TIRANE- Kreu i LSI-së, Ilir Meta shprehu keqardhje të thellë për rastin e humbur nga opozita, e cila nuk pranoi kandidaturën, tashmë të tërhequr të, Xhezair Zaganjorit.
Menjëherë pas tërheqjes së Zaganjorit, Meta në një komunikim të tij me mediat tha se tërheqja ka qenë një iniciativë tërësisht sovrane e tij, dhe sipas Metës, kjo konfirmon integritetin dhe personalitetin e Zaganjorit,faktin se ai nuk e kërkoi këtë pozitë por iu kërkua për hir të një konsensusi të gjerë për të marrë postin më përfaqësues, Presidentin.”
“Kjo tërheqje meriton një vlerësim, të paktën nga LSI, një mesazh për gjithë klasën politike, për të reflektuar për të bërë edhe ndonjë përpjekje tjetër por në fund të fundit për t’i hapur zgjidhje këtij problemi, ku sovrani është Parlamenti.”- tha Meta.
Në ditën në vazhdim tha ai do të bisedohet me PD-në, për ecurinë e mëtejshme.
“Ne do të kontribuojmë që Shqipëria të ketë javës që vjen, nga e hëna presidentin e ri. Na vjen keq për këtë tërheqje, i cili u paragjykua padrejtësisht nga opozita, megjithatë do të ecim përpara.”- përfundoi Meta.
Më heret kreu i LSI-se, Meta ishte shprehur; “Nëse nuk do ketë propozime nga ana e opozitës, që të rezultojnë bindëse edhe për maxhorancën, do të votohet kandidatura e Zaganjorit”.
Ai deklaroi se mbetet në koherencë me qëndrimet e vetë publike, që kanë konsistuar në dy elementë; që presidenti të zgjidhet në mënyrë kushtetuese dhe sa më konsensuale.
“Konsensus është fjalë shumë e rëndësishme dhe me shumë kuptim, por është edhe tepër relative, që do të thotë se politikanë të ndryshëm, apo edhe qytetarë të ndryshëm mund të kenë kuptime të ndryshme për konsensusin”- tha ai.
Sipas Metës, mundësisë për konsensus që i është dhënë opozitës edhe ajo duhet t’i përgjigjej me një mundësi tjetër për konsensus që i drejtohet maxhorancës.
“Ka qenë përpjekje e sinqertë për konsensus. Nëse kandidatura e Zaganjorit për arsye kryesisht të mënyrës së komunikimit me opozitën nuk e gëzon konsensusin parlamentar, e kam theksuar se kjo figurë do gëzojë konsensus më të gjerë në opinionin publik”- tha ai.
© Panorama.al











