TIRANË- Presidenti Bamir Topi, duke reaguar me shqetësim për situatën e krijuar në veri të Kosovës dhe duke dënuar aktet e njëanshme të dhunës, vlerëson se Kosova është tashmë një realitet i njohur botërisht dhe sovraniteti i saj është i pakthyeshëm e i paprekshëm.
Në një deklaratë për mediat, Topi bashkë me shqetëismin për situatën, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Zyberi për humbjen e pazëvendësueshme të të dashurit të tyre dhe Policisë së Kosovës për humbjen e kolegut të rënë në krye të detyrës.
“Presidenti Topi vlerëson se Kosova është tashmë një realitet i njohur botërisht dhe sovraniteti i saj është i pakthyeshëm e i paprekshëm. Ai dënon aktet e njëanshme të dhunës duke i konsideruar ato krejtësisht të panevojshme dhe beson shumë tek institucionet legjitime të Kosovës për rikthim të normalitetit afatgjatë”- thuhet në deklaratë.
Sipas saj, presidenti mbështet dhe inkurajon vazhdimin e dialogut institucional të iniciuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit, duke e vlerësuar atë si rruga më e mirë për zgjidhjen e problematikave reciproke, si dhe dhënien e kontributit konkret për forcimin e paqes e stabilitetit në përputhje me aspiratat e të gjithë rajonit për integrimin e plotë euroatlantik.
© Panorama.al











