Dalin notat e provimit të Matematikës. Dje në mbrëmje, Ministria e Arsimit publikoi rezultatet për më shumë se 41 mijë maturantë.Nga të dhënat zyrtare rezulton se në këtë provim nxënësit janë paraqitur dobët. Pjesa më e madhe e tyre, kanë kaluar me paterica. Plot 66.19% e maturantëve kanë marrë 5 dhe 6. Pra bëhet fjalë për më shumë se 27 mijë nxënës që kanë marrë këto rezultate. Mbetës nga të dhënat rezultojnë 4.93 perqind e nxënësve. Cka do të thotë se më shumë se 2400 nxënës s’kanë mundur të kalojnë. Me nota 7 dhe 8 jane 19.74 për qind e nxënësve ndërsa 9 dhe 10 kanë marrë 9.13 për qind. Sot ato pritet të shpërndahen edhe në shkolla. Gazeta publikon listën e notave për këtë lëndë. Për shkak të ligjit për ruajtjen e të dhënave personale, nuk do të ketë më botime të listave me emra, por vetëm me kode. Secili maturant ka ID e tij dhe mbi bazën e tij do të gjejë notën që ka marrë. Po dje ka përfunduar rivlerësimi i testeve për 400 maturantët e dyshuar për kopjim në provimin e Letërsisë. Të dhënat e MASH tregojnë se rreth 30 nxënës janë vlerësuar me notën katër, ndërsa të tjerët kanë mundur të kalojnë provimin e parë, atë të Letërsisë. Ndërkaq, maturantët e tjerë, nga të dhënat e KOPOTED që merret me çdo rast të dyshuar, janë vlerësuar me notat 5, 6, 7 dhe 8, mes të cilave dominon nota 6. Nga burimet zyrtare të Ministrisë së Arsimit thuhet se testet e 23 maturantëve të shkollës së mesme “Pandeli Sotiri” në Gjirokastër kanë qenë thjesht për verifikim rezultatesh, dhe jo të dyshuara për kopje. Rezultatet e maturantëve pritet që të publikohen në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe më pas në shkollat e mesme përkatëse. Në ditët në vijim, Ministria e Arsimit pritet të bëjë publike se në cilat qytete ka qenë numri më i lartë i maturantëve që nuk arritën dot të kalonin testin e Letërsisë. E njëjta procedurë do të ndiqet edhe për Matematikën. Maturantët presin notat e provimeve me zgjedhje për të nisur garën e universiteteve. Ajo starton me formularin A2, me anë të të cilit do të plotësojnë 10 preferencat e shkollave të larta. Specialistët e Ministrisë kanë këshilluar që, përpara se të bëjnë renditjen e degëve nga më e preferuara tek më pak e preferuara, maturantët duhet të bëjnë një llogaritje të pikëve.
Per te pare artikullin e plote atehere duhet te klikoni mbi: PDF
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











