
I riu rrezikon akuzën e marrëdhënies me të mitur, mbajti në banesë vajzën e larguar nga familja.
Tiranë, 22-vjeçari shpëton nga vdekja, bashkëjetoi me të miturën.
Një 22-vjeçar ka tentuar t’i japë fund jetës duke u vetëvarur me një tel në banesën ku jetonte me qira në Tiranë. Megjithatë, fati nuk ishte vendosur në një mënyrë të tillë, pasi i riu ka shpëtuar për shkak se teli është këputur në minutat e para të ngjarjes. Tentativa e vetëvarjes ndodhi në afërsi të shkollës “Bajram Curri”, në rrugën “Niko Avrami” në kryeqytet, banesë ku i riu Mirand Meta, nga Durrësi, kishte bashkëjetuar prej një viti me një vajzë në moshë të mitur. Shkaku i ngjarjes, sipas Policisë, ka qenë pikërisht ndërprerja e bashkëjetesës nga vajza, që në fakt rezulton të jetë një minorene, vetëm 13 vjeçe. Shtetasi Mirand Meta ishte zhvendosur nga Lagjja Nr. 14, tek ish-Nish Tulla në Durrës, që prej vitit 2011 për të jetuar me vajzën që dashuronte, Habibe D., e cila në atë kohë ishte 12 vjeçe. Por, pavarësisht se i ka shpëtuar vdekjes, i riu rrezikon burgun, pasi përveç akuzës për “shkaktim vetëvrasje të mbetur në tentativë”, ka shumë mundësi të mos i shpëtojë akuzës tjetër edhe më të rëndë, “marrëdhënie seksuale me të mitur”. Pavarësisht se nga të dhënat paraprake të Policisë rezulton që familja e vajzës ka qenë në dijeni të lidhjes së tyre, madje kanë lejuar edhe bashkëjetesën, pavarësisht se vajza ishte e mitur, Meta rrezikon dënimin deri me 15 vjet burg. Paraprakisht ai ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak, pasi po mjekohet nga plagët që i ka shkaktuar teli në qafë. Ndërsa ndaj tij ka nisur procedim penal dhe pritet edhe arrestimi.
Tentativa e vetëvarjes
Drama që ka përjetuar pasi e ka lënë e dashura me të cilën bashkëjetonte prej një viti, e ka shtyrë 22-vjeçarin drejt vetëvrasjes. Ai ka arritur të mbijetojë pasi teli i aluminit që kishte zgjedhur për të lidhur rreth qafës e më pas të vetëvarej është këputur. Mirand Meta, nga Durrësi, ka arritur t’i shpëtojë vdekjes vetëm me disa plagë të lehta në qafë, për të cilat është shtruar menjëherë për mjekim në Spitalin Ushtarak. Policia e Tiranës është njoftuar për ngjarjen nga prindërit e vajzës me të cilën ai bashkëjetonte, 13-vjeçares Habibe D. I pyetur nga oficerët e Komisariatit Nr. 4 për arsyet e tentativës së vetëvrasjes, i riu ka shpjeguar se shkak ka qenë ndarja me të dashurën. Sipas tij, vajza me të cilën ai bashkëjetonte prej një viti ishte larguar nga banesa një javë më parë dhe kishte vendosur të ndahej përfundimisht me të. Por, këtë fakt ai nuk e ka përballuar dot, duke tentuar të vrasë veten.
Familja e braktisi 22-vjeçarin
Mirand Meta, 22 vjeç, i cili para një viti kishte braktisur familjen e tij në Durrës për të jetuar me vajzën që dashuronte në Tiranë, aktualisht ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak, ku po mjekohet pas tentativës për të vrarë veten. Mjekët thanë se i riu nuk ka më asnjë rrezik për jetën, pasi plagët në qafë të shkaktuara nga teli kanë qenë të lehta.
Policia: Hetim nëse i riu ngacmoi vajzën e mitur
TIRANE – I riu nga Durrësi, para se të merrte vendimin për të vrarë veten, mund të mos ketë qenë në dijeni se mund të rrezikojë edhe burgun pas deklarimeve që ka dhënë për oficerët e Policisë. Gjatë marrjes në pyetje në Spitalin Ushtarak ai ka shpjeguar se motivi i vetëvrasjes ka qenë ndarja nga e dashura, e cila rezulton të jetë vetëm 13 vjeçe. Ai vetë ka pohuar se për një vit ka bashkëjetuar me të në një banesë. Por, në rast se provohet nga mjekët ligjorë se Mirand Meta ka kryer marrëdhënie seksuale me vajzën Habibe D., ai rrezikon të arrestohet për marrëdhënie seksuale me të mitura. Nëse e mitura ngre padi penale në polici ndaj të riut, atëherë, sipas ligjit shqiptar, ai rrezikon akuzën e marrëdhënieve seksuale me të mitur në rast se provohet se ka kryer marrëdhënie me 13-vjeçaren.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











