Tërmeti Trump-Triumf

Dec 6, 2024 | 8:45
SHPËRNDAJE

GENC TIRANAGENC TIRANA

Është mëse e qartë se kësaj here në zgjedhjet presidenciale shumica e amerikanëve nuk u mashtruan nga makina e propagandës dhe gazetarët e CNN, MSNBC, CNBC, ABC, NBC etj., të konvertuar përfundimisht në aktivistë partie. Madje, edhe censura e gjigantëve teknologjikë si “Google” dhe rrjeteve sociale si “Facebook” nuk e asfiksoi dot votuesin amerikan. Ata prej vitesh ishin lodhur nga burokratët e të dy krahëve në Washington. Ishin lodhur edhe prej atyre që përfitonin nga transferimet e kapitaleve në Kinë, duke tkurrur kësisoj vendet e punës. Ishin lodhur edhe nga përfituesit prej shitjeve të armëve, ushqimeve pa vlera ushqyese, vaksinave të paprovuara për efektet dhe efikasitetin e të tjera produkte në interes të kundërt me atë të konsumatorit. Ishte pikërisht ky momenti, që klasa e mesme dhe njeriu i punës u ngrit kundër batakut të politikës për të rivendosur kontrollin e fateve të tij.

Nëse për qytetarin dhe njeriun e punës ky ishte momenti sublim për aparatçikët dhe infrastrukturën që ishte ngritur për të asfiksuar mendimin e lirë, zgjedhja e Trump për herë të dytë erdhi si tërmet. Lëkundjet e para u ndjenë në vetë masmediat kryesore. Sipas “Dailymail.Com”, numri i shikuesve të rrjeteve të lajmeve televizive të majta ka rënë në mënyrë drastike fill mbasi Donald Trump fitoi zgjedhjet presidenciale. Numri i shikuesve të MSNBC në muajin nëntor ra me 47 për qind, ndërsa CNN shënoi një rënie me 33 për qind. Në emisionet më të ndjekura të mbrëmjes prej orës 8-11 MSNBC ka pasur vetëm 644 mijë shikues, ndërsa homologu konservator, rrjeti FOX tërhoqi 3.2 milionë shikues.

Në këtë klimë vidhisjeje kur toka rrëshqet nën këmbë prezantuesve televizivë si ata të MSNBC, Joe Scarborough dhe Mika Brzezinski që kanë vite që e krahasojnë Trumpin me Hitlerin në emisionit “Morning Joe” dolën nga skuta e tyre dhe shkuan në shtëpinë e Trump në Mara-Lago për ta takuar presidentin e zgjedhur. Ata vollën vrer kundër tij për 7 vjet pa e takuar asnjëherë. Aq destruktive ka qenë gjuha e tyre sa MSNBC u detyrua të tërheqë nga transmetimi “Morning Joe” ditën pas atentatit ndaj Trump verën e kaluar. Është afër mendjes që gjuha e urrejtjes, e përhapur në publik nëpërmjet masmediave ndikon dhe nxit urrejtje deri në akte ekstreme. Tani që kritikët akuzojnë me të drejtë këta dy prezantues televizivë për një ndryshimin e kursit të tyre me 180 gradë, Joe dhe Mika e hëngrën turpin me bukë dhe thanë me hipokrizi se tani do të rihapin linjat e komunikimit me presidentin e zgjedhur.

Edhe pse propagandistët dhe apratçikët janë në panik nga lëkundjet e këtyre ditëve, ngrehina e propagandës është ende në këmbë. Përditë drejtues emisionesh, të ftuar në studio, analistë apo opinionistë të shtypit në të dyja anët e Atlantikut në Amerikën e Veriut, Europë e gjetkë supozojnë në “parashikimet” e tyre se Trump do të sjellë një ‘Rend të Ri’ botëror. Ata tjerrin profetësi për luftën në Ukrainë, Lindjen e Mesme, ekonominë, imigracionin, deportimet, administratën publike dhe aspekte të tjera të jetës social-ekonomike duke alarmuar nga e para opinionin publik për “fatin që e pret”.

