
Ndërpriten diskutimet për Kodin Penal pas propozimit të Ministrisë së Drejtësisë.
PS, kundër qeverisë: Terrorin më 21 janar e bëri Garda.
Deputetët e PD-së dhe PS-së në Komisionin e Ligjeve shtynë për të dytën herë miratimin e një dispozite në Kodin Penal, që ka të bëjë me veprat me qëllime terroriste. Shkak për përplasjet mes maxhorancës dhe opozitës ishte një pikë e nenit 230, e cila, sipas opozitës, është ndryshuar dhe zgjeruar, duke lënë shkak për abuzime. Në këtë pikë, në Komision u rikthye edhe një herë debati për ngjarjet e 21 janarit, nëse veprimet e Gardës ishin apo jo veprime terroriste.
Debati
Në variantin e qeverisë, në nenin 230, paragrafi “n” thekson se: “Veprat me qëllime terroriste përfshijnë: n) çdo vepër tjetër që synon të shkaktojë vdekjen ose plagosjen e rëndë të civilëve ose të çdo personi tjetër që nuk merr pjesë aktive në veprimet luftarake në një situatë konflikti të armatosur, e kryer për qëllimet e përcaktuara në paragrafin e parë të këtij neni”. Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë, pasi iu la detyrë për ta konsultuar edhe një herë këtë paragraf, solli një propozim tjetër që zgjeron shkallën e zbatimit, në të cilin thuhet: “Do të përbëjë vepër penale me qëllime terrorizmi, pavarësisht paragrafit të parë të këtij neni, duke përfshirë edhe aktet drejtuar civilëve dhe pavarësisht se mundet të bazohet në shkaqe politike, filozofike, ideologjike, raciste, etnike, fetare apo të një natyre të njëjtë, çdo vepër që: a) synon të shkaktojë vdekjen ose plagosjen e rëndë apo pengmarrjen; b) synon të provokojë një gjendje tmerri në publik ose në një grup personazh apo persona të veçantë, për të intimiduar një popullatë, apo për të detyruar një qeveri apo organizatë ndërkombëtare të ndërmarrë apo mos ndërmarrë një veprim”. Zv.ministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi, e justifikoi këtë ndryshim me faktin se Komiteti Ekzekutiv kundër Terrorizmit nga OKB-ja ka bërë një koment lidhur me draftin e parë, ku thekson se neni nënkupton edhe rastet e protestave të dhunshme që mund të vlerësohen nga gjykata si vepra terroriste. Nga ana e saj opozita theksoi se ishte e papërgatitur për këtë ndryshim në momentin e fundit dhe kërkoi më shumë kohë. “Kur pashë draftin dje, pashë që është bërë një kthim mbrapsht. Nuk e di pse ka një kthim mbrapsht. Ne morëm një komunikim me zyrën e UPDAT dhe ata na thanë se i ngelen atij qëndrimi që i kanë dërguar komisionit në vitin 2010”, tha relatorja Ermonela Felaj. Më pas ndërhyri edhe Vasilika Hysi e PS-së, e cila theksoi se “nëse u referohemi ngjarjeve të 21 janarit, ku pati akte që shkaktuan vdekjen ose plagosjen e rëndë të qytetarëve, a do t’i quanit veprimet e Gardës akte terroriste?”. Pyetja e Hysit nxiti reagime në mbledhjen e Komisionit. Kreu i Ligjeve, Ilir Rusmali, iu përgjigj deputetes socialiste: “Këta i ka mbytur madhështia, o burrë i dheut. Këta mendojnë se OKB-ja po merret me Vasilikën. Po lëre se është qesharake gjithë kjo histori tani. Duhet të jeni koherent me veten tuaj. Germa ‘n’ e nenit të draftuar është ofruar nga UPDAT. UPDAT e doni, apo e keni armik?”. Pas disa minutash debat ra dakord që neni të diskutohet edhe një herë përpara se të kalojë në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve.
Ndryshimi
Neni 230, paragrafi “n” ishte
Veprat me qëllime terroriste përfshijnë: n) çdo vepër tjetër që synon të shkaktojë vdekjen ose plagosjen e rëndë të civilëve ose të çdo personi tjetër që nuk merr pjesë aktive në veprimet luftarake në një situatë konflikti të armatosur, e kryer për qëllimet e përcaktuara në paragrafin e parë të këtij neni.
Paragrafi “n”, kalon pika 2 e nenit 230
Do të përbëjë vepër penale me qëllime terrorizmi, pavarësisht paragrafit të parë të këtij neni, duke përfshirë edhe aktet drejtuar civilëve, dhe pavarësisht se mundet të bazohet në shkaqe politike, filozofike, ideologjike, raciste, etnike, fetare apo të një natyre të njëjtë, çdo vepër që: a) synon të shkaktojë vdekjen ose plagosjen e rëndë apo pengmarrjen; b) synon të provokojë një gjendje tmerri në publik ose në një grup personazh apo persona të veçantë, për të intimiduar një popullatë, apo për të detyruar një qeveri apo organizatë ndërkombëtare të ndërmarrë apo mos ndërmarrë një veprim.
