Terminali i pasagjerëve, studioja brenda muajit

May 8, 2012 | 20:38
Kryebashkiaku Basha me drejtues te BERZH

TIRANË- Brenda muajit zgjidhet studioja fituese për studimin e fizibilitetit për terminalin e pasagjerëve në kryeqytet. Cështja e terminalit ka qenë një nga temat e diskutuara sot gjatë takimit që kreu i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha zhvilloi me Zbignieë Hockuba  dhe Stefka Slavova, drejtues të Bordit të BERZH për rajonin.

BERZH ka dhënë një fond prej 500 mijë eurosh për bërjen e studimit të fizibilitetit për terminalin e pasagjerëve , për të cilin kanë shprehur interes 11 studio. Drejtuesit e BERZH janë shprehur të kënaqur me ecurinë e deritanishme të procedurave të cilat sipas tyre kanë vijuar më shpejt se për çdo projekt tjetër.

Drejtuesit e BERZH kanë falenderuar Basha për zhbllokimin e projektit për ndërtimin e qendrës së kontrollit të trafikut, fondet për të cilin ishin lëvruar që në vitin 2005. “Me marrjen e detyrës nga Basha dhe në bashkëpunim me BERZH, Bashkia e Tiranës nisi procedurat dhe përzgjodhi kompaninë e cila do të nisë punën për ndërtimin e kësaj qendre që do të ndihmojë në kontrollin dhe menaxhimin e trafikut në Tiranë”- thuhet në njoftimin për shtyp të Bashkisë, ku shtohet se drejtuesit e BERZH-it shprehen vlerësim për transparencën e procesit dhe respektimin e kushteve të BERZH në përzgjedhjen e kompanisë që do të bëjë të mundur realizimin e këtij projekti.

© Panorama.al

Te lidhura