Tërmeti në Itali, 6 të vdekur dhe mijëra të pastrehë

May 21, 2012 | 13:57

Kulla e shkatërruar në Emilia Romanja

Lëkundjet në orët e para të mëngjesit, shkatërrohen kullat njëmijëvjeçare.

Italia veriore u godit dje, në orët e para të mëngjesit, nga një tërmet i fortë prej gjashtë ballësh të shkallës “Rihter”, i cili shkaktoi edhe viktima. Gjashtë të vdekur, 50 të plagosur dhe të paktën 3 mijë të zhvendosur është bilanci i tërmetit që ra dje në pjesën veriore të Italisë. Ndërkohë që njerëzit të tmerruar qëndrojnë jashtë shtëpive të tyre me lëkundjet që vazhdojnë, pritet që gjatë natës të jetë edhe mot i keq. Zona e goditur më rëndë është Emilia Romanja, ku dridhjet e tokës janë të vazhdueshme. Tërmeti më i fuqishëm që ndodhi dje në këtë zonë, mes 75 tërmeteve të regjistruara, ishte ai gjashtë ballësh, i cili zgjati 20 sekonda, mjaftueshëm për të shkatërruar ndërtesat e vjetra historike të zonës. Tërmeti goditi në orën 4:04 të mëngjesit të së dielës. Ishte i papritur dhe goditi në një zonë që nuk konsiderohet shumë e rrezikuar nga tërmetet. Epiqendra e tërmetit të orës 4:04 ishte në San Felice, Panaro, 36 kilometra në veri të Bolonjës. Tërmeti u ndje në disa rajone të Italisë qendrore-veriore, si: Toskana, Veneto, Lombardia, Liguria, Marke, Trentino, Friuli dhe Rovigo. Lëkundjet janë ndier edhe në Milano.
Lëkundjet pas tërmetit
Me kalimin e kohës, 75 post-tërmete godisnin vazhdimisht zonën, me më të fortin që ndodhi në orën 15:18, në 5.1 ballë, i cili shkaktoi lëndimin e një të riu, një prej skuadrave të shpëtimit. Dëmet ekonomike janë konsideruar ende të pallogaritshme, përfshirë kishat dhe objektet e trashëgimisë artistike. Të hënën të gjithë shkollat në këtë zonë do të qëndrojnë të mbyllura deri në verifikimin e sigurisë së tyre.
Shtab emergjence
Presidenti i rajonit Emilia Romanjaa, Vasko Errani, do të kërkojë nga qeverisja qendrore një shtab emergjence nacionale, i cili do të formohet të martën në takimin e Këshillit të Ministrave. Kryeministri italian, Mario Monti, i cili ndodhej në Çikago për samitin e NATO-s, u kthye më herët në Itali pas ngjarjes në Emilia Romanja, e asaj në Brindisi një ditë më herët, në shpërthimin e shkollës “Falkone”, ku humbi jetën një 16-vjeçare.
Viktimat
Pesë persona humbën jetën nën rrënoja dhe një tjetër nga një sëmundje e provokuar nga tmerri. Viktima e parë ishte një punëtore 29-vjeçare, së cilës i ra mbi kokë çatia e ndërtesës ku punonte, Uru në Ponte Rondoni, Bondeno. Një tjetër punëtor ka humbur jetën ndërsa punonte në turnin e natës në “Tecopress”, Sant’Agostino. Dy viktima të tjera ishin punëtorë të turnit të natës në fabrikën e qeramikës, po në Sant’Agostino. Viktima tjetër ishte një grua e moshuar, 103 vjeçe, së cilës iu shemb çatia e shtëpisë. Ndërsa një grua tjetër, gjermane, po flinte në “Sant’Alberto”, në Kasale, dhe vdiq nga një sëmundje e rënduar nga frika.
Të pastrehë
Kreu i mbrojtjes civile, Franko Gabrielli, ka siguruar se prioritet është sistemimi sa më shpejt i personave të nxjerrë nga shtëpitë. Ata janë rreth tremijë vetëm në zonën e Ferraras dhe në Bologna. Por nëse llogariten edhe ata të Finale Emilia, një prej komunave më të goditura, numri i pastrehëve nga tërmeti shkon në katërmijë. Tendat nuk mund të përdoren, pasi moti gjatë natës pritet i keq, ndërkohë që janë vënë në dispozicion strukturat komunale dhe hotelet. Dëmet e kompanive private, ndërtesave të tyre janë të pallogaritshme, por më të mëdha konsiderohen dëmet e trashëgimisë kulturore. Në Sant’Agostino, një prej komunave më të goditura ku humbën jetën tre njerëz, shumë ndërtesa industriale  janë rrënuar, si dhe kulla e kambanës dhe pallati i Bashkisë. Ndërsa në San Felice, epiqendra e lëkundjes më të fortë, është rrëzuar Kulla e Rocca-s. Tërmeti i pasdites prej 5.1 ballësh ka hedhur në tokë Kullën Modenezi në Finale Emilia. Orët e këtyre kullave u ndalën të gjitha në orën 4:04 të mëngjesit, duke i dhënë fund kështu historisë së tyre njëmijëvjeçare.

© Panorama.al

Te lidhura