Pa analizuar veçmas këto aspekte të problematikës që është ngritur pas zgjedhjeve të fundit, vlen që si fillim t’i përgjigjemi pyetjes: Çfarë mund të quhet Rend Ekzistues dhe çfarë quhet Rendi i Ri? Prej dekadash pas Luftës së Dytë Botërore është vërtetuar plotësisht se liria e individit dhe ekonomia e tregut janë modeli më i avancuar i shoqërisë dhe ky ka qenë rendi ekzistues që shpresojmë që të mbetet. Për hir të vërtetës, vitet e fundit grupe ekstreme të majta si ai i Klaus Schwab e frynë opinionin publik me predikime për një “rifillim apo rivendosje të madhe”, si teori ekstreme e farkëtuar në mbledhjet famëkeqe të Forumit Ekonomik Botëror në Davos. Ishte pikërisht goditja e sistemit aktual kapitalist dhe promovimi i programit socialist si “Green New Deal” e broçkulla të tjera që Schwab dhe pasuesit e tij paraqitën si qasje drejt një ‘Rendi të Ri’. Trump në këtë dekadë të tranzicionit të tij nga biznesi në politikë ka provuar se është tradicionalist dhe do të ruajë Rendin Ekzistues. Në Sesionin e 74-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 25 shtator 2019, ai artikuloi qartë se, “E ardhmja nuk u përket globalistëve. E ardhmja u përket patriotëve. E ardhmja u përket kombeve sovrane dhe të pavarura që mbrojnë qytetarët e tyre, respektojnë fqinjët e tyre dhe nderojnë dallimet që e bëjnë çdo vend të veçantë dhe unik”.

Në fakt, edhe pse Trump do të qëndrojë në Rendin Ekzistues, ai ka një qasje të re ndaj shqetësimeve kryesore të shoqërisë amerikane dhe botërore. Gjatë gjithë këtyre viteve, ai ka provuar se i qëndron parimit që Amerika të mos harxhojë triliona dollarë në luftëra që nuk janë të sajat. Votuesit kësaj here dukeshin të lodhur nga luftërat dhe fakti që miliarderët e industrisë së luftës do t’i mbushnin xhepat dhe një herë nga konfliktet e reja. Por kush do të paguante përsëri për ta? Amerikanët dinë aritmetikë.

