RRESHEN- Terror me armë në mes të qytetit të Rrëshenit, policia arreston njërin prej autorëve. Ngjarja mësohet se ndodhi në orët e vona të së hënës, kur dy të rinj, shtetasit Angjelin Përleka, 23 vjeç dhe Arjan Përleka 31 vjeç nga fshati Ndërfushas i Mirditës, janë futur në një nga lokalet e qytetit. Pasi kanë konsumuar pije alkoolike, ata janë konfkliktuar me një të ri nga Rrësheni. Ngjarja ka precipituar në debat të ashpër, aq sa në vend mbërriti policia. Por dy të rinjtë, djem xhaxhallarësh, kanë qëlluar me armë automatike në ajër në shenjë kundërpërgjigje ndaj efektivëve të rendit. “Patrulla e përgjithshme e Komisariatit të Rrëshenit, në përpjekje për kapjen e këtyre personave, është kundërshtuar nga këta të fundit me armët që mbanin, konkretisht një automatik “Kallashnikov” mod.56 e më pas veprimet e tyre kanë vazhduar, ku nën kërcënimin e armëve kanë kryer vjedhjen me armë të automjetit veture tip ‘Ford’ ngjyrë e zezë me targa të huaja AA 0439, që drejtohej nga një shtetas”, bëri të ditur Policia. Mësohet se dy të rinjtë i kanë dalë para me armë drejtuesit të mjetit dhe kanë qëlluar në ajër duke e kërcënuar atë të ndalonte. Frika nga arma ka detyruar shoferin të ndalojë e, për pasojë, ata e kanë urdhëruar të dalë nga makina dhe t’i dorëzojë çelësat. Pasi kanë marrë makinën, kushërinjtë nga fshati Ndërfushas kanë tentuar të largohen. Blutë u janë vënë në ndjekje dhe kanë arritur të prangosin njërin prej tyre, 23-vjeçarin Angjelin Përleka. Ndërsa autori tjetër i ngjarjes që shkaktoi panik në qytet, është shpallur në kërkim. Mësohet se dy autorët ishin emra mjaft të njohur për Policinë e Rrëshenit. Madje, kjo e fundit i kishte arrestuar ata disa herë për vepra të ndryshme kriminale, por më pas gjykata i kishte lënë të lirë ata. Në ndjekje të autorit të shpallur në kërkim është vënë edhe Policia e Lezhës. Ata akuzohen për “vjedhje me armë” të kryer në bashkëpunim dhe “kundërshtim me dhunë të forcave të rendit”. r.n











