
Tenton përdhunimin e vajzave të xhaxhait, arrestohet 24-vjeçari dhe kushëriri i tij.Një ngjarje e rëndë, ndodhur në orët e para të mëngjesit së 19 gushtit në komunën Qukës të Librazhdit, u zbardh plotësisht nga policia, e cila vuri në pranga autorët. Sipas burimeve zyrtare të policisë, rreth orës 02.00 të mëngjesit, dy shtetas të maskuar dhe të armatosur me thikë kanë hyrë në banesën e familjes së dy vajzave: L.B, 17 vjeçe dhe K.B, 20 vjeçe. Nëndrejtori i policisë, Rezar Velmishi, tha për gazetën se për këtë rast kemi të bëjmë me disa vepra penale: tentativë përdhunimi, dhunim banese dhe dhunim fizik. Mësohet se dy autorët, njëri kushëri i parë dhe tjetri i tretë, Ardian B., 16 vjeç dhe Bukurosh B., 24 vjeç, kanë qenë të dehur kur planifikuan përdhunimin e dy motrave. Ata janë maskuar për të mos u njohur prej tyre dhe kanë hyrë në shtëpinë e vajzave, pasi dinin që atë natë ato ndodheshin të vetme, pa prindërit. Me anë të një thike ata kanë mundur të hyjnë në shtëpi dhe kanë nisur të bërtasin me zë të lartë dhe duke trashur zërin, për të mos u identifikuar. Ata i kanë goditur me grushte vajzat, duke i detyruar të zhvishen. Njëra prej tyre është plagosur, pasi 16-vjeçari ka tentuar t’i grisë rrobat duke përdorur thikën. Këto të fundit kanë nisur të bërtasin dhe kanë qenë fqinjët ata të cilët kanë hyrë në banesë me shpejtësi, çka ka bërë që autorët të largohen me shpejtësi nga banesa. Policia, e cila është lajmëruar vetëm pak minuta pas ngjarjes, mbërriti në fshat duke gjetur dy motrat në gjendje të rëndë, jo vetëm psikologjike, por dhe fizike, pasi ishin goditur me grushte e thikë. Menjëherë nisën hetimet dhe u morën në pyetje banorët e fshatit. Madje, Policia nisi edhe të hetojë rreth jetëve personale të dy vajzave, me qëllim që të zbulonte autorët. Në pyetje u morën edhe prindërit e vajzës, për të zbardhur rastin i cili mund të etiketohej si hakmarrje, vjedhje, dhe në fund përdhunim. Pas tyre u morën në pyetje dy motrat. Ka qenë vajza e vogël, e cila ka hedhur dyshimet e para, duke pohuar se njëri prej tyre ka qenë djali i xhaxhait, të cilin e ka identifikuar në një moment nga zëri kur i bërtiti dhe e goditi me grusht e më pas nga trupi dhe e ecura, në kohën kur po largohej para se të vinin fqinjët. Pas këtij rrëfimi, policia u vu në ndjekje të autorëve, të cilët u gjetën të fshehur në një kasolle në kodrinat e fshatit Fanjë. Arrestimi i tyre u bë mesditën e djeshme, pas verifikimit dhe të gjurmëve të gishtave e marrjes së dëshmisë së autorëve. Nga marrja e tyre në pyetje ka rezultuar se plani ka qenë i 16-vjeçarit, i cili ka bindur dhe 24-vjeçarin për të kryer përdhunimin e dy kushërirave të tyre.
Familjet
Ngjarja ka tronditur familjet e përfshira dhe vetë vajzat janë në gjendje të rëndë, jo vetëm prej asaj që u ndodhi, por mbi të gjitha se autorët janë kushërinjtë e tyre. Në këtë fshat, pjesa më e madhe e banorëve janë të afërm me njëri-tjetrin dhe ky ka qenë shkaku që policia nuk e bëri të ditur ngjarjen deri në zbardhjen e plotë të saj, si dhe pranimin e përdhunimit nga vetë autorët.
LIBRAZHD/ MIRANDA SADIKU
© Panorama.al