Lufta në Ukraninë ka tri vite që ka filluar dhe nuk duket se mbaron ndonjëherë, edhe pse Biden ditët e fundit dha leje për përdorimin e raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi në territorin e Rusisë. Qasja e Trump për luftën është diametralisht e kundërt. Pa hyrë ende në Shtëpinë e Bardhë Trump ka zgjedhur gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e SHBA-ve për Ukrainën dhe Rusinë dhe është shprehur qartë se do të tërheqë armët nga Ukraina, nëse ata nuk hyjnë në bisedime paqeje me Rusinë dhe nga ana tjetër paralajmëron Moskën se, nëse refuzon të negociojë, mbështetja e SHBA-ve për Ukrainën do të rritet. Edhe pse masmediat trumbetojnë të kundërtën qasja paqësore e Trump ndaj luftës është evidente. U deshën vetëm disa orë pas zgjedhjes së tij dhe situata në Lindjen e Mesme u trondit nga themeli. Të nesërmen e zgjedhjeve, pa pritur që Trump të hyjë në Shtëpinë e Bardhë, Hamasi bëri thirrje për paqe dhe këto ditë ambasadori i Izraelit në Shtetet e Bashkuara, Mike Herzog tha se një marrëveshje armëpushimi për t’u dhënë fund luftimeve midis Izraelit dhe militantëve të Hezbollahut me bazë në Liban mund të arrihet. “Trump është jashtë kontrolli”, trumbetojnë analistët në dhjetëra organe masmediash. Kjo varet si ta shohësh. Disa analistë si Tucker Carlson këtë shprehje e plotësojnë duke thënë se ai e kontrollon veten “por është jashtë kontrollit të tyre”. Para pak ditësh, tronditja e radhës ishte se Trump paralajmëroi Kinën si dhe vendet kufitare, Meksikën dhe Kanadanë për traifa të rënda për eksportet e tyre në Shtetet e Bashkuara. Opinioni publik u bombardua menjëherë me shifra se «farë dëmesh ekonomike do të përballen vendet kufitare me rritjen e tarifave me 25 për qind. Pothujase aspak nuk u fol për qëllimin kryesor të vendosjes së tarifave, që në fund të fundit bazohen në premtimin e Trump për të forcuar prodhimin në vend. Veçse po të lexosh me kujdes postimin e Trump në “Truth Social”, ai shton se “tarifat do të mbetet në fuqi derisa të dyja vendet të ndalojnë kalimin e ilegalëve dhe drogës nga ato vende në Shtetet e Bashkuara”. Ishte pikërisht ky kusht që e detyroi Kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau të mbledhë urgjent përfaqësuestit e Provincave për të analizuar gjendjen dhe të fluturojë në Florida për të takuar personalisht Trump në Mar-aLago. Detajet e bisedës mes dy liderëve nuk u zbardhën plotësisht, por në media më shumë u komentuan batutat e humorit në tavolinën e ngrënies kur Trump tha se Kanadaja mund të ishte shteti i 51-të i SHBA-ve. Sipas “Bloomberg”, në atë darkë Trump ngriti shqetësime të tjera serioze. Një nga pikat e nxehta që u prek në bisedë ishte ajo e trafikut të imigracionit të paligjshëm në kufi që sjell fentanolin e për rrjedhim po vret të rinjtë. Sapo Trudo u kthye nga Mar-a-Lago, ministri i Sigurisë Publike, Dominic LeBlanc, deklaroi se Kanadaja do të forcojë sigurinë e saj kufitare në kohë, duke nënkuptuar se masat do të merren përpara inaugurimit të presidentit të zgjedhur Donald Trump. Sipas www.overdoseday.com vetëm në 2023 në Shtetet e Bashkuara kanë gjetur vdekjen mbi 100 mijë, ndërsa në Kanada mbi 8 mijë të rinj e të reja. Rreth 70-80 për qind e këtyre vdekjeve janë shkaktuar nga drogat sintetike e kryesisht nga fentanoli, që në pjesën më të madhe prodhohet në Kinë. Një nga arsyet që Trump urrehet nga përfituesit e trafiqeve është se ai i mban premtimet. Ai është betuar përpara zgjedhësve se do të luftojë për jetën e të rinjve, duke e penguar helmin që trafikohet nëpërmjet kufijve. Sigurisht që tarifat do të jenë valë e tërmetit që solli Trump dhe vende si Meksika dhe Kanadaja, etj., do të përballohen me këto nëse politikat e tyre të pasuksesshme nuk ndryshojnë. Ideatorët famëkeqë të përçarjes së elektoratit sipas gjinisë, racës, seksualitetit etj., për ta dominuar atë po shohin veten në terren të pasigurt, edhe pse Trump nuk është ngjitur ende në Zyrën Ovale. Agjendakrijuesit e nismave “DEI” (Diversitet, Barazi dhe Përfshirje) dhe “Woke” (ndërgjegjësimi i pakicave me ngjyrë) po shohin si kompani gjigande si “Walmart”, po prononcohen hapur për t’i nxjerrë punonjësit e tyre jashtë këtyre platformave përçarëse. Gjithashtu kompani simotra si “Amazon” dhe “Target” janë nën presion kur shohin “Walmart” që distancohet.

Aktorët e Hollywood dhe personazhet me famë që prej vitesh përçuan urrejtje ndaj Trump tek admiruesit e tyre, duket sikur janë futur në skuta. Disa emra të mëdhenj të artit si Beyoncé, Leonardo DiCaprio, Jennifer Lopez e të tjerë, që mbështetën kandidaturën e dyshes Harris/ Walz nuk kanë dalë nga qendra e vëmendjes për faktin se Kamala humbi zgjedhjet. Ata flitet që janë emrat kryesorë në listat e zeza të festave sekrete që organizonte muzikanti Diddy. Siç dihet, Diddy është në gjendje arresti në Qendrën e Paraburgimit Metropolitan në Brooklyn i akuzuar për shantazh, trafik seksual me forcë dhe për qëllime prostitucioni. Në një intervistë dy muaj më parë, Elon Musk është shprehur se listat e bashkëfajtorëve me trafikantin tjetër seksual Epstein, që u vetëvra në mënyrë misterioze në burg do të publikohen. Nuk është çudi që Musk të merret seriozisht me publikimin e listave të Epstein dhe Diddy. Kjo do të ishte tronditja e radhës për hipokritët e Hollywood. Nuk mund të hipësh në podiumet elektorale për t’u predikuar qytetarëve kë të zgjedhin dhe në të njëjtën kohë të zhytesh në orgjitë sekrete që organizonte Diddy!

Tërmeti “Trump” po perceptohet si triumf te prindërit dhe fëmijët që kohët e fundit kanë qenë konfuzë përsa i përket identitetit gjinor. Ideja e Trump është që t’i kthehet asaj që ka qenë pranuar prej shekujsh. Ai do t’i kërkojë Kongresit që të pranojë që të njihen vetëm dy gjini nga lindja. Ai është i vendosur që t’i jepet fund praktikës që individë të lindur meshkuj të konkurrojnë në sport me femrat. Vetë Ilon Musk e konsideron veten viktimë të propagandës transgjinore. Është fakt që një nga djemtë e tij, Vivian Jenna Wilson, u kthye në femër gjatë periudhës së konfuzionit për shumë të rinj gjatë epidemisë COVID. “Woke vrau djalin tim” është shprehur ai në rrjetin social ‘X’. Prej kohësh, aktivistë si Chloe Cole që kanë pasur të njëjtin fat me fëmijën e Musk, janë ngritur publikisht kundër të ashtuquajturit “Kujdes Gjinor për të Miturit”. Ky “kujdes” në fakt përligj vendimin për të t’i futur adoleshentët nën trajtime mjekësore me efekte permanente që përfshijnë bllokues të pubertetit, testosterone dhe mastektomi të dyfishtë. Zëri i këtyre aktivistëve nuk është dëgjuar sa duhet, por pas tërmetit ky fenomen duket se do të shihet ndryshe.

Ndoshta më në gjendje kaosi janë të ndikuarit nga propaganda anti-Trump. Ata që njihen me termin TDS (Sindromi i Çrregullimit Mendor nga Trump) mund të thuhet se janë të konsiderueshëm në numër. Vetë komentatori politik i CNN, Fareed Zakaria, e përkufizon këtë sindromë si “urrejtje ndaj Presidentit Trump aq intensive saqë dëmton gjykimin”.

Ditët e fundit një grup i konsiderueshëm femrash po ndjekin një lëvizje radikale feministe me origjinë nga Koreja e Jugut, që gratë ndërpresin marrëdhëniet me burrat për shkak të shoqërisë patriarkale të vendit të njohur atje me termin ‘4B’ e që në anglisht njihet me termin “pussy strike”. Fakti është që në rrjetin social “TikTok” dhjetëra gra amerikane po postojnë video duke rruar kokën për të protestuar kundër rizgjedhjes së Donald Trump. Ato mendojnë se kështu ato do nuk do të jenë tërheqëse për burrat që nuk votuan për Harris. Ato gjithashtu deklarojnë se nuk do të bëjnë seks deri më 2028, ndërkohë që çuditërisht grumbullojnë gjithashtu për çdo rast pilula aborti ose kontraceptivë. Për hir të vërtetës, nga njëra anë kjo lëvizje injoron shumë gra kur dihet se 43 për qind e femrave nga moshat 18-44 vjeç votuan për Trump. Nga ana tjetër, vendimi për të mos bërë seks dhe për të mbajtur kontraceptivë në të njëjtën kohë është kontradiktor. Gazeta “The Guardian” shkruan se beqaria vullnetare ka qenë në rritje në SHBA, por fitorja e Trump i dha një shtysë të madhe. Ndoshta këtu gjen vend ajo pyetja retorike që thuhet në Labëri në kësi rastesh: “Ore, mos u ka ndodhur gjë nga Mendoria?”.

Sado qesharak të duket ky fenomen, kur lajthitja merr përmasa kolektive, konseguencat duhen marrë me seriozitet. Deri tani qytetarët janë infektuar nga propaganda e gazetarëve dhe politikanëve të paguar, që pa kursim kanë përdorur termat fashist apo Hitler. Tani është kohë tjetër dhe në dritën e fakteve të reja për të kthjelluar kokën do duhet së pari t’i bësh pyetje vetes: Në çfarë rrethanash mund të quhet lideri i zgjedhur ‘fashistët’? Kur hedh bomba mbi kokën e qytetarëve të vendeve në konflikt apo kur përpiqet për të vendosur paqe, kur eksporton punët në Kinë dhe Indi apo kur rrit prodhimin në vend dhe i jep frymëmarrje klasës së mesme, kur i orienton prindërit dhe mjekët që t’u japin fëmijëve bllokues të pubertetit apo kur i orienton nga e kundërta, kur i përçan qytetarët sipas racës, orientimit seksual, gjinisë etj., apo kur i bashkon dhe përulet vetëm përpara flamurit dhe Himnit Kombëtar?/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura