Ekipet e shpëtimit në Italinë veriore vazhdojnë të kërkojnë për të mbijetuar, pas tërmetit që ka goditur të martën këtë rajon dhe ka shkaktuar vdekjen e të paktën 16 personave.
Zyrtarët policorë thonë se të paktën edhe një person figuron i zhdukur.
Tërmeti prej 5.8 shkallësh të Rihterit është ndjerë në tërë pjesën veriore dhe qendrore të Italisë dhe ka shkatërruar ndërtesat edhe ashtu të dëmtuara nga tërmeti i pak ditëve më parë.
Dridhjet e fuqishme të tokës më 20 maj kanë shkaktuar vdekjen e shtatë personave, si dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Autoritetet qeveritare thonë se numri i personave të pastrehë është rritur në 14,000 si pasojë e të dyja tërmeteve. Më 2009, tërmeti në L’Akuilla të Italisë ka vrarë afro 300 persona.
© Panorama.al











