Tensionet mes etnive me besime të ndryshme fetare në Strugë janë rritur duke rrezikuar sigurinë në vendin fqinj. Në fshatin Llabunishtë të Strugës, persona të panjohur i kanë vënë flakën një kishe ortodokse, duke mos arritur ta shkrumbojnë tërësisht atë falë ndërhyrjes së banorëve për shuarjen e flakëve në hapësirat brenda kishës. Qeveria shqiptare e ka dënuar djegien e Kishës, edhe pse nga persona ende të paidentifikuar. “Ky akt i shëmtuar dhe disa ngjarje të tjera të kohëve të fundit, pavarësisht nga kush janë kryer dhe nga cilat motive janë shtyrë, janë të dënueshme. Ato nuk i shërbejnë frymës së bashkëjetesës multikulturore dhe multietnike të Maqedonisë. Thirrje apo veprime me karakter përçarës, diskriminues e racist që mbjellin urrejtje etnike e ndërfetare, janë të papranueshme nga vetë shoqëria e opinioni publik në Maqedoni”,- u shpreh zëdhënësja e MPJ-së, Eva Kushova. Në deklaratën për mediat, Ministria e Jashtme ka kërkuar të respektohet trashëgimia kulturore e çdo vendi. Ish-kryeministri maqedonas, Vllado Buçkovski, tha se këto ngjarje mund të sjellin edhe incidente të përmasave më të mëdha. “Djegia e kishave më frikëson, sepse kjo po merr edhe dimensione të përplasjeve fetare dhe nuk është problemi vetëm tek incidentet ndëretnike. Kjo është shumë e rrezikshme”, tha mes të tjerash Buçkovski. Zyra e Bashkimit Europian në Shkup ka kërkuar që autoritetet maqedonase t’i pastrojnë incidentet e fundit dhe t’i nxjerrin fajtorët para drejtësisë. Ndonëse nuk është vërtetuar se djegia e kishës u bë nga shqiptarët, raportet mes tyre dhe maqedonasve komentohen të tensionuara, që pas një karnavali që u mbajt në komunën e Vevçanit në afërsi të Strugës, ku maqedonasit kanë fyer shqiptarët dhe librin e shenjtë islamik, Kuranin.











