Terror me armë, grabitet banka

Aug 16, 2011 | 10:57
Policia duke kontrolluar makinën e braktisur nga grabitësit

Persona me armë e maska grabisin bankën dhe klientët që ndodheshin brenda saj. Ngjarja ka ndodhur në orën 12:15 në qendër të qytetit, pranë Sheshit të Flamurit, aty ku ndodhet dhe një filial i një banke private (BKT).Tre persona të maskuar e të armatosur, pasi kanë lënë mjetin e tyre pa targa para bankës, i janë drejtuar derës së saj. Roja private ka ndërhyrë për të mos i lejuar, por ndaj tij kanë përdorur dhunë duke e qëlluar brutalisht,  duke e neutralizuar atë e më pas i kanë marrë armën. Kanë qëlluar një herë në ajër me armën dhe më pas janë futur në bankë. Nën kërcënimin e armës punonjësit u janë nënshtruar grabitësve. Ata kanë kërcënuar se nëse dikush do të lëvizte, do të vritej menjëherë. Paralajmërimi ishte jo vetëm për punonjësit, por dhe për qytetarët që ndodheshin brenda bankës në ato momente. Autorët u kanë marrë me dhunë paratë të gjithë klientëve të bankës e më pas kanë rrëmbyer dhe shumën që ndodhej në arkën e bankës, vlera e së cilës nuk është bërë ende e njohur. Pasi kanë terrorizuar me armë personat në bankë, autorët janë larguar me automjetin tip “Benz” ngjyrë vishnje. Në momentin kur kanë hipur në makinë, kanë qëlluar përsëri në ajër me automatik për të trembur njerëzit dhe policinë. Nga shpejtësia ata kanë goditur me mjetin e tyre një tjetër makinë, duke e dëmtuar atë e më pas janë larguar me shpejtësi në drejtim të rrugës së re, në dalje të qytetit. Në momentin kur i janë afruar filialit të bankës “Raiffeisen”, e cila ndodhet në rrugën e re, rojet e saj që panë makinën që po largohej me shpejtësi i kanë dalë para dhe kanë qëlluar mjetin e autorëve që po largohej me shpejtësi. Personat që ndodheshin brenda, nga frika kanë dalë me shpejtësi duke marrë me vete paratë dhe kanë braktisur në mes të rrugës makinën e tyre. Grabitësit janë larguar nëpër rrugica e më pas mendohet se janë ngjitur drejt kodrës me ullinj mbi qytet, ku kanë humbur plotësisht gjurmët. Mbas kontrollit që është ushtruar në automjet është gjetur një çantë me një sasi parash e të tjera detaje që duket se do të japin një pistë për grupin hetimor. Policia ka marrë shenjat e gishtave të gjetura në makinë, në gëzhojat e armës, si dhe te paratë e lëna në mjet. “Nuk po llogarisja lekët që do më grabisnin se s’kisha shumë, por po llogarisja kokën sepse ata ishin shumë të dhunshëm. Thashë se do na vrisnin të gjithëve. Një grua filloi të qante, njëri prej tyre i bërtiti se nëse do vazhdonte të qante do ta vriste. Kaluam momente më të vështira të jetës tonë. Na u duk sikur po shikonim filma, ndërsa punonjësit e bankës ngrinë të gjithë, madje ulën kokat se mos i qëllonin me armën që ua kishin drejtuar”, tregoi pas ngjarjes një prej klientëve. Sipas dëshmitarëve, tre personat kishin veshje të ndryshme, ndërsa mosha e tyre mund të ishte nga 20 deri në 27 vjeç.

BKT: Vlera e grabitur, e papërfillshme

“Sot, në orën 11:37 të paradites, tre persona të maskuar dhe të armatosur janë futur dhe kanë grabitur degën tonë në Vlorë. Për shkak të masave të larta të sigurisë që aplikohen në të gjitha degët dhe agjencitë tona, gjatë kësaj ngjarjeje nuk ka pasur të dëmtuar qoftë nga klientët, qoftë nga punonjësit e bankës. Punonjësi i shoqërisë së ruajtjes fizike, në përpjekje për të ndaluar grabitësit, ka marrë disa dëmtime gjatë konfrontimit me ta dhe po trajtohet në spitalin e Vlorës. Vlera monetare e grabitur ka qenë e papërfillshme dhe, për më tepër, e siguruar. Njëkohësisht nuk ka pasur asnjë dëm material të shkaktuar. Të gjitha degët dhe agjencitë tona janë të mbikëqyrura me anë të kamerave të sigurisë, filmimet e të cilave do të vihen në dispozicion të policisë”.

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura