TEPELENE- Loja me zjarrin ka rezultuar fatale për një fëmijë 5 vjeçe nga fshati Salari në Tepelenë. Kristina Hita është djegur e gjallë nën flakën e kashtës së kasolles pranë shtëpisë së saj, ndërkohë që zjarrvënësja është e motra një vit më e madhe, e cila shpëtoi mrekullisht. Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 21:00. Dy motrat 5 dhe 6 vjeç po luanin me shkrepëse për t’i vënë flakën barit të thatë, por zjarri pushtoi menjëherë të gjithë plevicën duke rrethuar edhe të miturat. Pasi kanë luftuar me flakët, 6- vjeçarja ka mundur të dalë pa pësuar lëndime, ndërsa e vogla nuk ka arritur duke pësuar vdekjen. Ngjarja ka ndodhur në momentin kur prindërit e fëmijëve nuk ndodheshin në shtëpi. Fqinjët kanë nxituar në momentin që kanë dëgjuar britmat e së motrës teksa kërkonte ndihmë. Por ata kanë mbërritur tepër vonë, pasi flakët e kishin djegur të gjallë 5-vjeçaren. Policia konstatoi në vendngjarje se zjarri ka qenë aksidental nga loja e të miturave. p.n











