Testet e Maturës, rivlerësim vetëm nëse vendos Gjykata

Jun 7, 2012 | 14:43
Komisioni Parlamentar i Medias

Për testet e Maturës Shtetërore nuk do të ketë rivlerësim. Përjashtim do të bëjnë vetëm rastet kur ka ankimim në Gjykatë. Pavarësisht propozimit nga opozita, përfaqësuesit e MASH dhe deputetët e maxhorancës kundërshtuan ndryshimin e nenit 52 të projektligjit të arsimit parauniversitar. Ky nen u diskutua dje në mbledhjen e radhës së Komisionit të Medias dhe Edukimit, i cili po i jep dorën e fundit ligjit. “Nëse vërehen gabime në vlerësim, duhet të bëhet rivlerësimi i tezës së provimit”, tha deputetja Paulina Hoxha. Zv.mini-stri i Arsimit, Halit Shamata, theksoi se nuk ka ligj për ankimimin e notës që vendos për mësuesin. “Nxënësit duhet t’i drejtohen gjykatës për të tilla raste”, tha Shamata. Objekt debatesh u bë edhe neni 56, i cili sanksionon rregullat e emërimit dhe shkarkimit të drejtuesve të shkollave dhe mësuesve. “Edhe shkarkimi i drejtorit të bëhet me të njëjtën mënyrë si u emërua. Shkarkimi të mos bëhet nga titullari”, tha deputetja Paulina Hoxha. Duke u ndalur tek mësuesit, kryetarja e Komisionit Valentina Leskaj u shpreh se drejtorët i heqin mësuesit sipas dëshirës, madje edhe për bindje politike. “Sipas ligjit të shërbimit civil, shkarkimi është përgjegjësi individuale dhe jo kolegjiale, nëse titullari merr përsipër të shkarkojë drejtorin, atëherë e mban ai përgjegjësinë e shkarkimit”, tha zv.ministri Shamata. I vetmi propozim për të cilin ranë dakord të gjitha palët, ishte ai i për tekstet shkollore shtesë që u jepen nxënësve në shkolla. “Duhet të shtohet një pikë ku të thuhet se lejohen vetëm libra të miratuar nga Ministria e Arsimit, bëhet fjalë për libra shtesë, si: hartat, fletoret e punës. Sepse aktualisht janë duke u favorizuar interesat klienteliste”, tha kryetarja e Komisionit, Valentina Leskaj. Kjo kërkesë u miratua nga MASH dhe u ra dakord të reflektohej në ligj.

Vlerësimi
Deputetët në Komision nuk iu rikthyen propozimit të një ditë me parë për të ndryshuar skemën e vlerësimit të nxënësve. Ishin përfaqësuesit e opozitës, të cilët kërkuan që sistemi i notave të niste nga zero, duke marrë edhe miratimin e deputetëve të maxhorancës. Përfaqësuesit e MASH thanë se kjo do të dëmtonte sistemin, pasi do të kishim 4 nota për mbetësit. Pas mbledhjes së djeshme, anëtarë të Komisionit pohuan se do të lihet në fuqi varianti aktual i MASH.

© Panorama.al

Te lidhura