Me kërkesë të Serbisë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka mbajtur konsultime të mbyllura për situatën në Kosovë.
Agjencia France Press bën të ditur se organi i OKB-së ka refuzuar thirrjet e Serbisë për një takim të veçantë të Këshillit, ku do të diskutoheshin tensionet në rritje në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, ka protestuar pasi nuk u lejua të adresojë konsultimet.
“Është shumë e vështirë për ne të kuptojmë se përse kaq shumë rezistencë për të dhënë kontribut në debatin e një shteti anëtar të Kombeve të Bashkuara. Ju mund të pajtoheni ose jo me atë që ka për të thënë Serbia, por të paktën është e drejtë të na dëgjoni – ne nuk u lejuam të dëgjohemi”, tha Jeremiq.
Ambasadori gjerman, Peter Viting, i cili mban presidencën e radhës së Këshillit të Sigurimit, tha se Bashkimi Evropian ishte organi i përshtatshëm për trajtimin e valës aktuale të dhunës në Kosovë.
Pas takimit të Jeremiqit me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun, zyra e këtij të fundit lëshoi një deklaratë, në të cilën thuhet se kreu i Kombeve të Bashkuara “ka shprehur shqetësimin e tij me veprimin e papritur, që çoi në përkeqësimin e situatës në veri të Kosovës, si dhe ka mirëpritur thirrjen e presidentit serb, Boris Tadiq, për qetësi dhe mesazhin se vendi i tij mbetet i angazhuar në zgjidhjen e problemeve ekzistuese mes Beogradit dhe Prishtinës përmes dialogut”.
Ndërkohë, KFOR-i ka vërë nën kontroll pikat doganore në veri të Kosovës, pas incidenteve të së mërkurës kur një grup serbësh dogji pikën doganore në Jarinë.
Forca shumëkombëshe tha se i ka deklaruar dy pikat kufitare në kufirin Kosovë-Serbi zona të kufizuara ushtarake dhe ka tërhequr vërejtjen se do të përdorë armë vdekjeprurëse.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka akuzuar Beogradin zyrtar dhe liderët e strukturave paralele në veri, për sulmin në pikën kufitare në Jarinë.
Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, gjithashtu e ka dënuar sulmin, duke e quajtur atë “një akt të ekstremistëve dhe të grupeve kriminale”. Bogdanoviq tha se sulmuesit nuk ishin serbë lokalë nga zona pranë postbllokut.
Përmes një deklarate të përbashkët, sekretari i jashtëm britanik. Uilliam Hejg, dhe ministri i jashtëm gjerman, Guido Vestervelle, kanë thënë:
“Ne jemi seriozisht të shqetësuar për shpërthimin e fundit të dhunës në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E kemi thënë në të kaluarën dhe e përsërisim edhe tani se mënyra se si trajtohen çështjet fqinjësore është një pikë e rëndësishme referimi për një perspektivë evropiane”.
“Progresi i dukshëm në të gjitha këto fusha do të luajë rol në diskutimet e Bashkimit Evropian në vjeshtë”, thuhet në deklaratën e dy diplomatëve.
Të enjtën, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë në favor të së drejtës së institucioneve të Kosovës “për të ushtruar kontroll të plotë mbi territorin e Kosovës”.
Rezoluta gjithashtu mbështet masat e reciprocitetit me Serbinë në të gjitha pikat e kontrollut doganor dhe i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i ndihmojë autoritetet të ruajnë integritetin territorial të Kosovës. (rel)
© Panorama.al











