Tepelenë, bariu u vra për konkurrencë kullotash

Aug 27, 2012 | 13:17
Vendi ku u vra dhe u dogj bariu

TEPELENE – Zbardhet krimi monstruoz ndaj çobanit 21-vjeçar Haki Manaj, i cili mbrëmjen e së shtunës u supozua se kishte humbur jetën i asfiksuar nga zjarri. Policia e Gjirokastrës ka përmbysur rrethanat e vdekjes së të riut nga fshati Buz i Tepelenës. Fillimisht u raportua se Manaj humbi jetën si pasojë e djegies së tij nga flakët e zjarrit në një kullotë afër fshatit Valare në Gjirokastër pranë luginës së Drinos, ndërsa një ditë më pas u vërtetua se ai ishte vrarë me çifte. Policia ka arrestuar Xhevat Dudumin, 19 vjeç, nga lagjja Varrosh në qytetin e Gjirokastrës, pasi akuzohet se e ka qëlluar viktimën me armë gjahu dhe për të fshehur gjurmët, i vuri zjarrin duke e mbështjellë edhe me letra plastmasi. Kjo është zbardhur vetëm gjatë orëve të para të mëngjesit të së dielës, kur eksperti mjeko-ligjor, pas ekspertizës në trupin e viktimës, identifikoi saçmen e çiftes, e cila kishte ngelur në krahun e majtë të brinjës së sipërme. Fill pas kësaj, policia është vënë në kërkim të autorit të krimit, i cili fshihej mes 15 dëshmitarëve që u morën mbrëmjen e të shtunës në pyetje, nga ana e oficerëve të policisë. Të gjithë këta, patën deklaruar një ditë më parë, se viktima, kishte humbur jetën si pasojë e djegies në flakët e zjarrit, në një kullotë pranë fshatit Valare rreth 5 km në lindje të qytetit të Gjirokastrës. Çobani 21 vjeçar që humbi jetën, punonte si çirak në një familje në fshatin Valare, për të mbajtur me të holla familjen e tij në Buz të Tepelenës. Kanë qenë specialistët e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, ata që pas disa orëve, hetimi me metoda speciale, kanë bërë të mundur zbardhjen e plotë të ngjarjes e cila pati për autor të krimit, 19-vjeçarin Dudumi. Ky i fundit, është arrestuar menjëherë nga uniformat blu, pasi është autori i vetëm që kishte dhënë dëshmi kontradiktore një ditë më parë dhe tradhtoi veten në një moment, përgjatë rrëfimit në polici. Burimet policore, pranojnë se krimi është kryer për motive të dobëta pasi viktima me agresorin, ishin konfliktuar me njëri-tjetrin thjesht për administrimin e një kullote aty pranë, për bagëtitë që nuk ishin të tyret.             p.n

© Panorama.al

Te lidhura