VLORE – Tentoi të përdhunonte 6-vjeçaren, i arrestuari pret damarët në paraburgimin e Vlorës. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 13:00, kur 22-vjeçari Sajmir Demaj tentoi t’i jepte fund jetës duke u vetëprerë me brisk në qelinë e tij. Burime të Policisë bënë të ditur se i riu ka arritur të presë damarët e të dy duarve, ndërsa ka humbur ndjenjat në momentin kur po tentonte të priste edhe damarët e qafës. Demaj është gjetur në gjendje të rëndë nga një gardian i dhomave të paraburgimit. Ai dha alarmin pasi pa viktimën pa ndjenja në mes të një pellgu me gjak, ndërsa pasi mbërriti edhe mjeku, e nisën menjëherë në spitalin e Vlorës. Burime spitalore bënë të ditur se gjendja e tij është mjaft e rëndë, pasi ka humbur sasi të madhe gjaku. Sipas mjekëve, 22- vjeçari kishte prerje të thella në duar, si dhe një prerje në gjoks afër qafës. I riu ka pritur derisa shokët e qelisë të dalin në dhomën e ajrimit, për të tentuar më pas vetëvrasjen. Dyshohet se mjeti prerës është përdorur dhe hedhur nga të burgosur të tjerë. Vonesa për të dalë në dhomën e ajrimit ka bërë që gardiani të shkojë në dhomën e tij dhe të verifikojë çfarë kishte ndodhur, derisa zbuloi edhe ngjarjen e rëndë. Sipas mjekëve, Demaj i është nënshtruar edhe një operacioni për qepjen e damarëve, ndërsa i janë dhënë disa flakone me gjak. Por ata ende nuk kanë konfirmuar nëse viktima e ka kaluar rrezikun për jetën. Ngjarja për të cilën akuzohet 22-vjeçari ndodhi më 20 gusht të këtij viti. Një e mitur, 6 vjeçe, ka qenë duke kaluar në rrugë, kur është marrë me forcë nga i riu dhe e ka futur në korridorin e një pallati të vjetër që ndodhej aty afër. Duke përfituar nga gjysmëerrësira e ambientit, ai ka tentuar ta përdhunojë vogëlushen, por ajo ka arritur të bërtasë. Thirrjet e saj alarmuan banorët, të cilët sinjalizuan Policinë. Kjo e fundit mbërriti në vend dhe arrestoi autorin.











