Provimet e Maturës do të kalojnë në tri duar korrigjuesish. Veç tyre, një administrator i caktuar nga MASH monitoron gjithë procesin. Sipas këtij dikasteri, kjo skemë vlerësimi nuk lë vend për ankimim. “Janë 3 specialistë të trajnuar që kontrollojnë testet. Ky proces bën të mundur transparencë dhe mbi të gjitha nuk lë hapësirë për rikorrigjim. Në 2009-n, ankimuan rreth 7% e maturantëve, çka krijoi konfuzion”, thanë për gazetën burime zyrtare pranë MASH. Sipas tyre, me përmirësimin e rregullave të Maturës, u shtua numri i vlerësuesve dhe nga rregullorja u hoq e drejta e ankimimit. Aktualisht po kryhet korrigjimi i testeve të provimit të Letërsisë në 6 qendra, njëra prej të cilave në Tiranë, të tjerat në rrethe. Rregullorja ka përcaktuar qartë standardet e vlerësimit. “Vlerësuesit nuk mund të bëjnë shënime në test, me përjashtim të eseve ku evidentohen gabimet drejtshkrimore”, thuhet në rregullore. Korrigjuesit, vlerë-simet me pikë për çdo kërkesë të testit i pasqyrojnë në formularët përkatës. Akordimi i vlerësimeve të dy vlerësuesve te pavarur bëhet në fund të çdo dite vlerësimi. Të gjitha provimet e Maturës Shtetërore korrigjohen në mënyrë manuale. Alternimi i testit mes pyetjeve me alternativa dhe atyre me zhvillim plus esenë, e ka bërë të pamundur zbatimin e një metode elektronike korrigjimi. “Për nga vetë mënyra si është i ndërtuar testi, kjo nuk është e mundur, pasi aparaturat mund të vlerësojnë vetëm pyetjet me alternativa, por ekziston mundësia që të rishikohet testi final”, sqarojnë specialistët e MASH. Provimi i radhës për maturantët është ai i Matematikës, më 16 qershor, ndërsa ato me zgjedhje zhvillohen në datën 30 qershor. Formulari A2 për pranimet në universitetet publike do të plotësohet pasi maturantët të kenë në duar të gjitha notat e provimeve të Maturës. Maturantët do të kenë afat deri më 30 korrik për ta plotësuar. Ky vit është i pari që nxjerr nxënësit me një kurrikul të re, që zgjat 3 vjet dhe jo më 4, siç ishte më parë. Pas 8 ditësh pritet të dalin rezultatet e provimit. Maturantët kanë të drejtë të tërheqin një fotokopje të testit vetëm pasi të kenë përfunduar të gjitha provimet e detyruara.
Kuotat e pranimit
Plot 26.072 studentë do të pranohen vitin e ardhshëm akademik në 11 universitetet publike të vendit. Krahasuar me një vit më parë, janë rreth 1400 studentë më shumë që do të pranohen në shkollat e larta. Vetëm në Universitetin e Tiranës janë shtuar 560 kuota. Numri i vendeve të reja në të gjitha degët varion nga 10-50 kuota. Kjo tendencë vërehet në pjesën më të madhe të tyre. Megjithatë, këtë vit ka një rënie në totalin e kuotave, krahasuar me 2011, kur numri u rrit me 11%. Gara për në universitet do të mbyllet me formularin A2, të cilin maturantët do ta plotësojnë pas dhënies së provimeve. Në të do të përzgjidhen nga më shumë se 200 programe studimi 10 degët e preferuara. Ata do të shpallen fitues vetëm në njërën prej tyre, sipas pikëve që kanë grumbulluar për gjithë komponentët e Maturës.
ZIRINA LLAMBRO











