Dhuna në Peqin, PS: Sula, jo më në Parlament

May 6, 2012 | 12:55

UPDATE- Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama reagoi në twitter lidhur me incidentin e një dite më parë në stadiumin e Peqinit në ndeshjen mes Shkumbinit dhe Flamurtarit (1-0), ku deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka qëlluar me pistoletë në ajër.

“Vetëm në Shqipërinë e Saliut deputeti mund të qëlloje me armë në stadium dhe ministri të thotë mos ia vini re, kishte fishekë manovre!”-ka postuar Rama në twitter.

Më herët, deputeti Fidel Ylli në një reagim për gazetarët tha se, “deputeti Dashnor Sula dhunon gjyqtarët, arbitrat, gazetarët, gjithçka që i del përpara, duke prishur imazhin e tij si deputet dhe imazhin e qytetit të Shkumbinit, qytetarët e të cilit janë dashamirës ndaj sportit dhe që kanë nxjerrë edhe kampionë.”

Duke e vënë theksin tek raste te përsëritura të dhunës në stadiume nga deputeti Sula, Ylli shprehi habi që kryeministri, Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli nuk e kanë thirrur ndonjëherë deputetin për të sqaruar rastet.

“Un habitem me kryetaren e parlamentit, që pretendon të bëhet edhe deputete, që nuk e ka thirrur ndonjëherë këtë deputet, që ka mbi 4-5 raste që krijon dhunë në stadiume. Habitem me kryeministrin që na flet për 12 prioritetet, si nuk e thërret këtë deputet. Habitem me grupin parlamentarë që nuk mban një qëndrim mbi këtë deputet.”- tha Ylli.

Sipas tij nëse ai nuk do të ishte deputetë, me gjithë këto raste të përsëritura dhune do të rrezikonte deri burgim të përjetshëm.

Deputeti Fidel Ylli  shprehu indinjatën e tij ndaj kolegut Sula, duke denoncuar edhe deklaratat e tij, që e gjithë kjo histori qenka thashethem.

“Ky është një mashtrues ordiner. Nuk duhet të jetë një deputet, nuk duhet të jetë një koleg i joni.”- tha Ylli.

Ngjarja

Pak minuta para se të fillonte ndeshja deputeti i zonës së Peqinit, njëherazi edhe drejtues i lartë i klubit të Shkumbinit, mësohet të ketë hyrë në dhomat e zhveshjes i shoqëruar edhe nga tre persona të tjerë. Zyrtarë të federatës dhe përfaqësues të klubit të Flamurtarit, të pranishëm në vendngjarje, kanë treguar për “Panorama Sport” me detaje ngjarjen e ndodhur në ato minuta. Në fillim ka pasur presion verbal, ku personat kanë sharë me libër shtëpie lojtarët dhe stafin e Flamurtarit. Më pas ata u janë drejtuar arbitrave, por nuk i kanë prekur për asnjë moment. Janë goditur muret me shkelma, është përdorur fjalor i rëndë në adresë të tyre dhe kërcënime verbale. Delegati i ndeshjes, së bashku me vëzhguesin, i kanë kërkuar Sulës dhe personave të tjerë të largohen nga sektori i gjyqtarëve. Burimet konfirmojnë se në këtë moment, Dashnor Sula ka nxjerrë një pistoletë dhe ka qëlluar në ajër. Ai ndodhej pranë dhomës së arbitrave dhe ka zgjatur dorën në krahun e kundërt, në adresë të banjave duke qëlluar me dorën lart vetëm njëherë. Zyrtarët e FSHF-së nuk kanë mundur të dallojnë nëse bëhej fjalë për plumba manovër, sikundër pretendohet jozyrtarisht nga pala peqinase, apo për plumba të vërtetë. Pas daljes nga ambientet e brendshme mësohet se Dashnor Sula ka qëlluar edhe dy herë të tjera.

Policia ka bllokuar pistoletat lodër

Policia e Peqinit ka mohuar të ketë pasur të shtëna me armë gjatë ndeshjes Shkumbini- Flamurtari, edhe pse kanë pohuar se tensioni ka qenë mjaft i lartë para dhe gjatë ndeshjes. Sipas një prononcimi dhënë për “News 24”, policia ka deklaruar se ka bllokuar edhe disa pistoleta lodër. “Ndeshja mes Shkumbinit dhe Flamurtarit ka pasur shumë tension, por në mënyrë absolute nuk është qëlluar me armë nga deputeti. Policia ka dokumentuar ‘incidentin’, ka bllokuar pistoletat lodër, (2) në cilësinë e materialeve të përdorura dhe të fishekzjarrëve”, – thuhej në sqarimin e policisë.

Sula: Mashtrim! Nuk ndodhi asnjë incident

Deputeti i Peqinit, Dashnor Sula, ka reaguar ashpër ndaj akuzave në adresë të tij, duke thënë se është çmenduri gjithë ajo që është përhapur në media. “Nuk ka kurrfarë të vërtete në këtë mes. Kjo është skandaloze. Festën që u zhvillua në stadium duan ta nxijnë dhe ta përbaltin. Nuk pati asnjë incident në ndeshjen e Peqinit dhe për këtë dal unë garant. Ju lutem mos i bini në qafë më kot një qyteti sportdashës, sepse asgjë nuk ka ndodhur nga ato që thuhen”, – ka deklaruar Sula për “Panorama Sport”, pak orë pas ndeshjes.

Gjika: E denoncova vjet Peqinin, s’më dëgjuan

Presidenti i Flamur tarit, Shpëtim Gjika, edhe pse i rezervuar për të dhënë detaje të asaj që ndodhi në Peqin, ka treguar dje për “Panorama Sport” se e priste të kishte ngjarje në këtë ndeshje. Kryebashkiaku vlonjat la të nënkuptonte se nuk kishte udhëtuar për ta ndjekur takimin nga afër, pasi parashikonte gjithçka. “Skuadra ime udhëtoi drejt Peqinit për të luajtur ndershmërisht dhe nuk kemi pyetur nga presioni që bënë vendësit. Së pari dua t’i falënderoj të gjithë futbollistët, të cilët kanë nderuar fanellën dhe veten, duke luajtur me shumë sakrificë dhe përkushtim në këtë ndeshje. Të tjerët le t’i mbajnë ato veprime të turpshme, sepse kjo nuk është hera e parë. Ju kujtoj se e kam denoncuar fushën e Peqinit, Laçit dhe Ballshit që në vitin e kaluar. Mirëpo, nuk më ka dëgjuar njeri. Kjo është një histori e gjatë, por nuk dua të nxitohem, sepse dua informacion më të detajuar për atë që ka ndodhur. Në këtë moment, ajo që unë mund të them është se nëse ka pasur terror dhe të shtëna armësh, atëherë s’ngelet tek unë t’i denoncoj. E përsëris, këto gjëra i kam denoncuar më parë. Jam në dijeni që ka ndodhur diçka, por nuk kam qenë i pranishëm në stadiumin e Peqinit. Sigurisht, s’mund të flas me kompetenca për veprimet që janë bërë nga individë të veçantë. Megjithatë, ajo që më bën të ndihem mirë është fakti se meqë ka pasur një ngjarje në Peqin, atëherë tregohet ndershmëria e Flamurtarit tim. Nuk kemi lëshuar, për rrjedhojë vendësve nuk u ka ardhur mirë vendësve”, – ka thënë Gjika

 

 

 

© Panorama.al

Te lidhura