Aeroplanmbajtësja amerikane “Abraham Lincoln” ka lëvizur nga ngushtica e Hormuzit, duke iu afruar brigjeve të Iranit. Irani ka kërcënuar me mbylljen e ngushticës, e cila është shumë e rëndësishme për tregjet ekonomike ndërkombëtare. Aty kalon 35 për qind e eksportit të naftës drejt vendeve perëndimore. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë vendosur embargo mbi të gjithë prodhimin iranian të naftës, për shkak të ambicieve bërthamore të vendit dhe, pas kësaj, Irani ka kërcënuar me mbylljen e ngushticës së Hormuzit. Oficeri më i lartë i flotës amerikane në Gjirin Persik, zv.admirali Mark Foks tha se ai i merr seriozisht aftësitë ushtarake të Iranit, por këmbëngul se forcat amerikane janë “gati që sot” për të përballuar çdo veprim armiqësor.











