KAVAJE – Një 21-vjeçar humbi jetën mesditën e së dielës kur po tentonte të këpuste për ta vjedhur një tel korrenti nga shtylla e tensionit të lartë. Ngjarja ndodhi në fshatin Koçaj të komunës Sinaballaj në Kavajë. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, viktima është Zamir Alimani, 21 vjeç, nga Dibra, banues në Kombinat të Tiranës. Nga të njëjtat burime mësohet se të dielën në mëngjes, katër të rinj kishin udhëtuar nga lagjja “Kombinat” e Tiranës drejt fshatrave të Kavajës, me qëllim vjedhjen e telave që përcjellin energji elektrike e më pas shitjen e tyre për skrap. Të rinjtë janë ndarë në dy grupe dhe kanë shkuar në fshatra të ndryshme për të vjedhur, por tre prej tyre janë arrestuar në flagrancë nga policia e Kavajës, ndërsa i katërti ka pasur fundin më tragjik, pasi nga kontakti me rrymën elektrike ka mbetur i vdekur në vend. Sipas burimeve nga Policia, Erenik Çelaku, 24 vjeç, i cili është arrestuar, ka qenë duke pritur shokun e tij, Zamir Alimani, që të zbriste nga shtylla e tensionit të lartë ku kishte hipur për të këputur telin e korrentit. Por, në momentin që Alimani ka vendosur pincat me qëllim këputjen e kabllos elektrike ka rënë në kontakt me tensionin e lartë dhe ka mbetur i varur në shtyllë, duke gjetur vdekjen. Ndërsa dy miqtë e tyre, Eduard Rama, 30 vjeç dhe Shkëlzen Osmanaj, 23 vjeç, janë arrestuar pasi kishin vjedhur tri karpate teli, rreth 800 metra, të linjës që furnizonte me energji fshatin Methasanaj, të komunës Sinaballaj.
Durrës, kosovari kapet me armë në Port
DURRES – Tentoi të kalonte kufirin me armë, arrestohet në Portin e Durrësit kosovari. Arben Hajdari, 29 vjeç, lindur në Kosovë e banues në Zvicër, sipas Policisë së Durrësit, u prangos në sheshin e trageteve. Në makinën me të cilën qarkullonte ai, tip “Volkswagen” me targë ZH 657350, shërbimet e policisë kufitare gjetën një armë zjarri pistoletë të markës “Zastava”, e kalibrit 7.65 mm, së bashku me një krehër me 9 copë fishekë, të cilat ky shtetas i mbante pa leje. Hajdari është shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Durrësit deri në sqarimin e shkaqeve pse ai po udhëtonte i armatosur. Sipas Policisë, ai do të lundronte nga Durrësi në Bari e më pas kishte destinacion Zvicrën.











