqe nga liqeni, për shkak të algave. Në këtë moment, kalon një makinë me dy njerëz brenda dhe qëllojnë 8 herë mbi shtëpinë. Thonë se janë plumba pistolete. Imagjinojeni tmerrin që kemi kaluar. Ishte një befasi e jashtëzakonshme. Në fillim mendova se ishin gjahtarë që kishin qëlluar rosa dhe mendova që janë të çmendur që qëllojnë kur ka pushues përreth. Imagjinoni pastaj kur kuptova se kishin qëlluar mbi shtëpinë time dhe mund të kishte ndodhur që 6 vetat e familjes sime të kishim mbetur të vdekur në vend.

Cili mund të ketë qenë shkaku që e shtyu autorin deri në këtë veprim ekstrem?

Pavarësisht se mund të vras mendjen gjithë natën dhe të mendoj arsyet, pavarësisht interpretimeve që mund të japë policia, e cila ka shpallur në kërkim një person të dyshuar, unë nuk e di arsyen pse. Unë pres që policia, shteti im, të më thotë arsyen pse. Cili qe shkaku. E, derisa unë nuk e di arsyen dhe autorët janë të lirë, familja ime është e kërcënuar dhe normalisht ne nuk duhet të dalim nga shtëpia, duhet të kthehemi të ngujuar. Derisa autori të arrestohet dhe të pyetet pse e bëri këtë veprim, ne nuk mund t’i dimë arsyet e tij, nëse ka qenë i paguar, apo jo… nuk e di. Unë falënderoj qindra njerëz që u solidarizuan me ne, por kjo nuk mjafton. Ai njeri është i lirë dhe mund të kthehet sërish të na qëllojë ne ose njerëz të tjerë.

Thuhet se gjithçka ka nisur nga një zënkë parkimi, është kjo e vërtetë?

Kjo është një bisedë konfidenciale. Ndërsa vrisja mendjen se përse të ketë ndodhur, dikujt mund t’i kem shprehur edhe këtë arsye. Por, nëse do të ishte kjo arsyeja, atëherë do të ishte edhe më e rëndë dhe më absurde historia. Ne nuk kemi pasur asnjë konflikt. Vetëm njëherë ka ndodhur që Mevlani t’i ketë kërkuar dikujt të spostonte makinën që të kalonte e jona, pasi kishte zënë kthesën… por kjo nuk është arsye. Kjo histori po interpretohet si “sherr në shtëpinë e aktorit”. Nuk ka pasur asnjë sherr. Një makinë kaloi dhe qëlloi tetë herë. Ky nuk është sherr. Unë dua përgjigje nga policia. I bëj apel shtetit për të mbrojtur jetën tonë.

 

ALMA MILE

 

© Panorama.al

Te lidhura