Artan Shkëmbi nuk është më president i klubit të Pogradecit. Lajmin e konfirmoi dje për “Panorama Sport” vetë kryebashkiaku. I kontaktuar nga gazeta për të dhënë një koment në lidhje me ndeshjen ndaj Skënderbeut, Shkëmbi lëshoi “bombën”, duke bërë të ditur se nuk është i angazhuar fare me skuadrën. I njohur si një nga kryebashkiakët që e do futbollin dhe për më tepër që ka investuar shumë në një klub si Pogradeci, duket disi e çuditshme për ta besuar këtë tërheqje. “Kam kohë që nuk merrem me futbollin shqiptar. Në këtë periudhë unë thjesht u jam përmbajtur detyrimeve financiare që kam ndaj futbollistëve të Pogradecit. Më besoni, nuk jam i angazhuar fare, por e vërteta është se unë nuk e kam bërë publike tërheqjen time. Kam gati 10 javë që nuk prononcohem në asnjë prej mediave për sa i takon situatës në klubin e Pogradecit. Dua të saktësoj se unë kam hequr dorë thjesht nga futbolli shqiptar. Nuk kam ndjekur asnjë ndeshje të Pogradecit në këtë periudhë. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se unë nuk e dua futbollin. Me kënaqësi mund të them se për herë të fundit kam qenë në stadium për të ndjekur ndeshjet e Ligës së Kampioneve, Barcelona-Çelsi dhe Real Madrid-Bajern Mynih. Kjo është e gjitha dhe kësisoj unë nuk mund të prononcohem për sfidën e radhës që ka Pogradeci. E përsëris, kam hequr dorë nga futbolli shqiptar”,- deklaroi kryebashkiaku. Ndeshja Pogradeci-Skënderbeu është një finale për të dyja skuadrat. Liqenorët luajnë për mbijetesë, ndërsa korçarët për t’u shpallur kampionë. Nëse skuadra fierake, që është rivale direkte e Pogradecit për mbijetesën, fiton me Tomorin, atëherë ekipin e Ylli Çekiçit e shpëton vetëm triumfi ndaj Skënderbeut. Pogradecit i intereson edhe një barazim në ndeshjen Apolonia-Tomori, pasi edhe nëse humbet me korçarët, mbijeton në Kategorinë Superiore.
Abazaj i merr 10.5 mln Tiranës
Oriand Abazaj, futbollisti që pak kohë më parë paditi ish-klubin e tij në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve, fiton gjyqin kundër Tiranës. Ai pretendonte se bardheblutë i detyroheshin 3 paga të prapambetura, të cilat në total shkonin 10.5 milionë lekë (të vjetër). Pas zhvillimit të 6 seancave, ajo e djeshmja e zhvilluar në FSHF vendosi se K.F Tirana duhet të paguajë këtë shifër në drejtim të ish-lojtarit. Klubi i Tiranës ka vetëm 21 ditë kohë për ta apeluar këtë verdikt në Gjykatën e Lozanës.











