
Në fshatin Izvor, Komuna Luftinjë në rrethin e Tepelenës, kanë identifikuar 196 rrënjë kanabis në një zonë fushore. Policia ka ndërhyrë në orët e para të mëngjesit, por që nuk mundi dot të arrestonte kultivuesit e lëndës narkotike.
E gjithë marijuana, ishte kultivuar në vendin e quajtur Thima në shtratin e një honi pranë fshatit Izvor. Kultivuesit e arratisur nga policia, kishin hapur rishtas, dy parcela të cilat ishin të mbjella me Kanabis Sativa.
Aksioni për shfarosjen e bimëve narkotike, erdhi në krye të pesë ditëve vëzhgimi nga ajri dhe toka të Policisë së Shtetit në zonën në fjalë e cila që më parë dyshohej se ishte mbjellë me kanabis. Në secilën parcelë policia ka evidentuar nga 98 gropa të mbushura me pleh ku në çdo prej tyre, kishte nga një rrënjë Kanabis.
Policia nuk ka mundur dot të arrestojë tre të rinjtë kultivues të marijuanës banorë të Izvorit, por i ka identifikuar ata. Bimët kishin një gjatësi nga 5-85 cm dhe pas marrjes së disa bimëve në cilësinë e provës materiale, pjesa tjetër u asgjësua me anë të djegies.
Sipas zëdhënësit të Policisë së Gjirokastrës Gentian Mullai, operacionet për parandalimin dhe kultivimin e bimëve narkotike në të gjithë territorin e Qarkut, si dhe goditjen e lëndëve narkotike, do të vijojnë pa mbarim.
Piro Nase
© Panorama.al