Debati në Komision
Brikena Kasmi: Sa i përket paragrafit të parë të nenit 230, është shumë i përgjithshëm dhe do të krijojë problem abuzimi në të ardhmen për çështjen e zbatimit. Këtë diskutim e kemi pasur edhe më 25 janar me ekipin e Komitetit Ekzekutiv të Konventës kundër Terrorizmit nga UN, me të cilët pamë edhe një herë draftin e paraqitur nga qeveria. Komenti që na u bë ishte eksplicit “paragrafi i parë i nenit 230, nëse do të mbetet në fuqi, nuk nënkupton vetëm veprat penale që kanë lidhje me qëllim terrorizmin, sipas konventave të UN, por nënkupton edhe rastet e protestave të dhunshme apo raste të tjera që mund të vlerësohen nga gjykata si vepra terroriste”.
Shega Ligori: Po kjo pika 2, çfarë është?
Brikena Kasmi: Pika 2 është shkronja “n”, që ju e keni pranuar edhe me versionin e UPDAT. Ne thjesht shkronjën “n” nuk e kemi lënë pjesë të listimit, pasi përmbledh të gjitha çështjet. Në këtë takim është lënë porosi që të kalojë sipas modelit të ligjit kundër terrorizmit, të cilën ju e gjeni në faqen e UN.
Ermonela Felaj: Kur pashë draftin dje, pashë që është bërë një kthim mbrapsht. Nuk e di pse ka një kthim mbrapsht. Ne morëm një komunikim me zyrën e UPDAT dhe ata na thanë se i ngelen atij qëndrimi që i kanë dërguar Komisionit në vitin 2010.
Ilir Rusmali: Jo më larg se dy javë më parë erdhi ekipi nga OKB-ja dhe tha se ne nuk jemi të kënaqur me këtë gjë.
Brikena Kasmi: Drafti i UPDAT dhe i Ministrisë së Drejtësisë në dhjetor 2010 kanë qenë të njëjta.
Vasilika Hysi: Nëse u referohemi ngjarjeve të 21 janarit, ku pati akte që shkaktuan vdekjen ose plagosjen e rëndë të qytetarëve, A do t’i quanit veprimet e Gardës akte terroriste?
Fatos Hoxha: Është e kundërta kjo që po thua.
Ermonela Felaj: Shihe nenin 2.
Ilir Rusmali: Këta i ka mbytur madhështia, o burrë i dheut. Këta mendojnë se OKB-ja po merret me Vasilikën. Po lëre se është qesharake gjithë kjo histori tani. Duhet të jeni koherent me veten tuaj. Gërma “n” e nenit të draftuar është ofruar nga UPDAT. UPDAT e doni, apo e keni armik?
Visilika Hysi: Po flasim për gjë tjetër.
Ilir Rusmali: E doni. Zv.ministrja tha se pika 2 e propozuar nga Ministria është riformulim i germës “n” të UPDAT. Dhe tha se nëse u shqetëson pika dy e këtij varianti të fundit, u kthejmë pikën “n”, por është riformulim i propozimit të UPDAT me gjuhë teknike-juridike shqiptare. E doni UPDAT, apo e keni armik?
Ermonela Felaj: E duam.
Ilir Rusmali: Në qoftë se kthejmë germën “n”, do shikoni ëndrra me 21 janar?
Shega Ligori: Ne po flasim për gjëra shumë serioze këtu. Aq më tepër që kanë të bëjnë me vepra shumë të rënda të parashikuara në Kod. Me këto ndryshime ne u njohëm para gjysmë ore. Relatorja është njohur në 12 të natës. Ne duam të na jepet kohë, qoftë edhe një ditë, t’i shikojmë e të flasim me përgjegjshmëri. Mos provokoni dhe mos ofendoni. As mos thoni e duam ‘UPDAT apo jo’ se na u bë UPDAT sikur me qenë… të mos përdor ndonjë term ofendues këtu…
Ilir Rusmali: E shikoni që nuk e doni UPDAT.
Shega Ligori: As ëndrra me 21 janarin, se ne ëndrrat mund t’i shikojmë shumë më të bukura, ëndrrat dhe makthet e 21 janarit mund t’i shikoni ju.
Ermonela Felaj: Ne nuk biem dakord që germa “n”, që pretendohet se është në pikën 2 të paragrafit, është e njëjta gjë. Nuk është e njëjta gjë. Është një krejt tjetër që ti e ke zgjeruar dhe çfarëdolloj gjëje ti mund ta fusësh aty dhe ta bësh veprim terrorist.
Ilir Rusmali: Unë s’e kam vënë kurrë në dyshim vërtetësinë e gjërave që thonë ata që janë ngarkuar me detyrën. Në qoftë se fillojmë të dyshojmë për referencat tona mbi fakte, s’dalim kurrë nga dyshimet tona. Nuk jemi grup mashtruesish ne këtu. Mos e ulni stekën kaq poshtë, as për veten tuaj, as për kolegët, as për kundërshtarët, se nuk është mirë.
Fatmir Xhafaj: Mua më vjen shumë keq që nga një linjë normale po e kthejmë në anormalitet këtë diskutim. Unë s’ndaj të njëjtin mendim me ju dhe s’është korrekte nga ana juaj që të bëni diversion për opozitën. Po ta shikosh pikën “n” dhe pikën 2, janë dy gjëra krejt të ndryshme, sepse do të realizojë qëllim tjetër në pikën “n” dhe qëllim tjetër në pikën 2.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











