TIRANË – Tentativa për të grabitur me armë një biznesmen i ka dështuar, por, përveçse një goditjeje me një gurë peshe në kurriz, duhet të vuajë edhe 5 vjet burg. Eduart Gjuzi, 29 vjeç, është deklaruar fajtor nga Gjykata e Tiranës për akuzat e “vjedhjes me armë, mbetur në tentativë” edhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Vendimi i fajësisë ndaj tij u shpall pak ditë më parë në gjykatën e kryeqytetit. Sipas vendimit, ngjarja për të cilën u dënua 29-vjeçari në 19 qershor 2008 është se ka tentuar të grabisë një pikë grumbullimi të hekurishteve në rrugën “Sadik Petrela” në Tiranë. “I pandehuri është futur brenda dhe menjëherë ka vajtur tek një kontejner, që shërbente si vend peshimi për hekurishtet dhe ku mbaheshin edhe lekët, aty ka gjetur shtetasin Arben Sina, i cili ishte i punësuar në këtë pikë. I pandehuri është afruar me shpejtësi, ka nxjerrë pistoletën që mbante me vete, duke ia drejtuar në fytyrë shtetasit A. Sina, duke i thënë: “Lekët, lekët, hape shpejt kasafortën”. Menjëherë A. Sina ka hapur kasafortën, që në rastin konkret ka qenë një frigorifer ku mbanin lekët. Në kohën që po kryente këtë veprim, i pandehuri i është drejtuar punëtorit tjetër S. Hajdari që ishte pranë A. Sinës, duke i thënë ‘Mos lëviz, se të vrava’. Në këtë kohë, jo shumë larg ndodhej edhe punëtori K. Zaimi, i cili po ndiqte me habi veprimet e të pandehurit Eduart Gjuzi. Gjuzi menjëherë i është drejtuar duke i thënë ‘hajde këtu’, si dhe e ka sharë duke i drejtuar pistoletën më të cilën ka realizuar një qitje, por pa i shkaktuar dëme. Në këtë kohë, i pandehuri Eduart, duke parë që A. Sina po vonohej në veprime, po i vononte lekët, i është drejtuar nipit të gruas së A. Sinës duke i thënë ‘do të vras, nëse A. nuk më jep leket’. Në këtë çast, A. Sina ka përfituar nga shpërqendrimi i të pandehurit dhe i është hedhur sipër me qëllim që t’i merrte pistoletën. Në përleshje e sipër, i pandehuri ka mundur të qëllojë me pistolete A. Sinën në këmbën e majtë dhe ka mundur që të shkëputet nga ai. Në këtë kohë, A. Sina ka bërtitur me të madhe, ndërsa i pandehuri Eduart Gjuzi ka dalë me vrap jashtë pikës së grumbullimit. Shtetasi A. Sina e ka ndjekur të pandehurin Eduart Gjuzi, duke e goditur me një gurë peshe në shpinë. Ai është kthyer dhe i ka drejtuar përsëri pistoletën, duke realizuar edhe një qitje, por pa shkaktuar ndonjë dëmtim. Kur ka arritur tek porta, i pandehuri Eduart ka tentuar të qëllojë përsëri, por pistoleta nuk ka realizuar qitje”, rrëfehej ngjarja në vendimin e zbardhur të gjykatës. ar.ba











